Kërko

Papa Françesku Papa Françesku

Ipeshkvi i Romës, shërbëtor i bashkimit

U paraqit dokumenti i Dikasterit të Vatikanit për Nxitjen e Bashkimit ndërmjet të Krishterëve, i cili tregon në ç’pikë ka arritur dialogu ekumenik rreth rolit të Papës dhe ushtrimit të primatit pjetrin

R.SH. – Vatikan

U paraqit sot në Vatikan “Ipeshkvi i Romës”, dokument i Dikasterit për Nxitjen e Bashkimit ndërmjet të Krishterëve, që përmbledh frytet e dialogut ekumenik mbi shërbesën e Papës, në përgjigje të ftesës së Papës shenjt Gjon Pali II të gati 30 vjetëve më parë, në vazhdën e hapave të ndërmarra nga Koncili II i Vatikanit e më gjerë. Objektivi është kërkimi i një forme ushtrimi të primatit pjetrin të pranueshme nga të gjitha Kishat, që jetuan në bashkim të plotë gjatë shekujve të parë. Megjithëse jo të gjithë dialogët teologjikë "e kanë trajtuar temën në të njëjtin nivel, ose me të njëjtën thellësi", mund të sinjalizohen disa "qasje të reja" ndaj çështjeve teologjike më të diskutueshme.

Të rilexohen tekstet pjetrine

Një nga frytet e dialogëve teologjikë është interpretimi i ri i "tekseve pjetrine", të cilat historikisht janë bërë pengesë për unitetin ndërmjet të krishterëve. “Partnerëve të dialogut iu desh të përballonin sfidën e shmangies së projeksioneve anakronike të zhvillimeve të mëvonshme doktrinore dhe të rishqyrtonin rolin e Shën Pjetrit në mesin e apostujve”. Për shembull, u rizbuluan «një larmi imazhesh, interpretimesh dhe modelesh në Besëlidhjen e Re”, ndërsa nocionet biblike si episkopé (shërbimi i mbikëqyrjes), diakonia dhe koncepti i «funksionit pjetrin» kontribuan në kuptimin më të plotë të “teksteve pjetrine”.

Origjina e primatit

Një çështje tjetër e diskutueshme është kuptimi katolik i epërsisë së Ipeshkvit të Romës si institucion i ligjit hyjnor, ndërsa shumica e të krishterëve të tjerë e kuptojnë atë vetëm si institucion të ligjit njerëzor. “Sqarimet hermeneutike – lexohet në dokument – ​​kanë kontribuar në një këndvështrim të ri për këtë dikotomi tradicionale”, duke marrë parasysh si primatin e ligjit hyjnor, ashtu edhe atë të ligjit njerëzor, “si pjesë e vullnetit të Zotit për Kishën, ndërmjetësuar përmes historisë njerëzore”. Dialogët nënvizuan dallimin "ndërmjet thelbit teologjik dhe nevojës historike të parësisë", duke kërkuar "vëmendje dhe vlerësim më të madh të kontekstit historik, që kushtëzoi ushtrimin e parësisë në rajone dhe periudha të ndryshme".

Koncili I i Vatikanit

Pengesa të rëndësishme për t’u kapërcyer janë përkufizimet dogmatike të Koncilit I të Vatikanit. Në disa dialogë ekumenë janë bërë hapa përpara për ta interpretuar sërish këtë Koncil, në dritën e mësimeve të Koncilit II të Vatikanit. Iu dha një interpretim tjetër përkufizimit dogmatik të juridiksionit universal të Papës, "duke përcaktuar shtrirjen dhe kufijtë e tij". Njëkohësisht, u sqarua «formulimi i dogmës së pagabueshmërisë së Papës e, madje, u krijua një mendim i përbashkët për disa aspekte të qëllimit të saj, duke ia njohur nevojën në disa rrethana, për ushtrimin personal të shërbesës së magjisterit, meqë bashkimi i të krishterëve është unitet në vërtetësi dhe dashuri". Pavarësisht nga këto sqarime, pranohet në dokument, nga dialogët dalin ende në pah “shqetësime për marrëdhëniet e pagabueshmërisë me primatin e Ungjillit, me faktin se gjithë Kisha si e tillë është e patëmetë, me ushtrimin e kolegjialitetit ipeshkvnor dhe me nevojën e pranimit" të Lajmit të Mirë.

Shërbesë për Kishën e pajtuar

Shumë dialogë teologjikë nxjerrin në pah «nevojën për një primat në nivel universal. Duke iu referuar traditës apostolike, në disa dialogë u pohua se, që nga zanafilla e Kishës, krishterimi u bazua në selitë kryesore apostolike, që kishin një rend specifik, nga të cilat selia e Romës ishte e para”. Disa dialogë theksojnë ndërvarësinë midis parësisë dhe sinodalitetit në çdo nivel të jetës së Kishës: lokal, rajonal, por edhe universal. Një argument tjetër në favor të primatit ka natyrë më pragmatike e ka të bëjë me kuadrin bashkëkohor të globalizimit dhe me nevojat misionare. Dialogët teologjikë kanë identifikuar disa kritere të mijëvjeçarit të parë «si pika referimi dhe burime frymëzimi për ushtrimin e pranueshëm të shërbimit të unitetit në nivelin universal, si: karakteri jo formal – dhe jo kryesisht juridiksional – i shprehjeve të bashkimit ndërmjet Kishave; “primati i nderit” i Ipeshkvit të Romës; ndërvarësia e përmasës së parësisë dhe asaj sinodale”.

Primati dhe sinodaliteti

Shumë dialogë nxjerrin në pah se mijëvjeçari i parë i historisë së krishterë "nuk duhet të idealizohet e as të rikrijohet", pasi një primat universal duhet t'u përgjigjet sfidave bashkëkohore. Janë përcaktuar disa parime për ushtrimin e parësisë në shekullin XXI: "Një marrëveshje e parë e përgjithshme është ndërvarësia e primatit dhe sinodalitetit në çdo nivel të Kishës dhe, si rrjedhojë, nevoja për një ushtrim sinodal të parësisë". Një mendim i përbashkët i mëtejshëm ka të bëjë me përmasën e «bashkësisë» të të gjithë të pagëzuarve; përmasën “kolegjiale”, shprehur sidomos në kolegjialitetin ipeshkvnor; dhe me përmasën "personale", shprehur nga funksioni i parësisë". Vendimtare janë edhe marrëdhëniet ndërmjet Kishës lokale dhe Kishës universale, me pasoja të rëndësishme për ushtrimin e primatit pjetrin.

Roli i konferencave ipeshkvnore

Në shumë dialogë, «është nënvizuar nevoja për ekuilibër ndërmjet ushtrimit të parësisë në nivelin rajonal dhe universal, duke vënë në dukje se në shumicën e bashkësive të krishtera niveli rajonal është më i rëndësishmi. Disa dialogë teologjikë me bashkësitë e krishtera perëndimore kërkojnë forcimin e konferencave ipeshkvnore katolike, edhe në nivelin kontinental" e decentralizimin e frymëzuar nga modeli i Kishave të lashta patriarkale.

Traditat dhe subsidiariteti

Më pas, nënvizohet rëndësia e parimit të subsidiaritetit: "asnjë çështje që mund të trajtohet si duhet në nivelin më të ulët nuk duhet të çohet në nivelin më të lartë". Disa dialogë e zbatojnë këtë parim për të përcaktuar një model të pranueshëm të "unitetit në larmi" me Kishën Katolike, duke argumentuar se "pushteti i Ipeshkvit të Romës nuk duhet të kalojë kufirin e nevojshëm për ushtrimin e shërbesës së tij të unitetit në nivelin universal e duke këshilluar kufizimin vullnetar në ushtrimin e pushtetit papnor – pavarësisht se pranohet që ai ka nevojë për një shkallë të mjaftueshme autoriteti për t’u bërë ballë sfidave të shumta dhe detyrimeve të ndërlikuara, që lidhen me shërbesën e tij”.

Këshilla praktike për punë

Një propozim i parë, paraqitur në dokumentin “Ipeshkvi i Romës”, kërkon që Kisha Katolike të bëjë një interpretim të ri për mësimet e Koncilit I të Vatikanit me «shprehje dhe fjalë të reja, besnike ndaj synimit fillestar, por të integruara në ekleziologjinë e bashkimit dhe të përshtatura me kuadrin aktual kulturor dhe ekumenik». Gjithashtu, këshillohet të bëhet një dallim më i qartë ndërmjet përgjegjësive të ndryshme të Ipeshkvit të Romës, "veçanërisht, ndërmjet shërbesës së tij patriarkale në Kishën e Perëndimit dhe shërbesës së tij parësore të unitetit në bashkësinë e Kishave". Urohet të theksohet më shumë ushtrimi i shërbesës së Papës në Kishën e tij të veçantë, dioqezën e Romës.

Rekomandimi i tretë ka të bëjë me zhvillimin e sinodalitetit brenda Kishës Katolike. Në veçanti, sugjerohet “reflektim i mëtejshëm rreth autoritetit të konferencave ipeshkvnore katolike kombëtare dhe rajonale, rreth marrëdhënieve të tyre me Sinodin e Ipeshkvijve dhe me Kurien Romake. Në nivelin universal, nënvizohet nevoja për përfshirjen më të mirë të Popullit të Zotit në proceset sinodale". Së fundi, propozohet "promovimi i një “bashkimi konciliar" nëpërmjet takimeve të rregullta ndërmjet krerëve të Kishave në nivel botëror", si edhe promovimi i sinodalitetit ndërmjet Kishave, me konsultime të rregullta dhe veprime e dëshmi të përbashkëta të ipeshkvijve e primatëve.

13 qershor 2024, 14:46