Takimi i Françeskut me fëmijët ukrainas dhe palestinezë, dëshmitarë të egërsisë së të rriturve

Në kuadër të Ditës së parë Botërore të Fëmijëve, Papa Françesku takohet me disa fëmijë palestinezë dhe ukrainas në Vatikan. Atë Marcin Schmidt, sekretar i përgjithshëm i Fondacionit Global 5P: shpresojmë të ndërtohet, sa më shpejt të jetë e mundur, një spital pediatrik në qytetin ukrainas të Lvivit dhe një klinikë në Palestinë.

R.SH. / Vatikan

Në prag të së dielës, kur kremtohet për herë të parë Dita Botërore e Fëmijëve, Papa Françesku kërkon në mënyrë të veçantë t'u kushtohet vëmendje të vegjëlve. Nuk mund të qëndrojmë indiferentë ndaj një bote, asaj të fëmijëve, të tronditur shpesh nga të drejtat e mohuara dhe të copëtuar nga luftërat, si në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, ku viktimat e para janë një mori fëmijësh të pafajshëm. Këtë nënvizon sekretari i përgjithshëm i Fondacionit Global 5P, Atë Marcin Schmidt në intervistën dhënë Luca Collodit të Radios sonë, pak para takimit të sotëm të Papës, në Vatikan, me fëmijët palestinezë dhe ukrainas, të prekur edhe nga trauma fizike dhe psikologjike, për shkak të këtyre konflikteve.

Fëmijë të lënduar dhe të tradhtuar nga të rriturit

Kjo e fëmijëve është një botë në të cilën plagët nuk shkaktohen vetëm nga armët e nga konfliktet. Këtyre tragjedive - kujton Atë Marcin Schmidt - duhet t'u shtojmë edhe plagë të tjera, që e trondisin jetën e përditshme të shumë të miturve: trafikimi i fëmijëve, përdorimi i tyre si mall tregu... Fenomene tragjike, të regjistruara në mbarë planetin dhe, veçanërisht, në rajone të ndryshme të Amerikës Latine dhe të Azisë. Faqe të tjera të neveritshme janë ato të shfrytëzimit seksual dhe të punës së detyruar. Të drejta të mohuara dhe të tradhtuara, mbi të cilat mbivendosen përgjegjësitë e rënda dhe të pajustifikueshme të të rriturve dhe të organizatave kriminale.

Një spital në Ukrainë dhe një klinikë në Palestinë

Atë Marcin Schmidt nënvizon se Fondacioni Global 5P është platformë ku "praktikat e mira" paraqiten në nivel lokal, për të dhënë përgjigje globale. Sinergji, që arrihen përmes krahasimit të përvojave mes mjekëve të përfshirë në frontet e luftës dhe shoqatave që mbrojnë të drejtat e fëmijëve. Një nga angazhimet kryesore të Fondacionit është të ndihmojë të miturit e lënduar gjatë konfliktit në Ukrainë. Shpresa, nënvizon Atë Marcin Schmidt, është që me rastin e kësaj Dite të parë Botërore të Fëmijëve të kemi edhe shenja konkrete. Një objektiv për t'u arritur është që një spital pediatrik të mund të ndërtohet sa më shpejt në qytetin ukrainas të Lvivit dhe një klinikë në Palestinë.

25 maj 2024, 14:09