Lëmosha e Shën Pjetrit, të ndihmojmë Papën Françesku në misionin e tij

Të dielën, më 30 qershor, kremtohet në të gjithë botën Dita për Bamirësinë e Papës. Çdo kontribut, qoftë edhe më i vogli, është një mbështetje e rëndësishme për veprimtarinë e Pasardhësit të Pjetrit, që dëshiron t’u qëndrojë pranë të gjithëve, sidomos më të vuajturve

R.SH. – Vatikan

Është rast për ta ndihmuar Papën të bëhet edhe më i afërt me të gjithë, veçanërisht me më të vuajturit. Dita për Bamirësinë e Papës, e cila kremtohet të dielën, më 30 qershor, u sinjalizon bashkësive anembanë botës mundësinë për të bërë donacione për të ashtuquajturën Lëmosha e Shën Pjetrit, duke mbështetur kështu misionin e Ipeshkvit të Romës. Mision i paqes, i bamirësisë, i afërsisë me ata që janë në vështirësi.

Me një ofertë, që mund të bëhet në këtë ditë të veçantë – në të vërtetë, edhe në ditët e tjera të vitit, për ata që dëshirojnë – kushdo mund të bashkëpunojë aktivisht me misionin universal të Atit të Shenjtë, kurrë më i nevojshëm se në kohën tonë, me një botë të shkatërruar nga luftërat, nga gara për riarmatim, nga padrejtësitë, nga vuajtjet e shumë të varfërve, nga sulmet kundër shenjtërisë së jetës njerëzore dhe dinjitetit të personit. Falë veprimtarive të dikastereve të ndryshme vatikanase, që e ndihmojnë atë përditë, Papa bën që zëri dhe afërsia e tij konkrete të arrijë në situata nga më të vështirat. Mbështet vepra bamirëse në favor të njerëzve dhe familjeve në nevojë, ndihmon popullsinë e prekur nga fatkeqësitë natyrore dhe luftërat.

Ai i Pasardhësit të Pjetrit është mesazh universal, që buron nga Ungjilli dhe që ka nevojë për mbështetjen e secilit për të arritur tek të gjithë. Prandaj, ata që kanë mundësi e dëshirë duhet ta ndihmojnë Papën për të ndihmuar të tjerët, duke dhënë kontributin e tyre e duke bashkëpunuar me misionin e tij, për të përmirësuar kushtet e jetesës në të gjitha periferitë gjeografike dhe ekzistenciale, në favor të paqes dhe të vëllazërimit.

Lëmosha e Shën Pjetrit është një ofertë ndoshta e vogël, por ka vlerë të madhe simbolike. Është mënyrë konkrete për të forcuar ndjenjën e përkatësisë në Kishë dhe dashurinë për Ipeshkvin e Romës, i cili kryeson të gjitha Kishat në bamirësi. Ata që dhurojnë për Lëmoshën e Shën Pjetrit jo vetëm që ndihmojnë Papën për të ndihmuar më nevojtarët, por marrin pjesë në misionin e tij për kumtimin e Ungjillit dhe bashkëpunojnë në shërbimin që Ati i Shenjtë u ofron Kishave lokale përmes dikastereve të Vatikanit dhe rrjetit të përfaqësuesve të tij në botë, duke mbështetur promovimin e zhvillimit të gjithanshëm njerëzor, arsimit, paqes, drejtësisë dhe vëllazërimit.

Dhuro tani:

IT:       https://www.obolodisanpietro.va/it/dona.html

 

ENG:   https://www.obolodisanpietro.va/en/dona.html

 

ES:      https://www.obolodisanpietro.va/es/dona.html

25 qershor 2024, 11:08