Papa: Eukaristia flet për një Zot që është afër dhe që nuk na braktis
R.SH. / Vatikan
"Buka Eukaristike është prania e vërtetë e Krishtit. Dhe me këtë na flet për një Zot që nuk është i largët dhe xheloz, por i afërt dhe solidar me njeriun; një Zot që nuk na braktis, por na kërkon, na pret dhe na shoqëron në jetë, gjithmonë, deri në atë pikë sa ta vendos veten, të pambrojtur, në duart tona". Kështu tha Papa Françesku në predikimin e Meshës kremtuar sot pasdite në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, në Romë, në solemnitetin e Korpit të Krishtit. Dhe prania e Jezu Krishti në Bukën Eukaristike, nënvizoi Papa, na fton të jemi pranë vëllezërve tanë, aty ku na thërret dashuria”.
Duke filluar nga Altari, do ta çojmë Hosten e Shenjtëruar nëpër shtëpitë e qytetit tonë. Nuk e bëjmë këtë për t'u dukur, as për të lavdëruar fenë tonë, por për t'i ftuar të gjithë të marrin pjesë në Bukën e Eukaristisë, në jetën e re, që na dhuroi Jezusi; t’i ftojmë të gjithë të ecin me ne pas Tij,
“Ai mori bukën dhe bëri bekimin” (Mk 14,22). Është gjesti me të cilin hapet historia e Eukaristisë në Ungjillin e Shën Markut. Edhe ne mund të nisemi nga ky gjest i Jezusit - duke bekuar bukën - për të reflektuar mbi tri përmasat e Misterit, që po kremtojmë: falënderimi, kujtimi dhe prania. Së pari: falënderimi.
Fjala "Eukaristi" do të thotë "faleminderit": është, pra, "falënderim" i Zotit për dhuratat e tij, dhe në këtë kuptim ka shumë rëndësi simboli i bukës: “Është shujta e çdo dite, me të cilën ne sjellim në altar gjithçka jemi e gjithçka kemi: jetën, veprat, sukseset, madje edhe dështimet, siç simbolizohet nga zakoni i bukur i disa kulturave, që e marrin dhe e puthin bukën, kur bie në tokë: të kujtosh se është tepër e çmuar për t'u hedhur tutje, edhe pasi të ketë rënë”.
Çka na mëson Eukaristia
Eukaristia, pra - kujtoi në vijim të homelisë Papa - na mëson t’i bekojmë, t’i mirëpresim dhe t’i puthim, gjithmonë, në shenjë falënderimi, dhuratat e Zotit, dhe kjo jo vetëm në festë, por edhe në jetë. E si? “Për shembull, duke mos i humbur gjërat dhe talentet që Zoti na dhuroi. Por edhe duke falur e duke e ngritur atë që bën gabime dhe rrëzohet për shkak të ligështisë a gabimit: sepse gjithçka është dhuratë dhe asgjë nuk mund të humbasë, e edhe sepse askush nuk duhet të qëndrojë përdhe, por të gjithë duhet të kenë mundësinë të ngrihen dhe të rifillojnë udhëtimin”.
Pastaj duke përshëndetur njëri-tjetrin, çdo mëngjes, me mirënjohje dhe gëzim, për t'i thënë njëri-tjetrit, njëherësh me mirëmëngjesin, edhe "faleminderit" që jeni, faleminderit për dhuratën që jemi për njëri-tjetrin, veçanërisht në familje, me prindërit, fëmijët dhe gjyshërit, e edhe në zyrë, në fabrikë, në shkollë, në rrugë, me miqtë dhe kolegët: “Duke e kryer punën tonë me dashuri, me saktësi, me kujdes, duke e jetuar si dhuratë dhe mision, sidoqoftë, edhe e përvujtë, duke kujtuar se çdo veprim i mirë i njeriut është i shenjtë dhe unik përpara Zotit. Në fund, duke ndarë mes nesh, në mbrëmje, gjestet e dashurisë, për të cilat jemi dëshmitarë ose protagonistë gjatë ditës: si dhurata për t'i kujtuar dhe për t’i festuar, veçanërisht kur mblidhemi bashkë rreth sofrës, që të mos kalojnë pa u vënë re dhe t'i shërbejnë të mirës së të gjithëve”.
A e shihni pra, sa mënyra ka për të falënderuar?
E sigurisht që mund t’u shtojmë edhe të tjera. T’u shtojmë qëndrime të rëndësishme "eukaristike", sepse na mësojnë të kuptojmë vlerën e asaj që bëjmë dhe të asaj që ofrojmë gjatë meshës, kur, siç do të bëjmë së shpejti, sjellim bukën për Shenjtërimin në Altar: atje është jeta jonë e kjo është oferta që Ati e mirëpret (shih Heb 10,6-7), dhe e shndërron në Korpin dhe Gjakun e Birit të vet: “Zoti nuk kërkon nga ne gjëra të mëdha, që bien në sy: kënaqet me atë pak që kemi, nëse e ofrojmë me gëzimin dhe përvujtërinë e atyre që dinë të falënderojnë”.
Së dyti: "të bekosh bukën" do të thotë të kujtosh. E çfarë? Për Izraelin e lashtë ishte kujtim i çlirimit nga skllavëria e Egjiptit dhe fillimit të heksodit drejt tokës së premtuar. Për ne, rijetim i Pashkëve të Krishtit, i mundimeve dhe ringjalljes së tij, me të cilat ai na çliroi nga mëkati dhe nga vdekja: “Po kthehet, i pranishëm në çastin kur Ai Vetë theu bukën e tha: ‘Ky është korpi im, që u flijua për ju; bëjeni këtë në kujtimin tim” (Lk 22,19), dhe në atë, në të cilin, në gjunjë, lau këmbët e apostujve duke thënë: ‘Të dhashë një shembull [...] që edhe ti të bësh si bëra unë” (Gjn 13,15). Në të gjitha këto, Jezusi, i Biri i Zotit, duke u gjunjëzuar lirisht para nesh si "ai që shërben" (Lk 22:27) dhe duke na dhuruar veten si bukë, jo vetëm na çliroi, por edhe na tregoi se si të jetojmë si njerëz të lirë (Gal 5,1).
Ka nga ata që thonë se janë të lirë, që mendojnë vetëm për veten e tyre, që e shijojnë jetën dhe nga ata që, me indiferencë e ndoshta me arrogancë, bëjnë gjithçka dëshirojnë pa pyetur për të tjerët. Por kjo nuk është liri: është skllavëri dhe ne e shohim mirë në situata ku mbyllja në vetvete prodhon varfëri, vetmi, shfrytëzim, luftëra dhe varësi. Në të gjitha këto raste duket qartë se si egoizmi nuk sjell lirinë, por skllavërinë.
“Liria nuk gjendet në kasafortat e atyre që grumbullojnë për vete, as në divanet e atyre, që shtrihen përtueshëm në shkëputje dhe individualizëm: liria gjendet në çenakullin ku, pa asnjë arsye tjetër përveç dashurisë, njeriu përkulet përpara vëllezërve për t'i ofruar shërbimin e tyre, jetën e tyre, si "të shpëtuar" që duan të sjellin shpëtimin dhe "të çliruar" që duan të sjellin lirinë. Kjo na nxit të kujtojmë Pashkët, në bukën e thyer të Eukaristisë”.
Buka Eukaristike, prani e vërtetë e Krishtit
Së fundi, buka eukaristike është prania e vërtetë e Krishtit. Me këtë ai na flet për një Zot që nuk është i largët dhe xheloz, por i afërt dhe solidar me njeriun; që nuk na braktis, por na kërkon, na pret dhe na shoqëron gjithmonë, deri në atë pikë, sa ta lëshojë veten pa kurrfarë mbrojtjeje në duart tona, në mëshirën e pranimit ose të refuzimit tonë.
Prania e tij na fton të jemi pranë vëllezërve tanë ku na thërret dashuria. Të jemi pranë atyre që janë vetëm, atyre që janë larg shtëpisë, kujtdo që ka nevojë për ne, për t’i thënë pa frikë: ‘Ja ku jam, jam këtu. Të ofroj ndihmën time, kohën time, atë që mundem. Ka një shprehje shumë të bukur për të përcaktuar njeriun e mirë, thuhet: ‘është si një copë bukë’, pikërisht për të treguar se ka zemër të madhe, se është i gatshëm për të bërë mirë, se nuk e kursen veten, se e jep vetveten pa pretendime, edhe me çmimin e flijimit të vetes që “lënë të hahet”. Kjo është arsyeja pse Zoti na e dhuron veten si bukë: për të na mësuar të jemi ‘copë buke’ për njëri-tjetrin:
“E sa shumë nevojë ka në botën tonë për këtë bukë, për aromën e saj, që mban erë mirënjohjeje, lirie dhe afërsie! Çdo ditë shohim shumë rrugë, ndoshta dikur me aromë buke të pjekur, të kthyera në grumbuj rrënojash për shkak të luftës, egoizmit, indiferencës! Është urgjente të rikthesh në botë aromën e mirë dhe të freskët të bukës së dashurisë, të vazhdosh të shpresosh e të rindërtosh pa u lodhur kurrë, atë që urrejtja e shkatërron. Le të jemi të parët që e hedhim këtë hap, duke dhënë jetën tonë dhe duke e shndërruar atë në ‘grurë të bluar të Zotit [...] për t'u bërë buka e pastër e Krishtit’ si shkroi një ipeshkëv shenjt e martir i shekujve të parë, duke iu drejtuar Kishës së Romës (shih Shën Injaci i Antiokisë, Letra drejtuar Romakëve)”.
Duke u nisur nga Altari, do ta çojmë Osten në shtëpitë e qytetit tonë.
Ky është edhe kuptimi i gjestit që do të bëjmë së shpejti, me Procesionin Eukaristik - kujtoi në përfundim të homelisë Papa - duke nisur nga Altari, do ta çojmë Osten e Shenjtëruar nëpër shtëpitë e qytetit. “Ne nuk e bëjmë këtë për t'u dukur, as për ta lavdëruar fenë tonë, por për t'i ftuar të gjithë të marrin pjesë në Bukën e Eukaristisë, në jetën e re, që na dhuroi Jezusi; t’i ftojmë të gjithë të ecin me ne pas Tij, me zemër mirënjohëse dhe bujare, në mënyrë që të mund të rrisim në çdo burrë e çdo grua që takojmë, gëzimin dhe lirinë e bijve të Zotit (shih Rom 8:19-21).