Papa: t’i ndihmojmë të rinjtë të japin gjithçka të mirë, në shërbim të Zotit
R.SH. / Vatikan
Anëtarëve të “Blanquerna Foundation”, institucion i arsimit të lartë, i themeluar në vitin 1948 dhe i integruar në Universitetin Ramon Llull të Barcelonës, Françesku u foli spanjisht, duke nënvizuar rëndësinë e mesazhit që përmban vetë emri i Fondacionit. Blanquerna është personazh letrar, protagonist i një libri të filozofit të Lum Ramon Llull i cili, duke treguar historinë e tij, përshkruan shoqërinë e kohës, duke u ndaluar në "disa modele të jetës së krishterë, që mund ta ndihmojnë këdo të ndjekë Krishtin" pavarësisht nga thirrja e tyre. (Blanquerna është hero i patëmetë, që ka dhantinë të zgjedhë gjithmonë rrugën më të mirë të jetës, parë në këndvështrimin e të lumve: në kërkim të përsosurisë shpirtërore, bëhet shtegtar, murg, abat, ipeshkëv e edhe papë). Çfarë ka rëndësi në veprimtarinë edukative - thekson Papa - është t’i ndihmojë të rinjtë të zbulojnë "planin që ka Zoti për ta” e edhe ta realizojnë.
Të çlirohemi nga stereotipet e imponuara nga shoqëria
Duke kujtuar pedagogjinë, që përmban vepra e shkruar nga Llull, Papa Françesku shpjegon se ajo distancohet "nga heronjtë fantastikë, që përpiqen t'i shmangen realitetit, siç ishin asokohe personazhet kalorësiake". Përkundrazi, u ofron të gjithëve "modele të jetës", të thjeshta e të natyrshme, përmes të cilave mund t'i shërbejmë Zotit". E më pas vëren:
“Sa dhimbje dhe zhgënjime shkaktojnë sot, madje më shumë se në kohën e të Lumit, stereotipet e paarritshme që tregjet dhe grupet e presionit pretendojnë të na i imponojnë. E sa detyrë e madhe është t'i bësh të rinjtë të zbulojnë planin që ka Hyji për secilin prej tyre”.
Burra dhe gra dëshirojnë ta takojnë Zotin
Është angazhim që Fondacioni dhe i gjithë Universiteti synojnë ta çojnë përpara duke ndjekur rrugët e ndryshme të jetës, përshkruar nga Ramon Lull: duke theksuar vlerën dhe rolin e familjes në shoqëri, duke mbështetur të rinjtë në përballimin e sfidave të ndryshme të jetës, duke i mësuar se i krishteri nuk duhet t'i hedhë hapat e tij i shtyrë nga dëshira për "karrierizëm", por nga dëshira për t'iu përgjigjur një thirrjeje e " që të priret drejt takimit me Zotin". Këto janë vlerat që Papa uron të jenë pasqyruar në projektet arsimore të Universitetit:
“Formim, po, me gjuhë aktuale, moderne, të shkathtë, pedagogjike, me analizë të saktë të realitetit; duke pasur gjithnjë parasysh se formojmë burra dhe gra të plota, jo kopje iluzore të idealeve të pamundura. Njerëz të ndershëm, që përpiqen të japin ç’kanë më të mirë nga vetja, në shërbimin që i thërret Zoti, duke e ditur se janë shtegtarë, se gjithçka është shtegtim drejt një qëllimi, që e tejkalon këtë realitet, takimit të mikut me të dashurin”.
Prania e Jezusit e ndriçon jetën
Papa Françesku e përfundoi takimin duke cituar fragmentin e fundit të librit të të Lumit Llull:
“Ata e pyetën Mikun cila ishte errësira më e madhe. Përgjegji ‘mungesa e të Dashurit’; e pyetjes cili ishte shkëlqimi më i madh, i përgjegji ‘prania e të Dashurit’".
Papa i uroi anëtarët e "Fondacionit Blanquerna" që të mund ta "ndriçojnë jetën" e studentëve të tyre "me praninë e Jezusit" e që kjo "t’i bëjë të vetëdijshëm për dinjitetin e tyre si miq të Zotit dhe të njerëzimit, që të munden, kështu, ta davarisin errësirën që e mbulon këtë botë, larg nga thelbi i saj i vërtetë".