Kërko

Drejtoresha UNICEFIT Russell takon Papën: thirrje për paqen dhe mbrojtjen e fëmijëve

Kryetarja e OKB-së për fëmijët përfundoi dje një vizitë tri-ditore në Romë dhe mori pjesë në Ditën e parë Botërore të Fëmijëve në Vatikan. Më pas, takimi privat në Shën Martë me Françeskun, e shoqëruar nga dhjetë fëmijë: dy piktura dhuratë nga Republika Demokratike e Kongos.

R.SH. / Vatikan

Drejtoresha e Përgjithshme e UNICEF-it Catherine Russell përfundoi dje, 26 maj, një vizitë tri-ditore në Romë, ku u takua me Papën Françesku dhe kremtoi, së bashku me mijëra fëmijë, Ditën I Botërore të Fëmijëve, organizuar nga Vatikani për të ndihmuar në inkurajimin e veprimit global në emër të miliona fëmijëve, të prekur nga varfëria, konflikti dhe krizat klimatike. "Nuk është e lehtë të jesh fëmijë në botën e sotme.

Qindra miliona fëmijë vazhdojnë të humbasin jetën nga lufta e nga dhuna, nga varfëria dhe pabarazia, e edhe nga ndikimet e ndryshimeve klimatike, si thatësira, zjarret, stuhitë e forta dhe ndotja e ajrit” - pohoi Russell. - "Papa Françesku e ka tërhequr vëmendjen kundër globalizimit të indiferencës. E ne duhet t’i shndërrojmë indiferencën dhe përbuzjen për të drejtat dhe mirëqenien e fëmijëve, në globalizimin e paqes, të mirësisë dhe të kujdesit për çdo fëmijë, e kudo".

Takimi me Papën

Russell - njofton një notë e Unicef - ishte e pranishme me Papën Françesku dhe dhjetëra mijëra fëmijë nga e gjithë bota, duke përfshirë edhe vendet e shkatërruara nga lufta, së bashku me prindërit, prijësit vendas dhe qindra vullnetarë të Unicef-it, në stadiumin olimpik të Romës. Gjatë kësaj ngjarjeje të jashtzakonshme, e para e llojit, organizuar nga Dikasteri për Kulturë dhe Arsim i Selisë së Shenjtë, Russell i nxiti fëmijët e pranishëm në stadium dhe ata, që e ndiqnin ngjarjen nga të katër anët, të ndihmojnë në krijimin e një bote më paqësore, më të barabartë. Një botë në të cilën mund të jetohet pa uri e pa frikë nga  vdekja!

E shoqëruar nga dhjetë fëmijë, kryetarja e organizmit të  OKB-së, u takua me Papën Françesku privatisht në Shtëpinë e Shën Martës. Të pranishëm, edhe Atë Enzo Fortunato e Aldo Cagnoli, organizatorë të DBF. Russell dorëzoi dy piktura të fëmijëve nga Republika Demokratike e Kongos,  vendit të shkatërruar nga lufta, ku fëmijët janë viktima të dhunës dhe të mungesave të tmerrshme. Vend, që Papa dhe Russell e vizituan vitet e fundit.

Krijimi i një bote të përshtatshme për fëmijët

“Në çdo konflikt apo fatkeqësi, fëmijët janë gjithmonë të parët që vuajnë  e që vuajnë më shumë” - pohoi Russell. "Duhet të dëgjojmë zërat e fëmijëve dhe të krijojmë një botë të përshtatshme për çdo fëmijë. Nuk mund të vetëkënaqemi, kur fëmijët vriten, plagosen, jetojnë pa të ardhme". Siç njofton UNICEF, rreth 400 milionë fëmijë – ose rreth një në çdo pesë fëmijë – jetojnë ose ikin nga zonat e konfliktit, nga vende si Gaza, Haiti, Republika Demokratike e Kongos, Sudani, Ukraina dhe Jemeni. Në të njëjtën kohë, më shumë se 1 miliard fëmijë jetojnë aktualisht ndër vende   në "rrezik jashtëzakonisht të lartë" nga ndikimet e ndryshimeve klimatike.

Përshëndetje Presidentit Mattarella

Në ditën e parë të vizitës së saj në Itali, Russell u takua edhe me Presidentin e Republikës, Sergio Mattarella, për të diskutuar se si mund të mbrohen më mirë fëmijët në mbarë botën, duke përfshirë edhe ata, që jetojnë në emergjenca humanitare, si dhe fëmijët emigrantë e refugjatë.  

Me Russell ishte edhe aktivistja e re e Unicef-it, Hannah Imordi, tani 23 vjeçe, e cila foli për udhëtimin e saj të tmerrshëm nga Nigeria, në Itali, në moshën 17-vjeçare. Tani, përmes përvojës së saj, u jep forcë të tjerëve dhe përforcon zërat e fëmijëve të pashoqëruar, të rinjve emigrantë dhe refugjatë.

Vizita e Russell përkoi me aktivitetet e 50-vjetorit të mbledhjes së fondeve të Komitetit Kombëtar të Unicef-it në Itali, që festohet sivjet. Gjatë vizitës, Russell falënderoi qeverinë dhe popullin italian për mbështetjen e tyre në punën e këtij organizmi, në emër të fëmijëve të mbarë botës.

27 maj 2024, 14:30