Kërko

Don Gjon Gazulli, meshtar e Át Luigi Paliqi nga Urdhri i Fretërve të Vegjël Don Gjon Gazulli, meshtar e Át Luigi Paliqi nga Urdhri i Fretërve të Vegjël

Do të lumnohen dy meshtarë shqiptarë, vrarë nga urrejtja për fenë

Gjatë audiencës së paradites me kardinalin Semeraro, prefekt i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve, Papa autorizoi shpalljen e dekreteve lidhur me martirizimin e Át LuigjiPaliqit, të Urdhrit të Fretërve të Vegjël dhe të don Gjon Gazullit, si edhe ato për njohjen e virtyteve heroike të tre rregulltarëve e të një gruaje, që i përkiste një instituti shekullar

R.SH. – Vatikan

Lajm i mirë për Kishën Katolike kudo në trevat shqiptare. Dy meshtarë, vrarë nga urrejtja për fenë, gjatë shekullit të kaluar do të shpallen të lum. Është fjala për Át Luigi Paliqin nga Urdhri i Fretërve të Vegjël, arrestuar, rrahur, torturuar dhe vrarë nga ushtarët malazezë, sepse iu kundërvu abuzimeve kundër popullsisë dhe fushatës së kthimeve të detyruara në ortodoksi për katolikët dhe myslimanët malazezë; si edhe për don Gjon Gazullin, prift dioqezan, dënuar duke marrë për bazë akuza të rreme dhe varur, sepse veprimtaria e tij konsiderohej nga qeveria e kohës si pengesë për realizimin i planit të bashkimit të popullsisë që, për qëllime politike, duhej të çlirohej nga përkatësia fetare. Gjatë audiencës së paradites me kardinalin Semeraro, prefekt i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve, Papa autorizoi shpalljen e dekreteve lidhur me martirizimin e tyre, si edhe ato për njohjen e virtyteve heroike të tre rregulltarëve e të një gruaje, që i përkiste një instituti shekullar.

Rregulltar, besnik ndaj misionit të tij

Luigj Paliqi lindi në Janjevë të Kosovës, më 20 shkurt 1877. U rrit në një familje shumë fetare, aq sa edhe dy nga vëllezërit e tij zgjodhën t'i kushtoheshin Zotit. Vetë Luigji kërkoi të pranohej në Urdhrin e Fretërve të vegjël, në Cortemaggiore të Italisë, ku në vitin 1901 shugurohet meshtar. Dërgohet të kryejë shërbimin e tij ndërmjet shqiptarëve e më 1907 emërohet Rektor i kuvendit françeskan të Gjakovës, ndërsa, më 1912, bëhet bashkëpunëtor në famullinë e Pejës, territor, i cili pas Luftës I Ballkanike, ishte pushtuar nga malazezët, aleatë të serbëve. Ata nisin një politikë jashtëzakonisht shtypëse kundër popullsisë shqiptare, duke i detyruar katolikët dhe myslimanët të ktheheshin në ortodoksë. Át Paliqi i mbron të dyja palët dhe i nxit t'u qëndrojnë besnikë besimeve të tyre fetare. I vetëdijshëm për rreziqet me të cilat përballet, mbetet në postin e tij dhe vazhdon të ushtrojë shërbimin meshtarak, duke i qëndruar besnik misionit. Autoritetet malazeze dhanë urdhër të arrestohej më 4 mars 1913. Në burg, françeskani u rrah dhe torturua deri më 7 mars, kur para se t'i nënshtrohej gjyqit, i zhveshur nga rrobet e rregulltarit, u vra nga ushtarët.

Meshtar i guximshëm

Ndërkaq, Gjon Gazulli është me origjinë nga një fshat i vogël afër Shkodrës, nga Dajçi i Zadrimës, në Shqipëri. Lindur më 26 mars 1893, u shugurua meshtar dioqezan më 1919. Famullitar në Gjadër, Qelez të Pukës dhe Koman, kudo ku shkon fiton dashurinë e popullsisë, së cilës i ofron ndihmë dhe inkurajim. Pasi hapi një shkollë në famulli për mësimin e fesë katolike, mbahej nën kontroll nga qeveria për gjoja veprimtarinë e pengimit të arsimimit të përbashkët të myslimanëve dhe të krishterëve. Autoritetet politike e shikonin me dyshim, për shkak të ndikimit të fortë ndër vendasit dhe te famullitarët e tjerë, në nivelin moral dhe fetar.

Ndërsa shumë meshtarë largoheshin nga Shqipëria, duke iu nënshtruar regjimit të vendosur nga presidenti i Republikës Ahmet Zogu, don Gazulli qëndron në mesin e grigjës, që i ishte besuar. Arrestohet më 28 dhjetor 1926 dhe i nënshtrohet një gjyqi të rremë, që e dënon me akuza të pabaza. U var nga Ahmet Zogu, pasi kundërshtoi marrëveshjen e tij me serbët për të ashtuquajturin “bashkim personal të Shqipërisë me Jugosllavinë”. Ai që hapi shkollën e parë të përzier djem-vajza, myslimanë e të krishterë, deputeti i opozitës kundër Zogut, u akuzua se kishte organizuar kryengritjen e kishte shpërndarë armë nëpër male e madje, edhe se kishte prerë telin e telefonit!? Varet në shesh në Shkodër më 5 mars 1927.

Të Lumët e tjerë

Dekretet e tjera të autorizuara sot nga Papa kanë të bëjnë me virtytet heroike të katër shërbëtorëve të Zotit: Isaiah Columbro, françeskan i Urdhrit të Fretërve të Vegjël; Maria Costanza Zauli, themeluese e Shërbëtoreve Adhuruese të të Shenjtnueshmit Sakrament; Ascensión Sacramento Sánchez Sánchez, nga Instituti Shekullar Cruzada Evangélica; Vincenza Guilarte Alonso, murgeshë e Kongregatës së Bijave të Jezusit.

Në gjurmët e Shën Piut nga Pietrelçina

Nga një familje bujqish e një ambient shumë fetar, Isaia Columbro, në shekull Nicola Antonio Maria, u lind më 11 shkurt 1908 në Foglianise, Itali. Pasi hyri në Urdhrin e Fretërve të vegjël, u shugurua meshtar më 25 korrik 1931, duke marrë përsipër detyra të ndryshme. E njihte personalisht Shën Piun e Pietrelçinës dhe ndoqi këshillat e shembullin e tij. Njeri i përvuajtur, shquhet për ndihmën shpirtërore e materiale, që u jep të tjerëve. Besimtarët mbajnë radhën për ta takuar, për të folur, për t’i kërkuar lutje e bekime, sidomos Sakramentin e Pendesës. Tregohet veçanërisht i afërt me popullsinë e Irpinies, goditur nga tërmeti shkatërrimtar i vitit 1980. Vdiq më 23 korrik 2004 nga probleme shëndetësore. Reputacioni për shenjtëri i atij, që quhej “frati i mikpritjes”, u përhap menjëherë pas vdekjes.

Jetë e kaluar në lutje

Qyteti i Faenza-s, në Itali, është vendlindja e Maria Costanza Zaulit, e cila pa dritën e kësaj bote më 17 prill 1886 e në moshën 19-vjeçare, hyri në Kongregatën e "Shërbëtoreve të Zemrës së Krishtit" në Bolonjë. Gjatë Luftës I Botërore ishte infermiere në spitalin ushtarak të Bolonjës, ndërsa në vitin 1916, u sëmur rëndë e shpesh, gjë që e detyroi, duke filluar nga viti 1923, të qëndrojë e shtrirë në shtrat për vite me radhë. Pikërisht në këtë periudhë, mendon të themelojë një bashkësi të re fetare kundruese, kushtuar adhurimit të vazhdueshëm të të Shenjtnueshmit Sakrament. Pasi mori autorizimet e nevojshme, më 3 gusht 1933, ditën e përurimit të kuvendit të parë, motër Kostanca u shërua mrekullisht dhe u ngrit nga shtrati. Kongregata e Shërbëtoreve Adhuruese të të Shenjtnueshmit Sakrament u themelua kanonikisht në vitin 1935. Motër Kostanca e kaloi pjesën tjetër të jetës në kuvendin e Bolonjës, ku ndërroi jetë më 28 prill 1954.

Një grua krah grave

E shtata ndër dhjetë fëmijë, Ascensión Sacramento Sánchez Sánchez u lind më 15 qershor 1911 në Sonseca, Spanjë, në një familje të pasur dhe shumë fetare. Jeta e saj ndryshoi rreth moshës tetëmbëdhjetëvjeçare, pasi lexoi jetën e Shën Terezës së Krishtit Fëmijë, shembulli i së cilës e bëri t’i kushtohet veçanërisht Veprimit Katolik. Më vonë, në Santander, njihet me don Doroteo Hernández Vera, i cili, përballë përhapjes së urrejtjes fetare, më 8 dhjetor 1937, themeloi Veprën fetare Cruzada evangelica. Ascensión mbështet priftin në apostollimin në burgje. Iu kërkua të bashkëpunonte në administrimin e një shtëpie që, në Madrid, do të priste për një vit gratë e liruara nga burgu. Në vitin 1946, Ascensión u sëmur nga tifo, pasi kishte bërë kushtet e fundit rregulltare. Vdiq në Madrid, më 18 gusht, në moshën 35-vjeçare.

“Santinha del colégio” e Leopoldinës

Vincenza Guilarte Alonso është edhe ajo spanjolle, e lindur më 21 janar 1879 në Rojas de Bureba. Hyri në kuvendin e Bijave të Jezusit të Burgos. Në vitin 1909, u dërgua së bashku me pesë motra në Brazil për të themeluar një bashkësi rregulltare. Në Pirenopolis, një vend i vështirë në mes të pyllit, ajo mirëpritet nga bashkësia vendase, së cilës i përkushtohet me dashuri, duke dhënë mësim në shkollën publike. Në vitin 1927, niset për në Leopoldina, në shtetin e Minas Gerais, ku, pavarësisht se kishte qenë zv.eprore, iu besua roli i portieres dhe i sakristanes, që i pranoi me përvujtëri, pa protestuar. Në këtë rol, Vincenza bëhet e dashur për vizitorët, të cilët i pret me gatishmëri. Kështu e kaloi pjesën tjetër të jetës deri në vdekjen e saj më 6 korrik 1960, pasi ra duke thyer këmbën. Që gjatë jetës, disa besimtarë ia atribuan zgjidhjen e shumë problemeve të tyre lutjes së saj. Konsiderohej shenjtorja e kolegjit (santinha del colégio).

20 qershor 2024, 13:38