Papa Kishës Siro-Malabareze të Indisë: të ruhet uniteti, mosbindja sjell përçarje
R.SH. / Vatikan
“Ruaje unitetin”, duke kujtuar se “ku ka bindje ka Kishë, e ku ka mosbindje, ka përçarje”. Papa Françesku u kujton besimtarëve të Kishës Siro-Malabareze, në Indi, çka është "detyrë" dhe jo "këshillë e devotshme", veçanërisht për meshtarët, të cilët populli i shikon si shembuj. Sot në mëngjes, 13 maj, Papa priti në audiencë, në Vatikan, anëtarët e Kishës së lashtë sui iuris - Siro-Malabareze, lindur nga predikimi i Shën Tomës dhe aktualisht më e madhja në Indi - e cila në arkiheparkinë e Ernakulam-Angamaly për vite me radhë kaloi kundërshtime dhe fraktura, e ndonjëherë dhe episode dhune, për shkak të mosmarrëveshjes të brendshme mbi drejtimin e kremtimit të Meshës nga priftërinjtë: përballë bashkësisë apo përballë altarit:
Të mos e respektosh të Shenjtnueshmin Sakrament të Eukaristisë, Sakramentin e bamirësisë dhe të unitetit, duke diskutuar hollësira festive të asaj Eukaristie që është pika më e lartë e pranisë së tij të adhuruar ndër ne, është e papajtueshme me fenë e krishterë.
Letrat dhe videomesazhi i Papës
Papa e thotë qartë këtë në fjalimin e tij, në të cilin përmend letrat dhe videomesazhin drejtuar besimtarëve të Ernakulam-Angamaly muajt e fundit. Në veçanti, në filmimin në fjalë, publikuar më 7 dhjetor 2023, Jorge Mario Bergoglio përdori tone të forta për të paralajmëruar rrezikun e përfundimit në "sekt", duke paralajmëruar edhe mundësinë e "dënimeve", nëse ndarjet pas këtij diatribi, do të vijojnë të nxiten nga ato të cilët refuzojnë kremtimin e Kurbanit të Shenjtë (Meshës të traditës vendase) sipas formës së vendosur nga Sinodi Siro-Malabar. Në bazë të gjithë kësaj - tha Papa në video - ka arsye "që kanë të bëjnë me botën" e jo “me kremtimin e Eukaristisë dhe të Liturgjisë".
Bindja
Edhe në audiencën e sotme Papa foli për mendësinë e botës, “që të çon në ngurtësi dhe përçarje”, si dhe për mosbindjen: “Ju jeni të bindur dhe kjo është lavdia juaj” - kujtoi Papa duke u larguar nga teksti i shkruar e duke kujtuar edhe besnikërisë e Kishës Siro-Malabareze ndaj Pasardhësit të Pjetrit të cilën - vijoi Bergoglio - ju e ruajtët me gjithë persekutimet dhe "veprimet fatkëqija" pësuar në të kaluarën. "Bindje, edhe me vuajtje, por duke ecur gjithnjë përpara."
“Besimtarët e Kishës suaj të dashur njihen, jo vetëm në Indi, por në mbarë botën, për vrullin e fesë dhe të devocionit. Besinikëria juaj është një besnikëri e lashtë, e rrënjosur në dëshminë e Krishtit, deri në martirizim, të Shën Tomës, Apostullit të Indisë: ju jeni rojtarë dhe trashëgimtarë të predikimit apostolik. Ju keni pasur shumë sfida gjatë historisë suaj të gjatë dhe të mundimshme, me veprime fatkeqe kundër jush, të pandjeshme ndaj veçorive të Kishës suaj në lulëzim. Megjithatë ju i qëndruat besnik Pasardhësit të Pjetrit, Papës. Dhe sot jam i lumtur t'ju pres dhe t'ju konfirmoj në trashëgiminë e lavdishme të fesë së krishterë që keni marrë dhe që vazhdoni ta çoni përpara...
Historia juaj është e veçantë dhe e çmuar, është një trashëgimi unike për të gjithë Popullin e Shenjtë të Zotit, prandaj shfrytëzoj rastin të kujtoj se traditat e Kishave lindore janë thesare thelbësore në mbarë Kishën. Sidomos në një kohë si kjo e jona, e cila i pret rrënjët dhe mat gjithçka, për fat të keq edhe qëndrimin fetar, mbi atë që konsiderohet e dobishme dhe e menjëhershme, Lindja e krishterë na mundëson të marrim burime të lashta e gjithnjë e të reja të spiritualitetit. Këto burime të freskëta i japin gjallëri Kishës”.
Tundimi për t'u përqendruar në një hollësi
Papa Françesku më pas tërhoqi vëmendjen kundër "tundimit të rrezikshëm të dëshirës për t'u përqendruar në një hollësi, nga e cila nuk dëshiron të heqësh dorë, në dëm të së mirës së përbashkët të Kishës". Është “ndikimi i vetëvlerësimit - kujtoi - që “çon në mosdëgjimin e asnjë arsyeje tjetër, përveç asaj të vetvetes”. Në spanjisht, ne themi: 'Jo, unë, mi, con migo, para mi; Unë, me mua, për mua, gjithçka për mua'”.
Djalli zvarritet, ruaje bashkimin!
Pikërisht këtu, paralajmëron Papa Françesku se, "djalli, përçarësi, zvarritet", duke penguar dëshirën e vetë Krishtit që ne, si dishepujt e tij, të jemi "një gjë e vetme", "pa u përçarë, pa e prishur bashkimin":
“Të ruash unitetin nuk është këshillë e devotshme, por detyrë, dhe është veçanërisht e vërtetë kur bëhet fjalë për meshtarët, që kanë premtuar bindje dhe nga të cilët besimtarët presin shembullin e bamirësisë dhe butësisë”.
Prej këndej Papa kërkon të punohet "me vendosmëri" për të "ruajtur bashkimin" dhe për t’u lutur, "pa u lodhur", në mënyrë që vëllezërit tanë "të kuptojnë se janë pjesë e një familjeje më të madhe, e cila i do dhe i pret".
Mosrespektimi i Eukaristisë është i papajtueshëm me fenë e krishterë
“Këtë dëshiron Kisha: jashtë Pjetrit, jashtë kryeipeshkvit të madh nuk ka Kishë”.
Këtë shtoi Papa duke folur lirisht.
"Ashtu si Ati i djalit plangprishës", shëmbëlltyrës ungjillore, Papa kërkoi t'u lërë "dyert e hapura" dhe "zemrën e hapur" edhe atyre që sot i vijojnë konfliktet, "në mënyrë që, pasi të jenë penduar, të mos kenë vështirësi për t’u kthyer ".