Kërko

Vizita në Veronë  - Takimi në  "Arenën e Paqes - Drejtësia e Paqja do të puthen" Vizita në Veronë - Takimi në "Arenën e Paqes - Drejtësia e Paqja do të puthen"

Arena e Veronës, Papa: udhëheqja është bashkëpunuese, përndryshe është autoritarizëm

Para më se 12 mijë njerëzve, dialogu i Papës me përfaqësues të shoqërisë civile, lëvizjeve dhe shoqatave të angazhuara në ndërtimin e paqes: individualizmi është rrënja e diktaturave, duhen parë realisht konfliktet, për t'i zbutur. Përballë luftërave, "jemi mjeshtër të ‘larjes së duarve’”.

R.SH. / Vatikan

Muzika, që ridëgjohet sot nga Verona Arena, me 12 500 njerëz, sot është në sintoni me dëshirën për paqe, në një botë pa paqe. Paqe që duhet nxitur, duhet përgatitur, duhet kujdesur, duhet kontrolluar e duhet organizuar. Rrjeti i njerëzve, shoqatave dhe lëvizjeve të mbledhura sot në mëngjes në vendin simbolik të qytetit që mirëpret Papën, është i bindur për këtë takim të tretë, pjesë e një programi shumë të dendur vizitash baritore, dialog ndërmjet Papës dhe popullit, në stilin, që i pëlqen Françeskut.

Është dialog, që vjen pas një udhe të hapur për të gjithë, krijuar për ndërtimin e paqes, drejtësisë dhe kujdesit për shtëpinë e përbashkët, të mira universale që duhen ruajtur në nivel personal, komunitar dhe institucional. Një rrugë që dëshiron ta konsiderojë takimin e sotëm si pikë mbërritjeje, por mbi të gjitha, si rinisje për një rrugë krijuese dhe të përhershme, sepse - siç e ritheksojnë përfaqësuesit e këtij korali që gjendet përballë Françeskut - paqja ose i përket të gjithëve - ose nuk i përket askujt.bNjerëzit, shoqatat dhe lëvizjet i përkasim botëve të ndryshme, por kanë një rrugë të hapur për të gjithë, për ndërtimin e paqes, drejtësisë dhe kujdesit për shtëpinë tonë të përbashkët.

 Arenën e Veronës
Arenën e Veronës

Përgjigje të Atit të Shenjtë në Takimin “Arena e Paqes”. “Drejtësia dhe Paqja do të puthen"

Pesë pyetje, e pesë përgjigje të Papës, drejtuar opinionit botëror: “Paqja duhet promovuar”“Paqja duhet përgatitur”; “Paqja duhet kujdesuar”; “Paqja duhet eksperimentuar”; “Paqja duhet organizuar” E, së fundi, një thirrje e fuqishme-video për nënat hebreje e palestineze! Po ndalemi tek tri pyetjet e para – dhe përgjigjet e tyre.

Pyetja e parë: Papa Françesku, jam Elda Baggio nga "Mjekët pa Kufij" së bashku me João Pedro Stédile, nga Brazili, që sjell me vete gjithë urtinë dhe përvojën e Lëvizjes të të patokëve. Edhe ne jemi të interesuar të ndërtojmë paqen dhe besojmë se hapi i parë është të marrësh anën e viktimave, t’i dëgjosh, t’i lësh të flasin për veten e tyre dhe t’u dëgjohet zëri . Përjetimi i gjithë këtyre na e çarmatos zemrën, pamjen, mendjen dhe i bën të dukshme padrejtësitë që vijojnë. Por nuk është hap i lehtë për t'u bërë: si mund ta jetojmë këtë shndërrim të perspektivës? Ku mund të kërkojmë ndihmë?

Përgjigjja e Papës:

Është Ungjilli që na thotë të marrim anën e të voglit, të ligshtit, të harruarit. Është Jezusi me gjestin e larjes së këmbëve që përmbys hierarkitë konvencionale. Është gjithnjë Ai që i thërret të vegjlit dhe të përjashtuarit dhe i vendos në qendër, i fton të jenë mes të tjerëve, ua paraqet të gjithëve si dëshmitarë të një ndryshimi të domosdoshëm dhe të mundshëm. Me veprimet e tij, Jezusi thyen konventat dhe paragjykimet, i bën të dukshëm njerëzit që shoqëria e kohës së tij i fshihte apo i përçmonte dhe këtë e bën pa dashur t'i zëvendësojë, pa i shfrytëzuar, pa i privuar nga zëri, historia, përvojat e tyre.

Siç keni shkruar në dokumentin e njërit prej grupeve tuaja të punës, për t'i dhënë fund çdo forme lufte dhe dhune, ne duhet të qëndrojmë përkrah të vegjëlve, të respektojmë dinjitetin e tyre, t'i dëgjojmë dhe të sigurohemi që zëri i tyre të dëgjohet pa u filtruar. Takohuni me të vegjlit, ndajeni dhimbjen e tyre. Qëndroni përkrah tyre kundër dhunës, që i shndërron në viktima, larg indiferencës dhe justifikimeve të saj.

Ja, kjo është kthesa, që e ndryshon jetën tonë dhe botën tonë. Një kthesë, që na shqetëson të gjithëve individualisht, por edhe si anëtarë të bashkësive, lëvizjeve, shoqatave të cilave u përkasim edhe si qytetarë. E ka të bëjë edhe me institucionet, të cilat nuk janë të jashtme për këtë proces konvertimi. Hapi i parë është të pranojmë se ne nuk jemi në qendër, as ne e as idetë dhe vizionet tona. E pastaj pranoni që stili ynë i jetesës të ndikohet dhe të ndryshohet në mënyrë të pashmangshme. Kur jemi pranë të vegjëlve jemi “të papërshtatshëm”. Ecja me ta na detyron të ndryshojmë ritmin, të rishikojmë atë që mbajmë në çantën e shpinës, të çlirohemi nga shumë pesha dhe rrecka dhe të krijojmë vend për gjëra të reja. Pra, është e rëndësishme që të gjithë ta përjetojmë këtë jo si humbje, por si  pasurim, si krasitje të mençur, e cila heq çka është e pajetë dhe rrit atë që premton”…

Papa në Arenën e Veronës
Papa në Arenën e Veronës

Një çast nga fjalimi i Françeskut në Arenën e Veronës

Diskutohet për paqen që duhet përgatitur, në shkëmbinin e pyetje-përgjigjes së dytë, për të vijuar, në të tretën, për kërkimin e thesarit më të çmuar të njeriut e të njerëzimit: paqen! Në vijim, shkëmbimi i pyetje-përgjigjes së tretë.

Paqja duhet kujdesur

Pyetje: Papa Françesku, unë jam Annamaria Panarotto e nënave No-PFAS të Vicenza-s, një grup prindërish të cilët luftojnë kundër ndotjes së ujit që vret fëmijët e tyre. Jam këtu me Vanessa Nakate, një kujdestare e re dhe e guximshme e shtëpisë së përbashkët, nga Uganda. Paqja bëhet së bashku. Nuk mund të ketë paqe mes qenieve njerëzore nëse burrat dhe gratë nuk bëjnë paqe me Krijimin. Ndërtimi i marrëdhënieve të drejtësisë ndërmjet të gjitha gjallesave kërkon kohë. Si mund të gjindet në këtë epokë që karakterizohet nga shpejtësia e nxitimi?

Përgjigjja e Papës:  

Në shoqërinë tonë ne e përjetojmë këtë tension: nga njëra anë, gjithçka na shtyn të veprojmë shpejt, jemi mësuar të kërkojmë menjëherë përgjigje për kërkesat tona dhe bëhemi të paduruar nëse ka ndonjë vonesë. Revolucioni dixhital i viteve të fundit na krijoi mundësinë të jemi vazhdimisht të lidhur, të komunikojmë lehtësisht me njerëz që janë shumë të largët, të mund të kryejmë punën tonë nga distanca. Duhet të kemi më shumë kohë në dispozicion, por përkundrazi e kuptojmë se jemi gjithmonë në telashe, duke ndjekur urgjencën e minutës së fundit. Nga ana tjetër, ne mendojmë se e gjithë kjo nuk është e natyrshme. Në shoqërinë tonë ka një ajër të lodhur, shumë nuk mund të gjejnë arsye për të vazhduar me aktivitetet e tyre të përditshme, të rënduar nga ndjenja se janë gjithmonë jashtë kohës, si të bllokuar në përsëritjen e asaj që bëjnë, sepse nuk kanë as forca, as kohë për t’i vënë në dyshim ritmet dhe metodat e veprimit. Ndonjëherë duhet të dimë të ngadalësojmë, të mos e lëmë veten të mbytemi nga aktivitetet dhe të krijojmë vend brenda vetes për veprimin e Zotit. "Ngadalëso!" mund të tingëllojë si fjalë e pavend, por në realitet është ftesë për të rikalibruar pritshmëritë dhe veprimet tona duke adoptuar një horizont më të thellë dhe më të gjerë. Ai përfshin shpërthimin e një "revolucioni" në kuptimin astronomik të fjalës: lëvizjen e një trupi qiellor, që kthehet në pikën e fillimit. Revolucioni që duhet të arrihet është të njohim edhe një herë ekzistencën e ritmeve dhe kufijve të lidhur që janë të gdhendur në qenien tonë si burra dhe gra (shih Laudato si', 71). Njihini dhe respektojini ata me mençuri. Sfida e madhe me të cilën përballemi është të shkojmë kundër rrymës për t’i rizbuluar dhe për t’i ruajtur këto ritme natyrore. Për ta bërë këtë, është e rëndësishme të ndërtohen kontekstet në të cilat do të jetë e mundur të përjetohet e gjithë kjo, domethënë marrëdhëniet dhe vendet. Dhe nuk kemi pse të shpikim gjithçka nga e para, përkundrazi, në shumë kultura të tjera mund të gjejmë thesare mençurie dhe përvojash, të cilat mund t’i shfrytëzojmë.

Përqafimi me Maozin dhe Azizin
Përqafimi me Maozin dhe Azizin

Përqafimi me Maozin dhe Azizin: cili është qëllimi i luftës?

Jemi në kulmin prekës të gjithë këtij takimi: Papës Françesku i paraqitet një dëshmi e dyfishtë që vjen nga Lindja e Mesme, e përflakur nga lufta: Maoz Inon, nga Izraeli, prindërit e të cilit u vranë më 7 tetor dhe Aziz Sarah, palestinez, të cilit konflikti i rrëmbeu vëllain. Janë sipërmarrës dhe besojnë se "paqja është sipërmarrja më e madhe, që duhet arritur". Të shoqëruar nga Roberto Romano i grupit të punës për ekonominë, janë të gatshëm t'i kërkojnë Papës këshillën se si t'i ndihmojnë të rinjtë të jenë sipërmarrës të paqes, kur vendet e arsimit shpesh ndikohen nga paradigma teknokratike dhe kultura e fitimit me çdo kusht. Pyetja dhe përgjigja shoqërohen me një shtrëngim të fortë duarsh dhe më pas, me një përqafim të zgjatur, të thellë dhe të vërtetë trepalësh: ata të dy - me Papën Françesku. Duartrokitjet nënvizojnë kulmin e takimit. Papa e lë mënjanë tekstin sepse - nuk duhen shumë fjalë - thotë. E fton për meditim, në heshtje!

Të dy kanë humbur familjarët, familja është shpërbërë. Cili është qëllimi i luftës? Ju lutem, le të kemi pak hapësirë ​​heshtjeje. Nuk mund të flasësh shumë për këtë. Të gjithë luten dhe kanë një dëshirë të brendshme që të bëjnë diçka për t'i dhënë fund luftërave. Në heshtje, një çast. Të mendojmë për fëmijët në këtë luftë dhe në shumë luftëra. Çfarë të ardhme do të kenë? Më kujtohem fëmijët ukrainas, që vijnë në Romë. Ata nuk dinë të buzëqeshin, fëmijëve u humbet buzëqeshja. Të mendojmë për të moshuarit që punuan gjithë jetën për të çuar përpara këto dy vende dhe tani, disfata... një disfatë historike, disfatë për ne të gjithë. Të lutemi për paqe dhe t'u themi këtyre dy vëllezërve ta çojnë këtë dëshirë për të punuar për paqen  në gjirin e  popullit të tyre.

Papa Françesku në Arenën e Veronës
Papa Françesku në Arenën e Veronës

Pjesë nga fjala  e Atit të Shenjtë

Bota duhet të shikojë gratë, për të gjetur paqen. Dëshmitë e këtyre ndërtueseve të guximshme të urave ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve e vërtetojnë këtë.

Jam gjithnjë e më i bindur se “e ardhmja e njerëzimit nuk është vetëm në duart e liderëve të mëdhenj, fuqive të mëdha dhe elitave. Është mbi të gjitha në duart e njerëzve; në aftësinë e tyre për të organizuar veten dhe   në duart e atyre që e ujitin, me përvujtëri dhe bindje, këtë proces ndryshimi” (Fjalimi në Mbledhjen e Dytë Botërore të Lëvizjeve Popullore, Santa Cruz de la Sierra, 9 korrik 2015). Megjithatë, ju, endësit e dialogut në Tokën e Shenjtë, kërkoni nga liderët botërorë ta dëgjojnë zërin tuaj, t'ju përfshijnë në proceset e negociatave, në mënyrë që marrëveshjet të dalin nga realiteti dhe jo nga ideologjitë: ideologjitë nuk kanë këmbë për të ecur, nuk kanë duar për të shëruar plagët, nuk kanë sy për të parë vuajtjet e të tjerëve. Paqja bëhet me këmbët, duart dhe sytë e njerëzve të përfshirë. Paqja nuk do të jetë kurrë rezultat i mosbesimit, i mureve, i armëve të drejtuara  njëri-tjetrit. Shën Pali thotë: "Secili do të korrë atë që mbjell" (Gal 6:7). Ne nuk mbjellim vdekje, shkatërrim, frikë. Ne mbjellim shpresë! Kjo është ajo që po bëni edhe ju, në këtë Arenë të Paqes.

Mos u ndalni! Mos e humbisni guximin! Mos u bëni spektatorë të të ashtuquajturës luftë "e pashmangshme".

Siç thoshte ipeshkvi Tonino Bello: “Në këmbë, o ndërtues të paqes!”.

18 maj 2024, 14:21