Zoja Lurdë, Shpella e Bernardetës Zoja Lurdë, Shpella e Bernardetës   (®Tomasi Nicolò)

Papa ushtarakëve në Lourdes: shërbejini paqes në këtë çast të errët të historisë

Papa dërgoi një mesazh të nënshkruar nga kardinali Pietro Parolin me rastin e shtegtimit të 64-të ndërkombëtar në Shenjtëroren franceze, kryesuar nga Imzot Gallagher: dëshmojani Ungjillin bashkëluftarëve!

R. SH. - Vatikan

Tradita, që nisi 64 vjet më parë, të tërheq gjithnjë me pamjen e mijëra uniformave të ndryshme, rreshtuar në lutje para Shpellës së Masabielës. Për Papën është e qartë "thirrja ushtarake" e ushtarit, që gjunjëzohet në një çast të jetës së tij para Zojës Lourdë: prej këndej, porosia: "Kudo që t’ju dërgojnë, dëshmojeni Ungjillin ndërmjet shokëve tuaj".

 Kuptimi i shtegtimit

 Kështu shkruan Françesku në një mesazh, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, Kardinali Pietro Parolin, me rastin e shtegtimit vjetor ndërkombëtar të ushtarëve në Shenjtëroren franceze, të kryesuar nga Kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.

Ashtu si Bernadette, të cilën Zoja e nxiti t'u kërkonte meshtarëve të ndërtonin një kishë, për të lejuar njerëzit të vinin në procesion, po ashtu Papa i fton ushtarët "të nisen edhe shpirtërisht në shtegtim", "para së gjithash drejt Zotit, por edhe drejt vëllezërve dhe motrave tona, për të ndërtuar një botë më solidare e më vëllazërore”. Një angazhim që është edhe më i fortë sepse u drejtohet atyre që - shkruan Françesku - thirren “të luajnë një rol të pazëvendësueshëm për të mirën e përbashkët, në shërbim të paqes në botë”.

Pranë shokëve të sëmurë

Edhe për ata që veshin uniformën - vëren Papa - shtegtimi është përvojë  feje, që të ndihmon "të zbulosh bukurinë e ecjes së bashku, duke mbështetur njëri-tjetrin dhe duke u takuar me të tjerët. Të krijon mundësinë të jesh pranë bashkëluftëtarëve të sëmurë dhe të plagosur, të kujdesesh për ta dhe ta çosh mëshirën e Zotit në botën ushtarake”.

Bota - përfundon Papa - “ka nevojë për ju, veçanërisht në këtë çast të errët të historisë sonë. Ne kemi nevojë për burra dhe gra të fesë, të aftë për t'i vënë armët e tyre në shërbim të paqes dhe vëllazërisë".

25 maj 2024, 10:44