Kërko

Papa në audiencën me CONFAP Papa në audiencën me CONFAP

Papa: të rinjtë, më të brishtët e kohës sonë, të dallohet puna nga shfrytëzimi

Të rinjtë “janë një nga kategoritë më të brishta të kohës sonë” e shpesh, “duhet të kënaqen me kontrata të pasigurta me paga të ulta”: kështu Papa, në audiencën e sotme me Konfederatën Italiane të Formimit e të Përditësimit Profesional. Tundime si “teknofobia dhe teknokracia, të dyja duhen hedhur poshtë”, theksoi Françesku

R.SH. – Vatikan

 “Teknika pa humanizëm bëhet e dyshimtë, e rrezikshme dhe nuk është vërtet njerëzore, nuk është vërtet formuese. Formimi duhet t'u japë të rinjve mjetet për t’i dalluar ofertat e punës nga format e shfrytëzimit". Këtë nënvizoi Papa, në audiencën me Konfederatën Italiane të Formimit e të Përditësimit Profesional, që e priti sot në Vatikan.

Të rinj plot talent dhe potencial, por edhe tejet të brishtë

 Të rinjtë “janë një nga kategoritë më të brishta të kohës sonë – vërejti Françesku. - Të rinj, gjithmonë plot talent dhe potencial, janë edhe tejet të brishtë, si për shkak të disa kushteve antropologjike, ashtu edhe për aspekte të ndryshme kulturore të kohës në të cilën jetojmë. Nuk po u referohem vetëm NEET-ve (Not in Education, Employment or Training) – shtoi Papa Françesku – pra, atyre që nuk janë as në shkollë dhe as në punë, por disa zgjedhjeve sociale, që i ekspozojnë ndaj erërave të shpërhapjes dhe të degradimit. Vërtet, shumë të rinj i braktisin territoret e tyre të origjinës për të kërkuar punë diku tjetër, shpesh, pa gjetur mundësi në lartësinë e ëndrrave të tyre; disa duan të punojnë, por duhet të kënaqen me kontrata të pasigurta e me paga të ulta; disa të tjerë, në këtë kuadër brishtësie shoqërore dhe shfrytëzimi, jetojnë të pakënaqur, prandaj japin dorëheqjen nga puna”.

Dy tundime: teknofobia dhe teknokracia

Së fundi, për Papën, "jemi të thirrur të hedhim poshtë dy tundime: nga njëra anë, teknofobinë, domethënë frikën nga teknologjia, që çon në refuzimin e saj; nga ana tjetër, teknokracinë, domethënë iluzionin se teknologjia mund t’i zgjidhë të gjitha problemet. Duhet të investohen fonde dhe energji, pasi transformimi i punës kërkon formim të vazhdueshëm, krijues dhe gjithnjë të përditësuar”.

03 maj 2024, 13:22