Kërko

TOPSHOT-PALESTINIAN-ISRAEL-CONFLICT TOPSHOT-PALESTINIAN-ISRAEL-CONFLICT  (AFP or licensors)

Françesku: të bësh paqe kërkon shumë më tepër guxim sesa të bësh luftë

Pas lutjes së Engjëllit, Papa kujtoi konfliktet në Gaza, për popullsinë e së cilës përsëriti thirrjen për ndihmë të ngutshme humanitare, ashtu si edhe për Ukrainën, pa harruar Mianmarin. Lidhur me zgjidhjen e krizës në Lindjen e Mesme, mirënjohje dhe inkurajim për rezultatin e suksesshëm të konferencës ndërkombëtare në Jordani, të martën e ardhshme.

R. SH. - Vatikan

Një lutje e vetme, me zemër të përflakur nga "dëshira për paqe", që na bashkon me viktimat e konflikteve të vazhdueshme në Gaza, Ukrainë, Mianmar. Papa Françesku e kërkoi pas Engjëllit me besimtarët e pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit këtë të diel, pasi kujtoi se të martën, më 11 qershor, në Jordani, “do të mbahet konferenca ndërkombëtare për situatën humanitare në Gaza, e thirrur nga Mbreti i Jordanisë, nga Presidenti i Egjiptit dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara”, të cilët i falënderon për këtë nismë të rëndësishme:

Inkurajoj bashkësinë ndërkombëtare të veprojë urgjentisht, me të gjitha mjetet, për të ndihmuar popullsinë e lodhur nga lufta të Gazës. Ndihma humanitare duhet të jetë në gjendje të arrijë tek ata që kanë nevojë, e askush të mos mund ta ndalojë.

Dhjetë vjet më parë, lutja për paqe në Tokën Shenjte

Papa kujtoi, më pas, se dje ishte dhjetëvjetori i Lutjes për Paqe në Tokën Shenjte, në Vatikan, "me praninë e presidenti izraelit, të ndjerit Shimon Peres dhe presidentit palestinez, Abu Mazen":

“Ai takim tregon se shtrëngimi i duarve është i mundur, edhe pse për të bërë paqe duhet guxim, shumë më tepër guxim sesa të bësh luftë. Prandaj inkurajoj bisedimet e vazhdueshme ndërmjet palëve, edhe nëse nuk janë të lehta, dhe shpresoj që propozimet për paqen, për armëpushimin në të gjitha frontet dhe për lirimin e pengjeve, do të pranohen menjëherë për të mirën e palestinezëve dhe të izraelitëve”.

Etja e popullit të munduar ukrainas për paqe

Së fundi, Françesku nuk e harroi popullin e munduar ukrainas, "që vuan më shumë dhe e dëshiron gjithnjë më shumë paqen". Përshëndeti një grup besimtarësh të vendit të cilët, në shenjë falënderimi, valëviten flamujt e kombit të tyre të përgjakur:

“Jemi pranë jush. Është dëshirë kjo e paqes, prandaj i inkurajoj të gjitha përpjekjet që bëhen për rikthimin sa më shpejt të paqes, me ndihmën ndërkombëtare. Dhe të mos harrojmë Mianmarin”.

Pershëndetje kengëtarëve te takimit koreve

Në mesin e shtegtarëve të pranishëm, Papa përshëndeti posaçërisht mësuesit e gjimnazit "Shën Gjon Pali II" të Kievit, të cilët i inkurajoi "në misionin e tyre arsimor gjatë kësaj kohe të vështirë dhe të dhimbshme". Më pas përshëndeti profesorët dhe studentët e shkollës dioqezane "Cardenal Cisneros" të dioqezës së Sigüenza-Guadalajara në Spanjë dhe besimtarët e Assemini (Cagliari), fëmijët e shkollës "Giovanni Prati" të Padovës dhe fëmijët e famullisë Sant’ Ireneo të Romës. Më në fund, u përsëriti urimin këngëtarëve ardhur në Romë nga e gjithë bota për të marrë pjesë në Takimin IV Ndërkombëtar të Koreve, me të cilët u takua të shtunën, në Sallën Pali VI.

“Të shumëdashur - i ftoi - me këngën tuaj mund t’i jepni gjithnjë lavdi Zotit dhe të transmetoni kudo gëzimin e Ungjillit!”.

09 qershor 2024, 15:47