Kërko

World Oceans Day World Oceans Day

Françesku: uji nuk duhet të përdoret për para, por për përparim

Papa u dërgoi një mesazh pjesëmarrësve në takimin e nivelit të lartë kushtuar Veprimit Oqeanik me temë "Zhytur në ndryshim", që përfundon sot, në Kosta Rika: ne vlerësojmë dobinë e çdo burimi ujor për sigurinë ushqimore, rregullimin e klimës dhe "luftojmë kundër ndotjes, për t’ia rikthyer oqeaneve bukurinë e tyre të çmuar" - kujtoi Papa.

R.SH. / Vatikan

Mediat e quajnë “ari blu”; për Papën është “dhuratë e çmuar nga Zoti”; për një pjesë të botës, “monedhë këmbimi, arsye për spekulime dhe madje mjet zhvatjeje”. Françesku i rikthehet njërës nga temat e magjisterit,  trajtuar në Laudato si' dhe në shumë ndërhyrje të tjera. Rasti i sotëm është Takimi i nivelit të lartë mbi Veprimin Oqeanik, titulluar “I zhytur në ndryshim” (Immersed in Change), mbajtur dje dhe sot në qytetin  kostarikan të San José, pjesëmarrësve të të cilit u dërgohet një mesazh që kërkon të mos merret parasysh burimi bazë për jetën, pa respektin e duhur.

Zemërimi i një burimi të përbashkët

Uji - shkruan Ati i Shenjtë - "është i nevojshëm për jetën e njeriut! Nuk mund të ketë përparim, as shoqëror, pa të" e megjithatë - kujton - "është për të ardhur keq të vëresh se ne i shtrembërojmë këto epitete duke e shndërruar atë që është e dobishme, si uji, në objekt për t'u shfrytëzuar. E shndërrojmë kështu atë, që kryen punë modeste dhe të heshtur për të mirën e përbashkët”, duke shkuar deri atje, sa ta trajtojmë si mall ose, më keq akoma, si armë për të mbajtur nën kontroll një popull.

Pastërti për t’u rifituar

Shën Françesku – kujton në vijim Papa - foli për ujin si për një motër, "të pastër" dhe madje të Virgjër, që rrjedh nga shatërvani i Trevit e që - kujton ai - ka emrin një vajze të re të popullit, e cila u tregoi me guxim legjionarëve romakë vendin ku ndodhej burimi, i cili vlerësohej shumë për pastërtinë e tij”. Prandaj, uji sjell "mirësi" për "njerëzit e thjeshtë" dhe pavarësisht nga kjo "rrezikon të cenohet nga keqdashja, egoizmi dhe përçmimi i të tjerëve".

Trashëgimi për t’u ruajtur

Pamja e këtij "burimi të bukur romak" - qytet që, vëren Françesku, "është i zhytur në oqeanin konceptual të fuqisë së ujit" - na ndihmon "të kuptojmë – e kjo është shpresa e Papës - se i gjithë qytetërimi ynë është zhytur në oqean dhe ne e kuptojmë se ndryshimi rrënjësor është i nevojshëm, për të rifituar kuptimin e këtyre  epiteteve të Shën Françeskut".

Thirrja e fundit është të vlerësohet uji për "sigurinë ushqimore, për punën e tij modeste në rregullimin e klimës", për të luftuar kundër ndotjes dhe "për t’ia rikthyer bukurinë e tij të çmuar", duke e lënë të paprekur si "trashëgim për brezat e ardhshëm".

08 qershor 2024, 18:12