Al Gore, ish-zëvendëspresident i SHBA-së, u prit nga Papa në Santa Marta Al Gore, ish-zëvendëspresident i SHBA-së, u prit nga Papa në Santa Marta  (ANSA)

Al Gore tek Papa: shpejtojeni tranzicionin ekologjik

Ish-zëvendëspresidenti amerikan, i pritur dje pasdite, 28 qershor, në Shën Martë nga Françesku, vlerësoi enciklikën Laudato Sì dhe nxitjen apostolike Laudate Deum dhe e quajti Vatikanin "shembull tranzicioni ekologjik".

R. SH. - Vatikan

Në Romë për samitin treditor të shoqatës së tij Projekti i Realitetit të Klimës, ish-zëvendëspresidenti i SHBA-së Al Gore u prit pasditen e 28 qershorit nga Papa Françesku. Takimi u zhvillua privatisht në Shtëpinë e Shën Martës. Papa shoqërohej nga Atë Enzo Fortunato, koordinator i Ditës Botërore të Fëmijëve dhe zëvendësi i tij, Aldo Cagnoli; Al Gore shoqërohej nga drejtori i Green & Blue, Riccardo Luna.

Shqetësimi klimatik

Gore - informon një shënim - lavdëroi Papën për ndikimin që pati enciklika Laudato si' në Marrëveshjen e Parisit për klimën, më 2015 dhe për thirrjen e fundit apostolike Laudate Deum. Papa Françesku falënderoi Goren për "shqetësimin e klimës", gjithnjë në qendër të veprimtarisë së  tij politike.

Gore duke përmendur njoftimin e fundit të një mega centrali agrovoltaik në Santa Maria Galeria, pohoi se Vatikani është shembull i tranzicionit ekologjik edhe në praktikë.

Të shpejtohet tranzicioni ekologjik

Al Gore dhe Papa Françesku - vazhdon deklarata - ishin njëmendjeje për nevojën e shpejtimit të tranzicionit, pavarësisht nga rezistenca e kompanive të mëdha të karburanteve fosile dhe diskutuan format e mundshme të bashkëpunimit për një ndikim më të madh në opinionin publik.

Takimi me kardinalin Gambetti

Pas takimit me Papën, ish-zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara vizitoi Bazilikën e Shën Pjetrit dhe u takua me kryepriftin, kardinalin Mauro Gambetti.

“Al Gore u angazhua të japë kontributin e tij për Ditën e ardhshme Botërore të Fëmijëve, planifikuar për vitin 2026 dhe për fazën e rëndësishme të Jubileut 2025” - kujton drejtori i Komunikimeve të Bazilikës Papnore të Shën Pjetrit në Vatikan, Atë Enzo Fortunato.

30 qershor 2024, 11:10