Papa Benedikti XVI Papa Benedikti XVI

Ratzinger e dallimi midis të mbinatyrshmes dhe fryteve shpirtërore

Në intervistën e librit me Vittorio Messori “Raport mbi Fenë”, Benedikti XVI i ardhshëm foli për kriteret për të gjykuar fenomenet e supozuara të mbinatyrshme. Të njëjtat fenomene janë trajtuar tani në dokumentin e ri të Dikasterit të Vatikanit për Doktrinën e Fesë

R.SH. / Vatikan

"Ndani aspektin e "mbinatyrshmërisë" së vërtetë ose të supozuar të shfaqjes nga ajo e fryteve të saj shpirtërore. Kardinali Joseph Ratzinger, asokohe prefekt i Kongregatës të Vatikanit për Doktrinën e Fesë, u shpreh me këto fjalë, duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarit dhe shkrimtarit italian Vittorio Messori. Dialogu është raportuar në veprën bestseller "Raport mbi Fenë" (1985).

Nga autorizimi a miratimi deri në gjykimin negativ: ka 6 vota të ndryshme për të shyrtuar a shoshitur rastet e përfshira në dokumentin e Dikasterit të Vatikanit për Doktrinën e Fesë miratuar nga Papa.

Para së gjithash, Benedikti XVI i ardhshëm tha: «Asnjë shfaqje nuk është e domosdoshme për fenë e krishterë, Zbulesa e Zotit përfundoi me Jezu Krishtin. Ai vetë është Shpallja. Por sigurisht që nuk mund ta pengojmë Zotin që t'i flasë kohës sonë, nëpërmjet njerëzve të thjeshtë e gjithashtu edhe nëpërmjet shenjave të jashtëzakonshme që denoncojnë pamjaftueshmërinë e kulturave që na dominojnë, të maskuara me racionalizëm dhe pozitivizëm. Shfaqjet e mbinatyrshme që Kisha ka miratuar zyrtarisht... kanë vendin e tyre të saktë në zhvillimin e jetës së Kishës në shekullin e kaluar. Ato tregojnë, ndër të tjera, se Zbulesa Hyjnore – pavarësisht se është unike, e përfunduar dhe për rrjedhojë e pakapërcyeshme – nuk është një gjë e vdekur, është e gjallë, jetike. Në fund të fundit... një nga shenjat e kohës sonë është se në botë po shumohen sinjalizimet mbi "shfaqjet Mariane"...".

Një koment mbi rregullat e reja mbi fenomenet e supozuara të mbinatyrshme

Dhe më pas kardinali Ratzinger vazhdonte: «Një nga kriteret tona është të ndajmë aspektin e "mbinatyrshmërisë" së vërtetë ose të supozuar të shfaqjes nga ajo e fryteve të saj shpirtërore. Shtegtimet e krishterimit të lashtë orientoheshin e shkonin drejt vendeve për të cilat shpirti ynë kritik modern ndonjëherë do të hutohej në lidhje me "të vërtetën shkencore" të traditës së lidhur me to. Kjo nuk e zvogëlon faktin se ato shtegtime ishin të frytshme, të dobishme dhe të rëndësishme për jetën e popullit të krishterë. Çështja nuk është aq e hiperkriticizmit modern (i cili përfundon, ndër të tjera, në një formë besimi të ri), por ajo e vlerësimit të vitalitetit dhe ortodoksisë së jetës fetare që zhvillohet rreth këtyre vendeve”.

17 maj 2024, 17:20