Në audiencë tek Papa, Presidenti i Republikës së Kepit të Gjelbër
R. SH. - Vatikan
Pak para se të nisej në Pulia për takimin e G7, Papa Françesku priti sot, 14 qershor, në audiencë, në Pallatin Apostolik të Vatikanit, Presidentin e Republikës së Kepit të Gjelbër, José Maria Pereira Neves, i cili më pas u takua edhe me kardinalin Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, shoqëruar nga Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.
"Gjatë diskutimeve të përzemërta në Sekretarinë e Shtetit - njofton një notë e Sallës së Shtypit të Vatikanit - u nënvizuan marrëdhëniet e mira ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Kepit të Gjelbër dhe u theksuan disa aspekte të situatës shoqërore dhe ekonomike në vend. U fol edhe për zbatimin e marrëveshjes dypalëshe, ratifikuar në vitin 2014”. "Në vijim të bisedës - shënon akoma Salla e Shtypit - u shkëmbyen mendime për aktualitetin ndërkombëtar, duke nënvizuar kryesisht problemet e sigurisë, të konflikteve të vazhdueshme në botë, të fenomeneve migratore dhe trafikimit të qenieve njerëzore.