Papa: Zoti i dhëntë paqe botës, veçanërisht Ukrainës, Lindjes së Mesme dhe Mianmarit
R.SH. / Vatikan
"Paqe për të gjithë botën", veçanërisht "për Ukrainën e dashur e të martirizuar, për Palestinën, Izraelin dhe Mianmarin". Papa Françesku, në përfundim të audiencës së sotme të përgjithshme, mbajtur paradite në Vatikan, bëri thirrje të re për trojet e copëtuara nga vdekja, dhuna dhe persekutimi.
Për Ukrainën, ku armët ruse vazhdojnë të godasin pandërprerë (të fundit godasin impiantet e prodhimit dhe të shpërndarjes së energjisë elektrike në gjashtë rajone); për Lindjen e Mesme, ku vdekja endet frikshëm ndërmjet qytetit të Gazës dhe Rafahut; për Mianmarin, që përballon një krizë të zgjatur politike, me përleshje dhe dhunë ndërmjet trupave ushtarake të qeverisë dhe grupeve të armatosura etnike, me miliona njerëz të zhvendosur, të cilëve u shtohet edhe situata dramatike e Rohingya-ve.
Ndërmjetësimi i Marisë
Duke parë këto toka të plagosura, Papa bashkon zërin me lutjen që Kisha i larton sot, 8 maj, Zojës së Pompeit, a "Lutjes" së Zojës Rruzare. E i fton të gjithë "të luten për ndërmjetësimin e Marisë, që Zoti t'i japë paqe mbarë botës".
Paqe për Evropën
Përsëri në fund të audiencës, Papa kërkoi një tjetër ndërmjetësim, atë të Shën Stanislaut, ipeshkëv martir, Pajtor i Polonisë, solemniteti i të cilit kremtohet sot. Në përshëndetjen drejtuar besimtarëve polakë të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, Françesku kujtoi: "Shën Gjon Pali II shkroi për të se nga lartësitë qiellore mori pjesë në vuajtjet dhe shpresat e Kombit, duke mbështetur mbijetesën e tij veçanërisht gjatë Luftës II Botërore": “Ndërmjetësimi i Shën Stanislaut na sjelltë edhe sot dhuratën e paqes në Evropë dhe në mbarë botën, veçanërisht në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme”.
Mbjellës të shpresës dhe endës të së mirës
Papa Françesku bëri thirrje edhe për angazhim konkret nga ana e të gjithë besimtarëve, për të ndërtuar një të ardhme paqeje: “Zoti na dhëntë shpresë dhe durim, që të jemi artizanët e paqes dhe të mirësisë në një botë, e cila ka kaq shumë nevojë për këtë virtyt” - uroi, duke iu drejtuar shtegtarëve spanjollë. Fjalë që jehuan edhe më qartë në përshëndetjet drejtuar francezëve:
“Përballë ardhmërisë, që ndonjëherë mund të duket e errët, të përpiqemi për të qenë bujq të shpresës dhe endës të së mirës, të bindur se jeta mund të jetohet ndryshe dhe se paqja është e mundur”.
Një lutje për Argjentinën
Në treme, ku Papa i larton lutjet, ishte një shtatore e Zojës së Lujanit, Pajtore e Argjentinës. Duke e shikuar, Françesku shtoi lirisht një lutje për vendin e tij të lindjes:
“Sot në atdheun tim, Argjentinë, kremtojmë solemnitetin e Zojës së Lujanit, figurja e së cilës është e pranishme mes nesh. Të lutemi për Argjentinën, që Zoti ta ndihmojë atë në udhën e saj”.