Papa: të marrë fund dhuna në Kongo, të krishterët e vrarë janë martirë

Pas lutjes së Engjëllit të Zotit, sot, Papa kujtoi "ndeshjet dhe masakrat" e kryera në pjesën lindore të Republikës Demokratike të Kongos e u bëri thirrje autoriteteve kombëtare dhe bashkësisë ndërkombëtare "ta ruajnë jetën e civilëve". Flijimi i një morie të krishterësh të vrarë "nga urrejtja për fenë " na mëson "ta dëshmojmë Ungjillin me guxim dhe qëndresë". Lutje e re për paqen në Ukrainë, në Tokën Shenjte, Sudan, Mianmar dhe kudo që ka luftë

R.SH. / Vatikan

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Zotit, kremtuar sot në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa Françesku kujtoi Republikën Demokratike të Kongos, vizituar ndërmjet janarit dhe shkurtit 2023, duke kujtuar se "vazhdojnë të vijnë lajme të dhimbshme për përleshjet dhe masakrat e kryera në pjesën lindore të vendit”:

U bëj thirrje autoriteteve kombëtare dhe bashkësisë ndërkombëtare që të bëjnë gjithçka është e mundur për të ndaluar dhunën dhe për të mbrojtur jetën e civilëve. Ndërmjet viktimave, shumë janë të krishterë të vrarë në odium fidei. Janë dëshmorë! Flijimi i tyre është farë që mbin dhe jep fryt e që na mëson të japim dëshmi për Ungjillin me guxim dhe qëndrueshmëri.

Viktimat dhe dhuna, javët e fundit në Kivu-në e Veriut

Sipas lajmeve të djeshme, të paktën shtatë persona u vranë gjatë trazirave në provincën e Kivu-së veriore, pasi popullsia doli në rrugë për të protestuar kundër shtimit të sulmeve vdekjeprurëse nga rebelët, të vetëquajtur xhihadistë. Në javën, që sapo përfundoi, Forcat Demokratike Aleate (ADF), një grup i lidhur me Shtetin Islamik, vranë më shumë se 40 vetë gjatë një sulmi në fshatin Mayikengo dhe më shumë se 80 javën e kaluar, në sulmet kundër fshatrave të tjera të provincës.

Lutja për paqen dhe kujtimi i të Lumit Rapacz

Pastaj Papa ftoi t’i vijojmë lutjet “për paqe në Ukrainë, në Tokën Shenjte, në Sudan, Mianmar dhe kudo që njerëzit vuajnë nga lufta”. Pak më parë  kishte kujtuar se dje, në Krakov, në një ceremoni të kryesuar nga kardinali Marcello Semeraro, prefekt i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve, në shenjtëroren e Mëshirës Hyjnore në Łagiewniki, u shpall i Lum Michael Rapacz, prift e martir, të cilin e quajti…

“Bari sipas Zemrës së Krishtit, dëshmitar besnik dhe bujar i Ungjillit, që pësoi persekutimin nazist dhe sovjetik dhe iu përgjigj me dhuratën e jetës”.

Përshëndetje besimtarëve nga e gjithë bota dhe dhuruesve të gjakut

Gjatë përshëndetjes romakëve dhe shtegtarëve, Ati i Shenjtë iu drejtua veçanërisht besimtarëve “të ardhur nga Libani, Egjipti dhe Spanja; studentëve të 'London Oratory School'; atyre të dioqezës së Opoles në Poloni dhe të Budapestit-Albertfalva si dhe pjesëmarrësve në Forumin Evropian të Laikëve, me temë "Besimi, arti dhe sinodaliteti"…

“e edhe grupit të nënave nga bashkësia katolike kongoleze e Romës. Edhe këto nëna këndojnë mirë: do të dëshiroja  t’i dëgjoja duke kënduar edhe një herë tjetër!”.

Së fundi, Françesku përshëndeti besimtarët e Carinit, Katanias, Sirakuzës dhe Mesinës; fëmijët e Kungimit dhe Krezmimit të Mestrinos, të krezmuarit e Castelsardo (Sassari), të Bolgare (Bergamo) dhe të Camin (Padova).

Së fundi u shprehu mirënjohjen "dhuruesve të gjakut, që sapo kremtuan Ditën e tyre kombëtare".

16 qershor 2024, 13:51