Kërko

 Në Kopshtet e Vatikanit, dhjetë vjet më parë, Në Kopshtet e Vatikanit, dhjetë vjet më parë,  

Toka e Shenjtë: më 8 qershor Papa përkujton takimin e paqes me Peresin dhe Abbasin

Në Kopshtet e Vatikanit, takimi në të njëjtin vend ku saktësisht dhjetë vjet më parë, në vitin 2014, Papa u lut dhe mbolli një filiz ulliri me presidentin izraelit dhe atë palestinez, në prani të Patrikut Bartolomeu, në shenjë paqeje për Lindjen e Mesme. Tani, gjesti i ri simbolik, në një çast tensioni të fortë për shkak të luftës ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve

R. SH. - Vatikan

I njëjti vend, e njëjta datë, një skenar gjithsesi totalisht i shkatërruar dhe shkatërrues krahasuar me dhjetë vjet më parë. 8 qershorin e ardhshëm, të shtunën, në orën 9.30, Papa Françesku do të shkojë në Kopshtet e Vatikanit për të përkujtuar atë, që mbeti në kujtesë si një nga gjestet më domethënëse të paqes gjatë papnisë së tij, takimin me presidentin e ndjerë të Izraelit, Shimon Peres dhe presidentin e Shtetit të Palestinës, Mahmoud Abbas, në lutje të përbashkët për paqen në Lindjen e Mesme. Të pranishëm në këtë veprimtari, pas udhëtimit të Papës në Jeruzalem, ishin edhe Patriku Bartolomeu I si dhe një përfaqësues i të krishterëve, i hebrenjve dhe i myslimanëve nga Toka e Shenjtë, të cilët kishin ndjekur çastet e lutjes ndërfetare si dhe ceremoninë e mbjelljes së drurit të ullirit. E pikërisht në hapësirën ku u mboll pema, jo shumë larg selisë së Akademisë së Shkencave, përkujtimi i asaj ngjarjeje do të mbahet më 8 qershor - siç pohoi drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni - në këtë kohë të vështirë dhe shqetësuese për luftën ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve.

Guximi për paqen!

Një çast në të cilin fjalët e shqiptuara nga Françesku dhjetë vjet më parë janë me rëndësi profetike: “Po-respektimit të marrëveshjeve; jo- provokimeve. Të bësh paqe duhet guxim!”.

Pikërisht fjala "guxim" ishte ajo që u shqiptua më shpesh në fjalimin e tij para dy liderëve izraelitë dhe palestinezë, së bashku me të cilët Pasardhësi i Pjetrit i pati lartuar lutjen Zotit:

"Na ndihmo! Na jep paqe, na e mëso paqen, na udhëzo drejt paqes. Na hap sytë dhe zemrat tona dhe na jep guximin të themi: ‘Kurrë më luftë!’”.

Kjo u pasua nga përqafimet e fundit të Papës me Peresin, i cili pati deklaruar se "paqja kërkon flijime dhe kompromise" - si dhe me Abu Mazen, që bëri me forcë thirrje: "liri për shtetin e Palestinës!".

Abbas, Papa, Peres dhe Bartolomeo pas mbërritjes së tyre në Kopshtet e Vatikanit
Abbas, Papa, Peres dhe Bartolomeo pas mbërritjes së tyre në Kopshtet e Vatikanit

Lutjet e hebrenjve, të krishterëve dhe myslimanëve

Takimi, i dëshiruar shumë nga Papa Françesku u zhvillua në tri periudha, secila kushtuar lutjes nga tri bashkësitë fetare, sipas rendit kronologjik: lutja e hebrejve u lartua nga një rabin; e të krishterëve, nga Patriarku i atëhershëm Latin i Jeruzalemit, Fouad Twal, i cili lexoi fjalët e Shën Gjon Palit II; e myslimanëve ishte lutje për Allahun në arabisht. Kjo u pasua me shtrëngime duarsh, gjeste paqeje, fjalime nga Papa, nga Bartolomeu, nga dy presidentët, të pritur nga Jorge Mario Bergoglio në Santa Marta përpara ngjarjes publike.

Thirrje për paqe

Gjithë ato shpresa, që u ndezën atë ditë, u shuan disa javë më vonë me shpërthimin e një konflikti të ri, me bastisje, sulme dhe bombardime që, ndër të tjera, shkaktoi 100 mijë të shpërngulur. Më pas, në vitin 2015, u ndje edhe frika e një Intifade të re për shkak të një serie tjetër përplasjesh, të cilat u intensifikuan për shkak të dështimit të bisedimeve të reja të paqes dhe shkaktuan viktima të tjera.

E kështu, me kalimin e viteve, me çaste të alternuara tensioni dhe pushimi, deri më 7 tetor 2023, ditën në të cilën u rihap humnera, para së cilës një lutje korale bëhet urgjente, që paqja të kthehet në tokën e Jezusit.

Lutja në Kopshtet e Vatikanit, 8 qershor 2014
Lutja në Kopshtet e Vatikanit, 8 qershor 2014
31 maj 2024, 15:22