Kërko

Papa përqafon një izraelit dhe një palestinez dhe denoncon "disfatën historike" të luftës

Këtë të shtunë, Papa Françesku përqafoi një izraelit dhe një palestinez që humbën të afërmit në një luftë të cilën, gjatë një vizite paqeje në qytetin italian të Veronës, e quajti "disfatë historike". Ne, popujt, shoqatat dhe lëvizjet që i përkasim botëve të ndryshme, kemi një rrugë të hapur për ndërtimin e paqes, drejtësisë dhe kujdesit për shtëpinë tonë të përbashkët.

R.SH. / Vatikan

Papa argjentinas mblodhi sot rreth 12.500 njerëz në amfiteatrin e famshëm romak Arena të Veronës, për një ngjarje kushtuar paqes në të cilën, ndërmjet temave të tjera, trajtoi çështjen e luftës në Rripin e Gazës dhe në Izrael pas sulmit islamik nga Hamasi, më 7 tetor.

Ndërmjet dëshmive të dëgjuara spikat rasti i izraelitit Maoz Inon, i cili humbi prindërit nga duart e Hamasit dhe ai i palestinezit Aziz Sarah, vëllai i të cilit u vra nga trupat izraelite. Të dy folën para Papës dhe deklaruan se ishin aty për shkak të "dhimbjes dhe vuajtjes" që provuan, gjë që e bëri turmën, e cila e ndiqte ngjarjen nga amfiteatri, të ngrihej dhe të duartrokiste, duke përfshirë edhe vetë Papën, pavarësisht nga vështirësia që ka për të lëvizur. Më pas Françesku i përqafoi të dy:

"Besoj se përballë vuajtjes së këtyre dy vëllezërve, që është vuajtja e dy popujve, nuk mund të thuhet asgjë. Ata patën guximin të përqafonin njëri-tjetrin dhe ky nuk është thjesht guxim, por kryesisht shembull i dëshirës për paqe. “Paqja është  projekt për të ardhmen, për ta përqafuar njëri-tjetrin”, ftoi. E më pas u kërkoi të pranishmëve të heshtin dhe të luten për paqe, veçanërisht për fëmijët dhe të moshuarit, jo vetëm në Tokën  Shenjte, por edhe në Ukrainë.

"Të mendojmë për të moshuarit, që punuan gjithë jetën për të bërë të përparojnë këto dy vende dhe tani vërejnë këtë disfatë, disfatë historike dhe për ne. të gjithë Të lutemi për paqen e që këta dy vëllezër të kenë edhe dëshirën e vullnetin të punojnë për paqen e popullit të tyre” - theksoi. E i ftoi të pranishmit të "mbjellin shpresën" dhe pohoi se "bindet gjithnjë e më shumë se e ardhmja e njerëzimit nuk është vetëm në duart e liderëve dhe fuqive të mëdha, por edhe në duart e njerëzve dhe të aftësisë së tyre për organizim" dhe " për ndryshim".

Marrëveshjet e paqes lindin nga realiteti, jo nga ideologjitë.

"Bota duhet të shikojë gratë, për të gjetur paqen. Dëshmitë e këtyre ndërtueseve të guximshme të urave ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve na bindin për këtë". Kështu foli Papa Françesku në fund të takimit në Arenën e Veronës, “Arena e Paqes - Drejtësia dhe Paqja do të puthen”. "Jam gjithnjë e më i bindur se e ardhmja e njerëzimit nuk është vetëm në duart e liderëve të mëdhenj, fuqive të mëdha dhe elitave. Ajo është mbi të gjitha në duart e njerëzve; në aftësinë e tyre për t'u organizuar dhe gjithashtu në duart e tyre që e vadisin, me përvujtëri dhe bindje, këtë proces ndryshimi” - u shpreh Papa.

“Megjithatë ju, endësit e dialogut në Tokën e Shenjtë, kërkoni nga liderët botërorë ta dëgjojnë zërin tuaj, t'ju përfshijnë në proceset e bisedimeve, në mënyrë që marrëveshjet të dalin nga realiteti dhe jo nga ideologjitë: ideologjitë nuk kanë këmbë për të ecur, nuk kanë duar për të shëruar plagët, nuk kanë sy për të parë vuajtjet e të tjerëve, paqja bëhet me këmbët, duart dhe sytë e njerëzve të përfshirë”, përfundoi Françesku.

Gjatë takimit të mbajtur paradite në amfieatrit romak të Veronës, Arena, pesë pyetje, e pesë përgjigje të Papës, drejtuar opinionit botëror: “Paqja duhet promovuar”“Paqja duhet përgatitur”; “Paqja duhet kujdesuar”; “Paqja duhet eksperimentuar”; “Paqja duhet organizuar” E, së fundi, një thirrje e fuqishme- video për nënat hebreje e palestineze!  Po ndalemi tek tri pyetjet e para – dhe përgjigjet e tyre.

Pyetja e parë: Papa Françesku, jam Elda Baggio nga "Mjekët pa Kufij" së bashku me João Pedro Stédile, nga Brazili, që sjell me vete gjithë urtinë dhe përvojën e Lëvizjes të të patokëve. Edhe ne jemi të interesuar të ndërtojmë paqen dhe besojmë se hapi i parë është të marrësh anën e viktimave, t’i dëgjosh, t’i lësh të flasin për veten e tyre dhe t’u dëgjohet zëri . Përjetimi i gjithë këtyre na e çarmatos zemrën, pamjen, mendjen dhe i bën të dukshme padrejtësitë që vijojnë. Por nuk është hap i lehtë për t'u bërë: si mund ta jetojmë këtë shndërrim të perspektivës? Ku mund të kërkojmë ndihmë?

Përgjigjja e Papës:

Është Ungjilli që na thotë të marrim anën e të voglit, të ligshtit, të harruarit. Është Jezusi me gjestin e larjes së këmbëve që përmbys hierarkitë konvencionale. Është gjithnjë Ai që i thërret të vegjlit dhe të përjashtuarit dhe i vendos në qendër, i fton të jenë mes të tjerëve, ua paraqet të gjithëve si dëshmitarë të një ndryshimi të domosdoshëm dhe të mundshëm. Me veprimet e tij, Jezusi thyen konventat dhe paragjykimet, i bën të dukshëm njerëzit që shoqëria e kohës së tij i fshihte apo i përçmonte dhe këtë e bën pa dashur t'i zëvendësojë, pa i shfrytëzuar, pa i privuar nga zëri, historia, përvojat e tyre.

Siç keni shkruar në dokumentin e njërit prej grupeve tuaja të punës, për t'i dhënë fund çdo forme lufte dhe dhune, ne duhet të qëndrojmë përkrah të vegjëlve, të respektojmë dinjitetin e tyre, t'i dëgjojmë dhe të sigurohemi që zëri i tyre të dëgjohet pa u filtruar. Takohuni me të vegjlit, ndajeni dhimbjen e tyre. Qëndroni përkrah tyre kundër dhunës, që i shndërron në viktima, larg indiferencës dhe justifikimeve të saj.

Ja, kjo është kthesa, që e ndryshon jetën tonë dhe botën tonë. Një kthesë, që na shqetëson të gjithëve individualisht, por edhe si anëtarë të bashkësive, lëvizjeve, shoqatave të cilave u përkasim edhe si qytetarë. E ka të bëjë edhe me institucionet, të cilat nuk janë të jashtme për këtë proces konvertimi. Hapi i parë është të pranojmë se ne nuk jemi në qendër, as ne e as idetë dhe vizionet tona. E pastaj pranoni që stili ynë i jetesës të ndikohet dhe të ndryshohet në mënyrë të pashmangshme. Kur jemi pranë të vegjëlve jemi “të papërshtatshëm”. Ecja me ta na detyron të ndryshojmë ritmin, të rishikojmë atë që mbajmë në çantën e shpinës, të çlirohemi nga shumë pesha dhe rrecka dhe të krijojmë vend për gjëra të reja. Pra, është e rëndësishme që të gjithë ta përjetojmë këtë jo si një humbje, por si  pasurim, si krasitje të mençur, e cila heq çka është e pajetë dhe rrit atë që premton”…

Diskutohet për paqen që duhet përgatitur, në shkëmbinin e pyetje-përgjigjes së dytë, për të vijuar, në të tretën, për kërkimin e thesarit më të çmuar të njeriut e të njerëzimit: paqen! Në vijim, shkëmbimi i pyetje-përgjigjes së tretë.

3. Paqja duhet kujdesur

Pyetje: Papa Françesku, unë jam Annamaria Panarotto e nënave No-PFAS të Vicenza-s, një grup prindërish të cilët luftojnë kundër ndotjes së ujit që vret fëmijët e tyre. Jam këtu me Vanessa Nakate, një kujdestare e re dhe e guximshme e shtëpisë së përbashkët, nga Uganda. Paqja bëhet së bashku. Nuk mund të ketë paqe mes qenieve njerëzore nëse burrat dhe gratë nuk bëjnë paqe me Krijimin. Ndërtimi i marrëdhënieve të drejtësisë ndërmjet të gjitha gjallesave kërkon kohë. Si mund të gjindet në këtë epokë që karakterizohet nga shpejtësia e nxitimi?

Përgjigjja e Papës:  

Në shoqërinë tonë ne e përjetojmë këtë tension: nga njëra anë, gjithçka na shtyn të veprojmë shpejt, jemi mësuar të kërkojmë menjëherë përgjigje për kërkesat tona dhe bëhemi të paduruar nëse ka ndonjë vonesë. Revolucioni dixhital i viteve të fundit na krijoi mundësinë të jemi vazhdimisht të lidhur, të komunikojmë lehtësisht me njerëz që janë shumë të largët, të mund të kryejmë punën tonë nga distanca. Duhet të kemi më shumë kohë në dispozicion, por përkundrazi e kuptojmë se jemi gjithmonë në telashe, duke ndjekur urgjencën e minutës së fundit. Nga ana tjetër, ne mendojmë se e gjithë kjo nuk është e natyrshme.

Në shoqërinë tonë ka një ajër të lodhur, shumë nuk mund të gjejnë arsye për të vazhduar me aktivitetet e tyre të përditshme, të rënduar nga ndjenja se janë gjithmonë jashtë kohës, si të bllokuar në përsëritjen e asaj që bëjnë, sepse nuk kanë as forca, as kohë për t’i vënë në dyshim ritmet dhe metodat e veprimit. Ndonjëherë duhet të dimë të ngadalësojmë, të mos e lëmë veten të mbytemi nga aktivitetet dhe të krijojmë vend brenda vetes për veprimin e Zotit. "Ngadalëso!" mund të tingëllojë si një fjalë e pavend, por në realitet është ftesë për të rikalibruar pritshmëritë dhe veprimet tona duke adoptuar një horizont më të thellë dhe më të gjerë. Ai përfshin shpërthimin e një "revolucioni" në kuptimin astronomik të fjalës: lëvizjen e një trupi qiellor, që kthehet në pikën e fillimit.

Revolucioni që duhet të arrihet është të njohim edhe një herë ekzistencën e ritmeve dhe kufijve të lidhur që janë të gdhendur në qenien tonë si burra dhe gra (shih Laudato si', 71). Njihini dhe respektojini ata me mençuri. Sfida e madhe me të cilën përballemi është të shkojmë kundër rrymës për t’i rizbuluar dhe për t’i ruajtur këto ritme natyrore. Për ta bërë këtë, është e rëndësishme të ndërtohen kontekstet në të cilat do të jetë e mundur të përjetohet e gjithë kjo, domethënë marrëdhëniet dhe vendet. Dhe nuk kemi pse të shpikim gjithçka nga e para, përkundrazi, në shumë kultura të tjera mund të gjejmë thesare mençurie dhe përvojash, të cilat mund t’i shfrytëzojmë.

Video thirrje e nënave hebreje dhe palestineze

Fjala përfundimtare e Atit të Shenjtë

Bota duhet të shikojë gratë, për të gjetur paqen. Dëshmitë e këtyre ndërtueseve të guximshme të urave ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve e vërtetojnë këtë.

Jam gjithnjë e më i bindur se “e ardhmja e njerëzimit nuk është vetëm në duart e liderëve të mëdhenj, fuqive të mëdha dhe elitave. Është mbi të gjitha në duart e njerëzve; në aftësinë e tyre për të organizuar veten dhe në duart e atyre që e ujitin, me përvujtëri dhe bindje, këtë proces ndryshimi” (Fjalimi në Mbledhjen e Dytë Botërore të Lëvizjeve Popullore, Santa Cruz de la Sierra, 9 korrik 2015). Megjithatë, ju, endësit e dialogut në Tokën e Shenjtë, kërkoni nga liderët botërorë ta dëgjojnë zërin tuaj, t'ju përfshijnë në proceset e negociatave, në mënyrë që marrëveshjet të dalin nga realiteti dhe jo nga ideologjitë: ideologjitë nuk kanë këmbë për të ecur, nuk kanë duar për të shëruar plagët, nuk kanë sy për të parë vuajtjet e të tjerëve. Paqja bëhet me këmbët, duart dhe sytë e njerëzve të përfshirë. Paqja nuk do të jetë kurrë rezultat i mosbesimit, i mureve, i armëve të drejtuara  njëri-tjetrit. Shën Pali thotë: "Secili do të korrë atë që mbjell" (Gal 6:7). Ne nuk mbjellim vdekje, shkatërrim, frikë. Ne mbjellim shpresë! Kjo është ajo që po bëni edhe ju, në këtë Arenë të Paqes.

Mos u ndalni! Mos e humbisni guximin! Mos u bëni spektatorë të të ashtuquajturës luftë "e pashmangshme".

Siç thoshte ipeshkvi Tonino Bello: “Në këmbë, o ndërtues të paqes!”.

 

18 maj 2024, 13:10