Les membres de Talitha Kum, à l'occasion de leur 2è assemblée générale et des 15 ans de la fondation.  ((foto: M. Simionati/Talitha Kum) Les membres de Talitha Kum, à l'occasion de leur 2è assemblée générale et des 15 ans de la fondation. ((foto: M. Simionati/Talitha Kum)

Papa, trafikimi njerëzve ndër plagët më të tmerrshme të kohës sonë

Në një mesazh dërguar rrjetit ndërkombëtar Talitha Kum, mbledhur këtyre ditëve në Asamblenë e Dytë të Përgjithshme, Papa Françesku thekson nevojën për të luftuar fenomenin kriminal të trafikimit të njerëzve "që nuk respekton askënd dhe injoron këdo, duke u garantuar fitime të mëdha njerëzve të pa skrupuj moralë".

R.SH. / Vatikan

"Në zemrën time ka kaq shumë mirënjohje për atë që ju bëni, si individualisht ashtu edhe të gjithë së bashku, për të mposhtur trafikimin e qenieve njerëzore, që është një nga plagët më të tmerrshme të kohës sonë". Kështu pohon Papa Françesku në fjalimin drejtuar pjesëmarrësve të Asamblesë së Përgjithshme të “Talitha Kum”, rrjetit ndërkombëtar të motrave rregulltare që lufton kundër trafikut të njerëzve, mbajtur në Sacrofano (afër Romë).

“Trafikimi i qenieve njerëzore është një e keqe “sistematike”, prandaj ne mund dhe duhet ta eliminojmë atë nëpërmjet një qasjeje sistematike në nivele të shumëfishta - thotë Papa -. Tregtia e qenieve njerëzore forcohet me luftëra dhe konflikte, përfiton nga pasojat e ndryshimeve klimatike, nga pabarazitë socio-ekonomike, nga cenueshmëria e njerëzve që janë të detyruar të migrojnë dhe nga gjendja e pabarazisë në të cilën ata gjenden, mbi të gjitha gratë dhe vajzat. Trafikimi i qenieve njerëzore është një aktivitet që nuk respekton askënd, dhe u garanton përfitime të mëdha njerëzve të pa skrupuj moralë. Trafikimi i qenieve njerëzore është duke u zhvilluar vazhdimisht, gjen gjithmonë mënyra të reja për t'u zhvilluar më tej, siç ndodhi gjatë pandemisë”. Por sipas Papës, plagën e trafikimit të njerëzve “mund të arrijmë ta eliminojmë. Për këtë ne duhet të vijojmë në vazhdën e asaj që keni bërë gjithmonë ju të rrjetit Talitha Kum: duke e vendosur veten përkrah viktimave, duke i dëgjuar ato, duke i ndihmuar viktimat të ngrihen përsëri në këmbë dhe, së bashku, duke vepruar kundër plagës së trafikimit e keqpërdorimit të çdo personi. Për të qenë vërtet të suksesshëm kundër këtij fenomeni kriminal e të urryer, është e nevojshme të jemi komunitet”.

Kujtojmë se rrejti ndërkombëtar “Talitha Kum” vë në pah shkaqet më të thella të trafikut të njerëzve, denoncon rrjetet kriminale, që nxjerrin fitime prej tij dhe, u bën thirrje shteteve e qeverive të mbarë botës të bëjnë kontrolle të rrepta kundër korrupsionit, të sigurojnë dënimin e kriminelëve, për ta luftuar këtë krim, që e lëndon rëndë njerëzimin.

“Talitha Kum është bërë tashmë një rrjet i përhapur dhe global e, në të njëjtën kohë, është mirë i rrënjosur edhe në realitetin e Kishave lokale - shton Papa -. Rrejti ndërkombëtar “Talitha Kum” është bërë një pikë referimi për viktimat, për familjet e tyre, për personat në rrezik dhe për komunitetet më të cenueshme. Gjithashtu, edhe thirrjet tuaja përbëjnë një kujtesë të fortë ndërgjegjësimi për Qeveritë dhe institucionet kombëtare e vendore” kundër kësaj plage shoqërore. 

Prandaj, pohon Papa, “ju inkurajoj të vazhdoni në këtë rrugë, duke çuar përpara veprimet e parandalimit dhe të trajtimit, njëkohësisht me kultivimin dhe gërshetimin, së bashku, të shumë marrëdhënieve të çmuara, që janë vendimtare për t'iu kundërvënë dhe mposhtur trafikut të qenieve njerëzore”, përfundon Papa.

23 maj 2024, 14:35