Kërko

C9, vijon takimi i Këshillit të Kardinajve me Papën

Dita e dytë e punimeve të Këshillit të Kardinajve me Papën Françesku në këtë sesion qershori, e treta e vitit 2024. Mbledhja e fundit u mbajt në prill

R.SH. – Vatikan

Vijon edhe sot, 18 qershor, në Vatikan, mbledhja e C9-ës, Këshillit të Kardinajve themeluar nga Papa për ta ndihmuar në projektin reformues të Kuries Romake dhe në mbarështimin e Kishës. Ati i Shenjtë është i pranishëm në këtë takim të tretë të vitit 2024, pas atyre të shkurtit e të prillit.

Punimet e prillit

Në sesionin e fundit, në prill, punimet u përqendruan në zbatimin e kushtetutës apostolike “Praedicate evangelium” në Kuriet dioqezane, u fol për skenarët e luftës në anë të ndryshme të botës, "veçanërisht në Lindjen e Mesme dhe në Ukrainë" me urimin "që të shtohen përpjekjet, të cilat synojnë gjetjen e rrugëve për bisedime e paqe”. Gjithnjë gjatë mbledhjeve të mëparshme, anëtarët e Këshillit diskutuan për "rolin e gruas në Kishë" dhe dëgjuan reflektimet e dy grave, të murgeshës Regina da Costa Pedro dhe të profesoreshës Stella Morra.

C9 "e re"

Këshilli i Kardinajve, pas rinovimit të organizmit nga Papa më 7 mars 2023, përbëhet nga kardinajtë Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit; Fernando Vérgez Alzaga, president i Komisionit Papnor për Shtet-Qytetin e Vatikanit dhe i Guvernatoratit të tij; Fridolin Ambongo Besungu, kryeipeshkëv i Kinshasës; Osëald Gracias, kryeipeshkëv i Bombeit; Seán Patrick O'Malley, kryeipeshkëv i Bostonit; Juan José Omella Omella, kryeipeshkëv i Barcelonës; Gérald Lacroix, kryeipeshkëv i Kebekut; Jean-Claude Hollerich, kryeipeshkëv i Luksemburgut; Sérgio da Rocha, kryeipeshkëv i San Salvador de Bahia. Sekretari është imzot Marco Mellino, ipeshkëv titullar i Cresima-s. Takimi i parë i C9-s së re u zhvillua më 24 prill.

Themelimi i Këshillit të Kardinajve

Këshilli u themelua nga Papa Françesku me kirografin e 28 shtatorit 2013, me detyrën për ta ndihmuar atë në mbarështimin e Kishës universale dhe për të studiuar një projekt reformash për Kurien Romake, gjë që u vu në jetë me kushtetutën e re apostolike “Praedicate Evangelium”, botuar më 19 mars 2022. Takimi i parë i C9-s u mbajt më 1 tetor 2013.

18 qershor 2024, 12:51