Françesku dërgon ilaçe për emergjencën në Ukrainë
R.SH. – Vatikan
Ukraina “e martirizuar” ka qenë gjithnjë në zemrën e Papës Françesku, i cili i kushton vazhdimisht fjalë e mendime, duke e ftuar gjithë botën të lutet për paqen në këtë vend të shkatërruar nga lufta me Rusinë. Që nga fillimi i konfliktit, Ati i Shenjtë e ka dëshmuar vëmendjen e tij edhe me shumë gjeste afërsie e solidariteti: nga blerja e gjeneratorëve të energjisë deri te dërgimi i ushqimeve, bluzave termale dhe batanijeve. Edhe të shtunën e kaluar, Françesku dërgoi në Ukrainë ilaçe të ndihmës së parë, kryesisht të destinuara për të plagosurit e luftës, me vlerë prej njëqind mijë eurosh, rezultat i një donacioni të rëndësishëm, marrë nga Lëmoshtaria Apostolike përmes një ambasade në Selinë e Shenjtë. Është mënyrë për t’i qëndruar pranë një populli në vështirësi të mëdha, i sprovuar nga më se dy vjet konflikt.
Kujdesi për ata, që jetojnë në rrugë
Vëmendja e kujdesi për të mënjanuarit e botës është misioni, që Papa i ka besuar Dikasterit për Shërbimin e Bamirësisë. Për shembull, gjatë kësaj jave, në Vatikan është aktivizuar një shërbim kontrolli shëndetësor për ata, që jetojnë në rrugë. Bëhet fjalë për rreth 50 vetë, të cilët nuk janë pjesë e Sistemit Kombëtar të Shëndetësisë dhe që, në shumë raste, nuk e dinë se mund të jenë rrezik si për veten, ashtu edhe për të tjerët.
Parandalimi i kancerit të gjirit
I kushtohet kujdes edhe parandalimit të sëmundjeve, sidomos për gratë që jetojnë në periferi, pa shërbim shëndetësor. Ato ndiqen zakonisht nga klinika "Nëna e Mëshirës" dhe nga Dispanseria e Shën Martës. Më 18 prill, një automjet i Komen Italia, shoqatë që merret me parandalimin dhe luftën kundër kancerit të gjirit, në sinergji me Fondacionin e Poliklinikës Universitare “Agostino Gemelli IRCCS” dhe me “Gemelli Isola”, u siguroi rreth dyzet grave të varfra testet diagnostike për parandalimin e kancerit të gjirit, si mamografinë dhe ekografinë. Kjo përvojë përsëritet çdo dy muaj. Për kardinalin Konrad Krajewski, lëmoshtar i Papës, këto nisma janë shenjë e Ungjillit, që bëhet i afërt, që i shikon të vuajturit pa e kthyer kokën kurrë nga ana tjetër.