Françesku: paratë duhet të shërbejnë e jo të qeverisin
R.SH. – Vatikan
“Paratë duhet të shërbejnë dhe jo të qeverisin!” Ky është thelbi i fjalës së Papës Françesku në audiencën e paradites së sotme (3 qershor) me pjesëmarrësit në "Dialogët për financa plotësisht të qëndrueshme", organizuar nga Fondacioni “Centesimus Annus Pro Pontifice” në bashkëpunim me Prospera-Projekti Shpresa. Veprimtaritë e këtij projekti u mbajtën në Milano gjatë dy viteve të fundit, me qëllimin "jo të lehtë" - kujtoi Papa – për të "filluar një dialog ndërmjet financave, humanizmit dhe fesë". Në veçanti, punimet kishin një "objektiv parësor":
“Atë të reflektimit së bashku me krerët më të lartë të botës së financave për mundësinë që impenjimi për të punuar mirë dhe ai për të bërë mirë të ecin paralelisht. Me fjalë të tjera, ju i keni dhënë vetes një detyrë fisnike: të kombinoni efektivitetin dhe efikasitetin me qëndrueshmërinë e plotë, gjithëpërfshirjen dhe etikën”.
Të reformohen financat pa injoruar etikën
Nga ky këndvështrim, shtoi Papa, mësimet shoqërore të Kishës mund të “jenë një busull”, me kusht që të shihet “funksionimi i financave si denoncim i pikave të dobëta për të imagjinuar masa konkrete korrigjuese”. Vërtet, ata që, si pjesëmarrësit në “Dialogët”, i njohin proceset financiare, kanë “një avantazh të madh, por në të njëjtën kohë edhe një përgjegjësi të madhe”:
“Juve ju takon të kuptoni si mund të ulet pabarazia. Sepse ‘reforma financiare, që nuk e lë mënjanë etikën, do të kërkonte një ndryshim të fuqishëm qëndrimi nga ana e liderëve politikë. Paratë duhet të shërbejnë dhe jo të qeverisin!’ (Nxitja Apostolike ‘Evangelii gaudium’, 58). Kam dëgjuar një herë një kritik politik të thoshte: “Në këtë vend qeverisim nga xhepat”: keq, shumë keq...”
Janë në lojë fati dhe dinjiteti i më të varfërve
Papa shpreson në ndërhyrje konkrete, sepse "është në lojë fati i më të varfërve, i njerëzve që kanë vështirësi të gjejnë mjetet për një jetë dinjitoze". Françesku përmendi shembullin e bankave të pengjeve, duke i quajtur “nxitje e madhe për t’i ndihmuar më të varfërit, pa rënë në logjika asistencialiste", por duke favorizuar kreditë që u japin mundësi njerëzve të punojnë dhe të gjejnë kështu "dinjitetin e duhur":
“Në të vërtetë, ‘të ndihmosh të varfërit me para duhet të jetë gjithmonë një masë e përkohshme për t'u bërë ballë emergjencave. Objektivi i vërtetë është t'u mundësohet atyre një jetë dinjitoze përmes punës’”.
Rëndësia e dialogut për të mposhtur teknokracinë
Një shembull tjetër i përmendur nga Françesku është ai i teologëve spanjollë, të cilët, në epokën e artë të shekullit të 16-të, njihnin botën e tregtisë së leshit dhe ishin në gjendje të "jepnin vlerësime etike", duke kërkuar "ndryshime të sakta për të mirën e përbashkët". Një shembull që mbetet i vlefshëm edhe sot, kur nevojitet “ndryshimi i paradigmës”:
“Vërtet, paradigma teknokratike mbetet dominuese; kemi nevojë për një kulturë të re, të aftë për t'i dhënë hapësirë një etike, një kulture dhe një përshpirtërie mjaftueshmërisht të qëndrueshme”.
Metoda dhe stili, që këshilloi Papa, është ai i dialogut, sepse “dialogu është gjithmonë rruga më e mirë”, përfundoi ai.