Përmbytje në shtetin brazilian të Rio Grande do Sul Përmbytje në shtetin brazilian të Rio Grande do Sul 

Përmbytjet në Brazil, Imzot Spengler: solidariteti i Papës në një telefonatë

Françesku i shprehu Kryeipeshkvit të Porto Alegre dhe Kryetarit të Konferencës Kombëtare të Ipeshkvijve të vendit, afërsinë e tij me njerëzit që vuajnë nga shirat me rrëshekë në shtetin Rio Grande do Sul, ku deri tani janë regjistruar 137 të vdekur dhe mbi 600 mijë të shpërngulur

R. SH. - Vatikan

Viktimat e shirave të dendura që kanë goditur Brazilin jugor nga fundi i prillit, arritën në 137 të vdekur. Numri i të shpërngulurve kaloi mbi 600 mijë. Situata më dramatike është shënuar në shtetin Rio Grande do Sul, në kufirin mes Argjentinës dhe Uruguait, ku  reshjet vijojnë furishëm që nga dita e djeshme dhe ku, sipas shërbimit meteorologjik të Institutit Kombëtar të Meteorologjisë në vend, pritet që në vijim të shtohen erërat dhe niveli i ujit.

Solidariteti i Papës

Të gjithë ata që po vuajnë në këto orë nga kjo katastrofë, e cila prek veçanërisht shtresat më të varfra të popullsisë, e ndjenë fort afërsinë e Papës shprehur mëngjesin e djeshëm, të shtunën 11 maj, në një telefonatë me kryeipeshkvin e Porto Alegre dhe kreun e Konferencës Kombëtare të Ipeshkvijve të Brazilit, Imzot Jaime Spengler. Kryeipeshkvi, i cili shprehu emocionin e tij për gjestin atëror të Françeskut, foli edhe për habinë që i shkaktoi telefonata, gjatë së cilës Papa shprehu fjalë ngushëllimi për popullsinë e Rio Grande do Sul:

“Shpreh solidaritetin tim - tha Papa - për të gjithë ata që po e vuajnë këtë katastrofë. Jam pranë jush dhe lutem për ju”.

Ndihma konkrete e Françeskut

Papa e pati shprehur solidaritetin e tij për njerëzit e prekur nga shirat e dendura edhe në fund të Mbretëreshës Qiellore, të dielën, më 5 maj. “Dua t'ju siguroj - u ​​tha - se lutem për popullsinë e shtetit të Rio Grande do Sul, në Brazil, i cili është goditur nga përmbytjet e mëdha. Zoti i mirëpritët të vdekurit, i ngushëlloftë familjet e tyre si dhe ata që u detyruan të lënë shtëpitë e veta".

Afërsi, kjo, e cila më pas u shndërrua në ndihmë konkrete, siç e vërtetoi imzot Spengler. Më 9 maj, Nunciatura Apostolike në Brazil njoftoi se Ati i Shenjtë caktoi një shumë të konsiderueshme, nëpërmjet Bamirësisë Apostolike, për të ndihmuar të pastrehët. Shuma, afërsisht 100,000 euro, do t’i dorëzohet Rajonit Jugor 3 të Konferencës Kombëtare të Ipeshkvijve të Brazilit, e cila mbulon të gjithë Rio Grande do Sul. Shuma e dhuruar, në monedhën vendase të Brazilit, i kalon 500,000 reai, burim që do të jetë  ndihmë e madhe për popullsinë e Rio Grande do Sul.

12 maj 2024, 12:44