Kërko

Vizita në Veronë - Arritja dhe takimi me meshtarët Vizita në Veronë - Arritja dhe takimi me meshtarët   (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Verona, Papa meshtarëve: falni gjithçka, rrëfimi nuk është torturë

Në fjalimin e parë të vizitës në Veronë, gjatë takimit me priftërinjtë dhe rregulltarët në Bazilikën e Shën Zenos, Françesku kujtoi kryesisht sakramentin e Pajtimit, me një tregues: nëse nuk jeni në gjendje të kuptoni çfarë thotë i penduari, duhet të shkoni përpara, " E ka kuptuar Zoti ". Ftesa për të përballuar rreziqe dhe guximi në shërbim të Ungjillit

R. SH. - Vatikan 

Takimi me priftërinjtë dhe rregulltarët, në Bazilikën e Shën Zenos, "një nga më të bukurat e Italisë, që frymëzoi poetë si Dante dhe Carducci", hapi vizitën baritore të Papës në Verona. Festa e madhe në qytet, e përshkruar edhe nga Shekspiri, filloi në prag të solemnitetit të Rrëshajëve, me zbarkimin në sheshin ngjitur me stadiumin Bentegodi në orën 7.55.

Papa u mirëprit nga ipeshkvi i Veronës, Imzot Domenico Pompili dhe nga autoritetet vendase, ndërmjet të cilëve edhe kryetari i bashkisë, Damiano Tommasi dhe presidenti i Rajonit të Venetos, Luca Zaia. Më pas, zhvendosja me makinë në Bazilikën e Shenjtit pajtor të qytetit të Veronës - ku Papën e prisnin 5500 njerëz përjashta - e 800 përbrenda – e ku mbajti fjalimin e parë të kësaj dite në Verona - dhe përqafimi me meshtarët, diakonët dhe rregulltarët. Reliket e Shën Zenos u zhvendosën nga kripta, në katin e sipërm, ku Papa u gjunjëzua në lutje.

Rrëfimi nuk duhet të jetë torturë

Papa Françesku, duke folur lirisht, u ndalua posaçrisht tek rëndësia e faljes në çastin e rrëfimit. Priftërinjve, shërbëtorë të sakramentit të pendesës, iu drejtua me fjalët: "Ju lutemi, falni gjithçka. Edhe nëse nuk jeni në gjendje të kuptoni atë që thotë i penduari, duhet të vazhdoni, sepse "Zoti e ka kuptuar". "Ju lutem - shtoi Françesku - mos i torturoni të penduarit".

Papa kujtoi sesi një kardinal, në një burg, kur një i burgosur "e kishte të vështirë të thoshte ca gjëra", i drejtohej të penduarit me këto fjalë: "Vazhdo, nuk e kuptoj, por Zoti e ka kuptuar". “Sakramenti i Rrëfimit - nënvizoi Papa - nuk duhet të jetë seancë torture”. "Ju lutemi, falni gjithçka". Priftërinjve Françesku u kërkoi "të falin, pa shkaktuar vuajtje, duke i hapur zemrat për shpresën". "Kisha - vërejti ai - ka nevojë për falje".

Pranojeni dhuratën që morët

Reflektimi i Françeskut u ndërthur më pas me fragmente ungjillore, veçanërisht me ato të Galilesë ku Jezusi "kalon përgjatë bregut të liqenit dhe ia ngul sytë një varke me dy vëllezër peshkatarë". Ai takim bëhet "hir i pastër", "dhuratë e papritur" sepse Jezusi "u afrohet dhe i thërret ta ndjekin".

Të mos e harrojmë këtë: në zanafillën e jetës së krishterë është përvoja e takimit me Zotin, e cila nuk varet nga meritat tona apo angazhimi ynë, por nga dashuria me të cilën Ai vjen të na kërkojë, duke trokitur në derën e zemrës sonë dhe duke na ftuar në marrëdhënie me Të. E edhe më shumë, në zanafillën e jetës meshtarake dhe të jetës rregulltare nuk jemi ne, dhuratat tona apo ndonjë meritë e veçantë, por thirrja befasuese e Zotit, vështrimi i tij i mëshirshëm që u përkul mbi ne dhe na zgjodhi për këtë shërbesë, edhe pse ne nuk jemi më të mirë se të tjerët. Është hir i pastër, falas, dhuratë e papritur që na hap zemrat për habinë përpara lavdisë së Perëndisë. Ne duhet ta kujtojmë thirrjen dhe të rrimë me Zotin.

Jini të guximshëm në mision

 Deti i Galilesë mbeti në sfondin e fjalimit të Papës Françesku në Bazilikën e San Zenos në Verona. Pas ringjalljes, kujtoi Papa, Jezusi "i takon përsëri dishepujt" por i gjen ata të zhgënjyer, të zemruar nga "ndjenja e disfatës" sepse kishin dalë për të peshkuar, por "atë natë nuk kishin kapur gjë prej gjëje". Jezusi i inkurajon të përpiqen përsëri, "ta hedhin rishtas rrjetën". Guximi është dhuratë që kjo Kishë e njeh mirë. Nëse kanë një karakteristikë të veçantë priftërinjtë dhe rregulltarët veronezë, është natyra e tyre, aftësia për nisma, për të mishëruar profecinë e Ungjillit. Nismë, që  përshkon gjithë historinë tuaj: mjafton të mendoni për gjurmën e lënë nga shumë priftërinj, rregulltarë e laikë në shekullin e nëntëmbëdhjetë, të cilët sot mund t'i nderojmë si shenjtorë dhe të lum. Dëshmitarë të besimit, që mundën të ndërthurin shpalljen e Fjalës me shërbimin bujar dhe të dhembshur ndaj nevojtarëve e me "krijimtari sociale", që çoi në lindjen e shkollave të formimit, të spitaleve, shtëpive të të moshuarve, strehimoreve dhe vendeve të përshpirtërisë.

Të ecim përpara me guxim

Pastaj Papa citoi fjalët "tejet aktuale" të Shën Zenos: "Shtëpitë tuaja janë të hapura për të gjithë udhëtarët, nën ju askush, as i gjallë e as i vdekur, nuk u pa për një kohë të gjatë lakuriq. Tani të varfërit tanë nuk e dinë çdo të thotë të lypësh një kafshatë bukë”. Qofshin të vërteta këto fjalë edhe për ju sot - uroi Françesku - e më pas u shprehu mirënjohjen atyre që nisën rrugën e apostullimit:

Faleminderit që ia dhuruat jetën tuaj Zotit dhe që u angazhuat në apostullim. Ecni përpara me guxim. Ne e kemi për detyrë të mirëpresim thirrjen e Zotit dhe të jemi të guximshëm në mision. Siç ka thënë një nga shenjtorët tuaj të mëdhenj, Daniele Comboni: «Të shenjtë dhe të aftë. […] Njëra pa tjetrën vlen pak për ata që ndjekin karrierën apostolike. Misionari e misionarja nuk mund të shkojnë vetëm në parajsë. Të vetëm shkojnë në ferr. Misionari duhet të shkojë në parajsë i shoqëruar nga shpirtra të shpëtuar.

18 maj 2024, 11:04