Papa, rregulltarëve të Brazilit: thirrja e Zotit duhet kultivuar çdo ditë që të japë fryte
R.SH. – Vatikan
Është letër plot dashuri ajo, që Papa Françesku u drejton pjesëmarrësve në Kongresin e jetës rregulltare me temë "CRB 70 vjet: Kujtim mirënjohës, misticizëm, profeci dhe shpresë", organizuar nga Konferenca e Rregulltarëve të Brazilit për të përkujtuar 70-vjetorin e themelimit. “Mirënjohës për dhuratën e pamasë të thirrjes në jetën rregulltare, e cila, përmes karizmave të saj nga më të ndryshmet, e pasuron bashkësinë kishtare dhe kontribuon jashtëzakonisht në misionin e Kishës në mbarë botën”, Papa nënvizon se në shumë vende “kumti i parë i Ungjillit” është ai i “burrave dhe grave të shuguruara, që e marrin përsipër me impenjim të madh, duke ia kushtuar jetën”, ftesën e Jezusit për të shkuar në të gjitha kontinentet e për t'i shpallur Lajmin e Mirë çdo krijese. Ati i Shenjtë kujton “se dhuntia e thirrjes duhet ruajtur dhe duhet kultivuar çdo ditë, që të japë fryte të mira”.
Qëndroni në dashurinë e Krishtit
Françesku merr shkas nga motoja e zgjedhur për Kongresin – këshilla e Jezu Krishtit, që në Darkën e Mbrame u thotë dishepujve të qëndrojnë në dashurinë e tij - për të shpjeguar se për ta jetuar si duhet thirrjen e Hyjit, nevojitet "dialogu i vazhdueshëm me Jezusin, në lutjen e përditshme, si edhe besnikëria ndaj kushteve rregulltare". Papa kujton çka pati pohuar me rastin e Ditës XXIV Botërore të Jetës së Shuguruar, më 1 shkurt 2020, duke përsëritur se “jeta rregulltare, nëse qëndron e palëkundur në dashurinë e Zotit, është e bukur. Kupton se varfëria nuk është përpjekje titanike, por liria më e madhe, që na dhuron Zoti dhe i sheh të tjerët si pasuri e vërtetë. Kupton se dlirësia nuk është sterilitet i ashpër, por rruga drejt dashurisë pa interes. Sheh se bindja nuk është disiplinë, por fitore mbi anarkinë tonë, në stilin e Jezusit".
Shikojeni të ardhmen me shpresë
Papa uron që takimi i dëshiruar nga Konferenca e Rregulltarëve të Brazilit të jetë për të gjithë njerëzit e shuguruar "çast për të kujtuar të kaluarën me mirënjohje" dhe "për ta jetuar të tashmen, mbështetur nga mistika e karizmave të veçanta të çdo familjeje rregulltare, duke u impenjuar në mënyrë profetike në kumtimin e Ungjillit”, që ta shihet e ardhmja me shpresë.