2024.06.01 Come Forth by James Martin 2024.06.01 Come Forth by James Martin

Françesku: në veprën e Atë Martin “Lazër, dil jashtë!”, mrekullia më e madhe Jezusit

Del nga shtypi, nesër më 4 qershor, libri i ri i Atit jezuit amerikan James Martin, me titull “Lazër, dil jashtë!” (Shtëpia Botuese e Vatikanit) e me parathënien e Papës Françesku. “Në këto faqe, shkruan Papa, mund të shohim të vërtetën gjithnjë aktuale e të frytshme të krishterimit… Jezusi jo vetëm foli për jetën e amshuar, por edhe na e dhuroi atë!”.

R.SH. / Vatikan

Botohet një ese e jezuitit Atë James Martin, "Lazër, dil jashtë!" (Libreria Editrice Vaticana), me parathënie të Papa Françeskut, kushtuar figurës së mikut të ringjallur nga Jezusi. “Në këto faqe të librit "Lazër, dil jashtë!"- shkruan Papa Bergoglio - mund të shohim të vërtetën gjithnjë aktuale dhe të frytshme të krishterimit... Jezusi nuk foli vetëm për jetën e amshuar, por edhe na e dhuroi atë. Duhet t'i jemi shumë mirënjohës Atë James Martinit, shkrimet e tjera të të cilit i njoh dhe i vlerësoj, për këtë libër të ri kushtuar asaj, të cilën ai e quan "mrekullia më e madhe e Jezusit": historia e ringjalljes së Lazrit. Ka disa arsye për të qenë mirënjohës ndaj tij, lidhur ngushtë me mënyrën se si e shkroi këtë tekst të shkëlqyer, pasionant dhe të paparashikueshëm.

Para së gjithash, Atë James e bën tekstin biblik të flasë: e shqyrton me vështrimin dhe studimin e autorëve të ndryshëm, që e kanë analizuar në thellësi këtë faqe biblike, duke kapur aspektet e ndryshme, nënvizimet e ndryshme, interpretimet e ndryshme. Por ky studim është gjithmonë “i dashur”, asnjëherë i shkëputur e as ftohtësisht shkencor: është vështrimi i dikujt që e dashuron Fjalën e Zotit, historinë e gjesteve të Birit të Zotit, Jezusit. Leximi i të gjitha argumenteve dhe shqyrtimeve të studiuesve të Biblës, që i kujton Atë Martini, më bëri ta pyes veten sesa arrijmë ta afrojmë Shkrimin Shenjt “me urinë” e atyre që e dinë se kjo fjalë është vërtetësisht dhe sigurisht Fjala e Zotit.

Fakti që Zoti “na flet” duhet të na bëjë të hovim në karrikë çdo ditë. Për shkakun se Bibla është me të vërtetë ushqimi që na nevojitet për të përballuar jetën tonë. Përfaqëson "letrën e dashurisë" që Zoti u dërgoi, për shekuj, burrave dhe grave të të gjitha kohërave dhe vendeve. Ta ruajmë Fjalën, ta duam Biblën, ta mbajmë me vete çdo ditë një Ungjill të vogël në xhep, ndoshta edhe ta kërkojmë në celularin tonë kur kemi një takim të rëndësishëm, një bisedë delikate, një çast çkurajimi... e gjithë kjo do të na ndihmojë të kuptojmë se sa Shkrimi është trup i gjallë, libër i hapur, dëshmi pulsuese e një Zoti, që nuk ka vdekur, i varrosur në raftet e pluhurosura të historisë, por që ecën me ne gjithmonë, edhe sot. Gjithashtu për ju që tani e hapni këtë libër, të joshur nga rrëfimi i një historie të cilën shumë e dinë, por që pak e kanë kuptuar rëndësinë e saj të thellë dhe të plotë.

Për më tepër, në këto faqe mund të shohim të vërtetën gjithnjë aktuale dhe frytdhënëse të krishterimit: Ungjilli është i përjetshëm dhe konkret, ka të bëjë me jetën tonë intime dhe të brendshme, si dhe historinë e jetën e përditshme. Jezusi nuk foli vetëm për jetën e amshuar, por edhe na e dhuroi atë. Ai jo vetëm tha "Unë jam ringjallja", por e ringjalli Lazrin,  vdekur prej katër ditësh  (Gjn 1,1-44).

Feja e krishterë është ndërthurja e gjithëpranishme e së përjetshmes dhe e rastit, e qiellit dhe tokës, e hyjnores dhe njerëzores. Asnjëherë njëra pa tjetrën. Nëse do të ishte vetëm “tokësore”, çfarë do ta dallonte nga filozofia e mirë, ideologjia e strukturuar, mendimi i hollë, që mbetet vetëm si i tillë, nga teoria, që mbetet e shkëputur nga koha dhe historia? E nëse krishterimi do të kishte të bënte vetëm me "pas", vetëm me përjetësinë, kjo do të ishte tradhtia e zgjedhjes që Zoti bëri njëherë e përgjithmonë, duke kompromentuar veten me gjithë njerëzimin. Zoti nuk pretendoi të mishërohej, por zgjodhi të hynte në historinë e njeriut në mënyrë që historia e burrave dhe grave të mund të përvijohej si Mbretëria e Zotit, si koha dhe vendi ku mbin paqja, ku shpresa merr formë e dashuria të jep jetë!

Lazri, së fundi, jemi të gjithë ne. Atë Martini, në këtë aspekt duke iu përmbajtur traditës injaciane, na bën të identifikohemi me historinë e këtij miku të Jezusit, dekurajim i cili na degradon dhe na shkatërron shpirtin. Po Jezusi nuk ka frikë të na afrohet, edhe kur ne “qelbemi” si i vdekuri i varrosur për tre ditë. Jo, Jezusi nuk ka frikë nga vdekja apo mëkati ynë. Ai ndalon vetëm para derës së mbyllur të zemrës sonë, asaj dere që hapet vetëm nga brenda dhe mbyllet dy herë, kur mendojmë se Zoti nuk mund të na falë më.

E në vend të kësaj, duke lexuar analizën e hollësishme të James Martinit, mund të preket me dorë kuptimi i thellë i gjestit të Jezusit përpara një të vdekuri, "të vdekuri" që qelbet, metaforë e kalbëzimit krijuar nga mëkati në shpirtin tonë. Jezusi nuk ka frikë t'i afrohet mëkatarit, çdo mëkatari, madje edhe më të patremburit dhe më të paciptit. Ka vetëm një shqetësim: që askush të mos humbasë, që askush të mos e humbasë mundësinë për të ndjerë përqafimin e dashur të Atit të tij. …Natyrisht vdekja ia beh, vdekja na mbyt, e jo vetëm ne, por edhe të dashurit tanë, familjarët tanë: sa e sa vdekje shohim rreth nesh, të padrejta e të dhimbshme, sepse të shkaktuara nga luftërat, nga dhuna, nga krimi i Kainit mbi Abelin. Po burri e gruaja janë të caktuar për amshimin!

Të gjithë jemi. Jemi gjysmë-vije, për të përdorur një figurë gjeometrike: kemi një pikënisje, lindjen tonë njerëzore, por jeta jonë i kushtohet pafundësisë. Po, me të vërtetë, Pambarimit. E ajo, që Shkrimi e quan "jeta e amshuar" është ajo jetë, që na pret pas vdekjes dhe të cilën tashmë mund ta prekim me dorë kur e jetojmë jo në egoizmin që na trishton, por në dashurinë që na zgjeron zemrat. Jemi krijuar për amshimin! Lazri, falë këtyre faqeve të  jezuitit Atë Martinit, është miku ynë. E ringjallja e tij na e kujton dhe na e dëshmon këtë!

 Qyteti i Vatikanit, 11 mars 2024

03 qershor 2024, 11:51