Kërko

Jehon lutja e Papës “për paqe në Tokën e Shenjtë”, me ambasadorët e Izraelit dhe Palestinës

“Të mos ndalemi kurrë së ëndërruari për paqen, që jep gëzimin e papritur për t'u ndjerë pjesë e një familjeje të vetme njerëzore. Këtë gëzim e pashë disa ditë më parë në Verona, në fytyrat e dy baballarëve, një izraelit dhe një palestinez, të cilët u përqafuan para të gjithëve. Kjo i duhet Izraelit dhe Palestinës: përqafimi i paqes! T'i kërkojmë Zotit që Krerët e Kombeve dhe palët në konflikt të mund të gjejnë rrugën drejt harmonisë dhe unitetit. Të gjithë ta njohin njëri-tjetrin si vëllezër".

R.SH. / Vatikan

Papa u lut për paqen në Lindjen e Mesme në Kopshtet e Vatikanit, sot pasdie, dhjetë vjet pas takimit të tij me Shimon Peres dhe Abo Mazen. Në këtë ngjarje morën pjesë edhe ambasadori i Izraelit pranë Selisë së Shenjtë Rapahel Schutz dhe ambasadori i Palestinës Issa Kassissieh.

Pra, sot në orën 18.00, Papa Françesku përkujtoi në Kopshtet e Vatikanit 10-vjetorin e lutjes për paqen në Tokën Shenjte, me presidentin e atëhershëm izraelit, Shimon Peres dhe me atë palestinez, Abu Mazen. Së bashku me Atin e Shenjtë, të pranishëm në këtë përkujtim të vitit 2014, edhe një përfaqësi e bashkësive islamike dhe hebraike; Trupi Diplomatik i akredituar në Selinë e Shenjtë dhe rreth 20 kardinaj.

Papa, i prekur thellë, përkujton Lutjen që  jehoi dhjetë vjet më parë në mbarë botën, nga Vatikani “Për paqe në Tokën e Shenjtë”. E nis me një falënderim të ngrohtë ky takim, që të kujton ngjarjen prekëse të dhjetë vjetëve më parë. Papa i falënderon të pranishmit që e rrethojnë  për të festuar së bashku dhjetëvjetorin e thirrjes për paqen në Tokën e Shenjtë, e u drejton fjalën:

 “Faleminderit! Presidenti i atëhershëm i Shtetit të Izraelit, i ndjeri Shimon Peres dhe Presidenti i Shtetit të Palestinës, Mahmud Abbas, patën pranuar ftesën time për të ardhur këtu, që t'i luteshim Zotit për dhuratën e paqes. Disa javë më parë isha shtegtar në Tokën e Shenjtë dhe pikërisht aty pata shprehur dëshirën e madhe që të dy të takoheshin, për të bërë një gjest domethënës historik dialogu dhe paqeje. Kam në zemër shumë mirënjohje ndaj Zotit për atë ditë, ndërsa ruaj kujtimin e atij përqafimi emocional që shkëmbyen dy Presidentët, si edhe të pranisë së Shenjtërisë së Tij Bartolomeut I, Patriarkut Ekumenik dhe përfaqësuesve të bashkësive të krishtera e hebraike e myslimane nga Jeruzalemi. Sot, kujtimi i asaj ngjarjeje është i rëndësishëm, veçanërisht në dritën e asaj që fatkeqësisht po ndodh në Izrael dhe Palestinë. Prej muajsh jemi dëshmitarë të thellimit të armiqësisë dhe kemi parë shumë njerëz të pafajshëm që vdesin para syve tanë. E gjithë kjo vuajtje, brutaliteti i luftës, dhuna që përhap dhe urrejtja që mbjell në brezat e ardhshëm, duhet të na bindin se “çdo luftë e lë botën më keq se sa e gjeti. Lufta është dështim i politikës dhe i njerëzimit, është dorëzim i turpshëm, disfatë përballë forcave të së keqes” (Letra Enciklike Fratelli tutti, 261).

Përsëritja e lutjes, drejtuar Zotit

Kështu, këtë mbrëmje, foli Papa, duke shprehur në vijim dëshirën për ta përsëritur lutjen, sepse - nënvizoi - ne ende duam t'i drejtojmë Zotit lutjen tonë për paqe, si dhjetë vjet më parë. Ne duam t'i lutemi Zotit të rritet përsëri ulliri, që mbollëm atë ditë: ai tashmë është bërë i fortë dhe i harlisur, sepse i mbrojtur nga erërat dhe i ujitur me kujdes. Në të njëjtën mënyrë, ne duhet t'i kërkojmë Zotit që paqja të mund të mbijë në zemrën e çdo njeriu, në çdo popull dhe çdo komb, në çdo rrip toke, të mbrojtur nga erërat e luftës dhe të ujitur nga ata që angazhohen çdo ditë për të jetuar në vëllazëri - kujtoi Papa.

Thirrje e përgjëruar për paqen

Në vijim, thirrja: “Të mos ndalemi kurrë së ëndërruari për paqen, e cila na jep gëzimin e papritur për t'u ndjerë pjesë e një familjeje të vetme njerëzore. Këtë gëzim e pashë disa ditë më parë në Verona, në fytyrat e atyre dy baballarëve, një izraelit dhe një palestinez, të cilët u përqafuan para të gjithëve. Kjo i duhet Izraelit dhe Palestinës: përqafimi i paqes!

Atëherë le t'i kërkojmë Zotit që Krerët e Kombeve dhe palët në konflikt të mund të gjejnë rrugën drejt harmonisë dhe unitetit. Të gjithë ta njohin njëri-tjetrin si vëllezër. E lusim Zotin dhe, me ndërmjetësimin e Marisë, vajzës së Nazaretit, Mbretëreshës së Paqes, e përsërisim atë lutje që jehoi në botën mbarë nga kopshtet e Vatikanit, dhjetë vjet më parë:

“O Zot, Hyji i paqes, dëgjoje lutjen tonë!

U përpoqëm shumë herë dhe për shumë vjet që t'i zgjidhim konfliktet me forcat tona, madje edhe me armët tona; shumë çaste armiqësie dhe errësirë;  tepër gjak i derdhur; jetë të thyera; shpresa të varrosura...

Por përpjekjet tona qenë të kota!

Tani, o Zot, na ndihmo! Na jep paqe, na e mëso paqen, na udhëzo drejt paqes. Hapi sytë dhe zemrat tona dhe na jep guximin të themi: “kurrë më luftë!”;

“Me luftë shkatërrohet gjithçka!”.

Na rrënjos guximin të bëjmë gjeste konkrete për të ndërtuar paqen. Zot, Hyji i Abrahamit dhe i Profetëve, Hyji i Dashurisë që na krijoi dhe na thërret të jetojmë si vëllezër, na jep forcë të jemi artizanët e paqes çdo ditë.

Na jep mundësinë t’i shikojmë me dashamirësi të gjithë vëllezërit që takojmë në rrugën tonë.

Na bëj të gatshëm për të dëgjuar britmën e qytetarëve tanë që kërkojnë nga ne t'i shndërrojmë armët tona, në mjete paqeje; frikën tonë, në besim dhe tensionet tona, në falje.

Mbaje flakën e shpresës të ndezur brenda nesh për të zgjedhur dialogun dhe pajtimin me këmbëngulje durimtare, që më në fund të fitojë paqja.

U dëbofshin nga zemra e çdo njeriu këto fjalë: përçarje, urrejtje, luftë!

Zot, çarmatosi gjuhën dhe duart, përtëriji zemrat dhe mendjet, që fjala e cila na bashkon të jetë gjithmonë “vëlla”, dhe stili i jetës sonë të bëhet: shalom, paqe, selam! Amen.

07 qershor 2024, 12:31