Kërko

Papa takon 100 meshtarë nga qendra e Romës në kishën e Kryqit Shenjt në Jerusalem

Në orën 16.00, Françesku shkoi në bazilikën historike romake për një takim me dyer të mbyllura me famullitarët, zëvendësit e tyre dhe me rektorët e sektorit qendror të Romës. Është e fundit nga vizitat, që Papa ka bërë që nga muaji nëntor në sektorë të ndryshëm të dioqezës së tij

R.SH. – Vatikan

         Fiati papnor 500 L i bardhë, tashmë i mirënjohur, u duk në orën 16.00 në rrugën që çon në bazilikën romake të Kryqit Shenjt në Jerusalem. Pikërisht aty, Papa Françesku takoi sot pasdite, 3 maj, rreth njëqind famullitarë, zv.famullitarë dhe rektorë të sektorit qendror të dioqezës së Romës, ku bëjnë pjesë gjithsej 38 famulli.

Një grup i vogël besimtarësh, mbledhur që në orën 15.00, përshëndetën makinën që kalonte. Edhe Françesku tundi dorën pas xhamit, përpara se të hynte në portën që çon në sallat ngjitur me bazilikën, ku takimi u mbajt me dyer të mbyllura. I pranishëm, imzot Francesco Pesce, famullitar i Shën Marisë në Monti, koordinator baritor i sektorit, pasi përgjegjësi i mëparshëm, ipeshkvi ndihmës, jezuiti Daniele Libanori, u emërua më 6 prill ndihmës i Papës për Jetën e Shuguruar.

Takimi i sotëm është i fundit në serinë e vizitave, që Papa ka zhvilluar në pesë sektorët e dioqezës ku ai është ipeshkëv, duke shkuar nga shtatori në prill në lagjet Primavalle, Villa Verde, Acilia dhe Casal Monastero. Vizita, gjatë të cilave Françesku takoi famullitarët e 36 prefekturave për një shkëmbim të lirë opinionesh, me pyetje e përgjigje.

03 maj 2024, 17:55