Papa: vizita në katakombe gjatë Jubileut forcon fenë e shpresën
R. SH. - Vatikan
Të vlerësosh, me rastin e Jubileut, shtegtimin në katakombet e krishtera, posaçërisht në varret e martirëve, është shenjë shprese e jete. Ky, mesazhi i Françeskut gjatë fjalimit drejtuar sot pjesëmarrësve në mbledhjen plenare të Komisionit Papnor për Arkeologjinë Kishtare. Këto vende, këto varreza - saktëson Papa - janë fjetore, pra dëshmi e pritjes së ringjalljes.
Vlera e Ditëve të Katakombeve
Papa Françesku priti sot në audiencë anëtarët e Komisionit, kujdestarë të trashëgimisë së fesë dhe të artit të katakombeve të krishtera të Italisë, të kryesuar nga presidenti, Imzot Pasquale Iacobone. Takim që tregon se e vlerëson lart angazhimin për t’i përfshirë veçanërisht të rinjtë në mbrojtjen, kërkimin dhe restaurimin e këtyre vendeve të cilat nga lashtësia - i flasin kohëve tona.
Shumë vëllezër sot persekutohen për fenë e tyre
Duke folur për martirët, Papa nënvizoi “shembullin e guximshëm të këtyre të krishterëve, gjithmonë aktual dhe na ftoi të lutemi për shumë vëllezër që sot përndiqen për fenë e tyre në Krishtin”.
Këtë theksoi Françesku në audiencën me Komisionin Papnor të Arkeologjisë Kishtare.
Foli, më pas, për Jubileun, duke nënvizuar se tema e tij "Shtegtarë të shpresës", të kujton "pikërisht shtigjet e katakombeve”. Aty shtegtari gjen gjurmët e shumta të shtegtimit të krishterë të zanafillës".
"Në katakombe çdo gjë flet për shpresën: për jetën përtej vdekjes, për çlirimin nga rreziqet dhe nga vetë shkatërrimi, përmes veprës së Zotit". "Gjithçka flet për shpresën, për jetën! Katakombet, edhe pse "varreza", domethënë "fjetore", dëshmojnë për pritjen e të krishterit, që beson në ringjalljen e Krishtit, domethënë, në ringjalljen e korpit.
Prandaj, shtegtimi në katakombe shëmbëllen si itinerar, në të cilin mund të përjetohet ndjenja e pritjes dhe e shpresës së krishterë”, përfundoi Papa, me optimizmin e atmosferës së ringjalljes, që na e kujton shtegtimi në këto vise meditimi e pritjeje…