Immagine Sacro Cuore di Gesu di Pompeo Batoni Immagine Sacro Cuore di Gesu di Pompeo Batoni

Papa: një dokument kushtuar Zemrës së Krishtit, për një botë që duket pa zemër

Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa Françesku njoftoi se në shtator do të botojë një tekst magjistral kushtuar "këtij kulti plot bukuri shpirtërore", në mënyrë që të ndriçojë rrugën e përtëritjes së Kishës dhe të njerëzimit.

R.SH. / Vatikan

“T’i ripropozohet gjithë Kishës ky kult plot bukuri shpirtërore, në një botë që duket se e ka humbur zemrën”. Me këtë synim, në fund të audiencës së përgjithshme, gjatë përshëndetjeve të besimtarëve italishtfolës, Papa dha lajmin për dokumentin e tij kushtuar Zemrës së Krishtit, që do të publikohet shtatorin e ardhshëm:

 “Më 27 dhjetorin e vitit të kaluar u kremtua 350-vjetori i dukjes së parë të Zemrës së Krishtit. Me atë rast pati nisur një periudhë festimesh e cila do të përfundojë më 27 qershor të vitit të ardhshëm - kujtoi Françesku - “Prandaj gëzohem që do të përgatis një dokument, i cili do të përmledhë reflektimet e çmuara të teksteve magjistrale të mëparshme dhe të një historie të gjatë, që nis nga Shkrimet Shenjte, për t'ia propozuar gjithë Kishës sot këtë kult plot bukuri shpirtërore":

"Besoj se do të na bëjë shumë mirë t’i meditojmë aspektet e ndryshme të dashurisë së Zotit, që mund të ndriçojnë rrugën e risimit kishtar, por që na rikujtojnë edhe diçka domethënëse për një botë, e cila duket se e ka humbur zemrën" argumentoi Papa:

“Ju kërkoj të më shoqëroni me lutje në këtë kohë përgatitjeje, me synimin që ky dokument të bëhet publik shtatorin e ardhshëm”.

05 qershor 2024, 11:58