Kelvin Edward Félix, kardinal kryeipeshkëv nderi Kelvin Edward Félix, kardinal kryeipeshkëv nderi  

Ngushëllimet e Françeskut për vdekjen e kardinalit Kevin Edward Felix

Në një telegram ngushëllimi për vdekjen e kardinalit, më 30 maj, në moshën 91-vjeçare, Papa shpreh mirënjohjen për vitet e gjata të shërbimit të palodhur ipeshkvnor kryer prej tij si kryeipeshkëv i Castries, dioqezë e Amerikës Qendrore Karaibike. Françesku kujton në veçanti "përpjekjet për arsimimin e të rinjve dhe kontributin për Kishën në të gjithë Karaibet".

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku i shprehu "ngushëllimet më të thella" kryeipeshkvit metropolitan të Castries, në Shën Lucia (Antilles), imzot Gabriel Malzaire, klerit, rregulltarëve dhe besimtarëve të kryeipeshvisë dhe të Kishës së Indisë Perëndimore, për vdekjen e Kardinalit Kelvin Edward Felix, kryeipeshkëv nderi i Castries, për të cilin mësoi me dhimbje" lajmin e hidhur. Në telegramin e datës 31 maj, Françesku kujton "me mirënjohje të thellë shërbesën shumëvjeçare ipeshkvnore të kardinalit të ndjerë në Shën Luçia, veçanërisht përpjekjet e tij në edukimin e të  rinjve dhe kontributin për Kishën në të gjithë Karaibet". Në tekst Papa shkruan se bashkohet me lutjet e Kishës lokale "për t'ia porositur shpirtin e tij dashurisë dhe mëshirës së Atit tonë qiellor", ndërsa të gjithë pjesëmarrësve në ritin e varrimit të Kardinalit dhe atyre që vajtojnë për vdekjen e njeriut të dashur, "me shpresën e sigurt e Ringjalljes”, u jep bekimin e tij.

Jetë dhe aktivitet i dendur

Kardinali Kelvin Edward Felix vdiq më 30 maj 2024, në moshën 91 vjeçare. U krijua kardinal nga Papa Françesku në Koncistorin e 22 shkurtit 2014, me titullin  e Shën Marisë së Shëndetit  në Primavalle. Kardinali  e kreu shërbesën në Saint Kitts, Trinidad, dhe mbi të gjitha në Saint Lucia, por luajti një rol udhëheqës në të gjithë zonën e ishullit të Amerikës Qendrore, duke qenë prej kohësh në krye të Konferencës së Kishave të Karaibeve (Ccc) dhe kryetar i Konferencës Ipeshkvnore  të Antileve.

I lindur më 15 shkurt 1933 në Roseau, në ishullin Dominica, i gjashti nga nëntë fëmijët, ai mori arsimin fillor në Shkollën e Djemve Roseau dhe arsimin e mesëm në Shkollën Grammar Dominica. Në fillim të vitit 1951 u regjistrua në Seminarin Saint John Vianney në Trinidad. I shuguruar meshtar në Dominika më 8 prill 1956, ishte prifti i parë vendas i dioqezës së Roseau. Pas përvojave fillestare baritore në shtëpi dhe në Saint Kitts, u transferua në Kanada ku, në vitin 1963, u specializua në fushën pedagogjike. Në vitin 1967  mori një diplomë master në sociologji dhe antropologji nga Universiteti amerikan i Notre Dame (Indiana).

Angazhimi ndaj komunitetit të Karaibeve në Angli

Gjatë viteve të fundit në Universitetin e Bradfordit, Angli (1967-1970), shërbeu si kapelan në bashkësinë e Karaibeve në qytet dhe në të gjithë rajonin West Yorkshire. I prekur thellë nga kushtet e vështira sociale dhe ekonomike të besimtarëve të tij, filloi të organizonte një kooperativë krediti. Nga kjo përvojë lindi Unioni i Kreditit Bradford, i cili mori çmime të shumta ndër vite dhe vijon të lulëzojë, duke dëshmuar se është mjet efektiv për zgjidhjen e problemeve sociale dhe ekonomike të emigrantëve antilas në Mbretërinë e Bashkuar. Pas tre vitesh punë intensive, u emërua ndihmës sekretar i përgjithshëm i Konferencës së Kishave të Karaibeve.

Kryeipeshkëv i Castries për 27 vjet

Më 17 korrik 1981, Gjon Pali II e emëroi kryeipeshkëv metropolitan të Castries, në Shën Lucia, ku shërbeu për 27 vjet, duke marrë shugurimin ipeshkvnor më 5 tetor të të njëjtit vit. E në të njëjtën periudhë u zgjodh edhe kryetar i Konferencës së Kishave të Karaibeve, CCC (1981-1986) dhe më pas, edhe i Konferencës Ipeshkvnore të Antileve (1991-1997). Në ato vite ishte edhe anëtar i Këshillit Papnor për familjen e dialogun ndërfetar dhe i Këshillit të Sinodit të Ipeshkvijve për Amerikën. Përgatiti pritjen e Papës Wojtyła me rastin e udhëtimit të tij në Shën Lucia (7 korrik 1986).

I vlerësuar me çmime të ndryshme publike, duke përfshirë Urdhrin e Perandorisë Britanike, marrë në Londër nga Mbretëresha Elizabeta II, në rolin e tij si kryeipeshkëv, ia kushtoi energjitë baritore kryesisht përgatitjes së klerit vendas, diakonëve të përhershëm dhe katekistëve, organizatave fetare dhe udhëheqësve laikë.  

Gjatë Javës së Madhe 2004, kardinali i ardhshëm Kelvin Eduard Felix u sulmua jashtë katedrales së tij dhe pësoi një plagë të lehtë në fyt. Me mbushjen e moshës 75-vjeçare, më 15 shkurt 2008, Benedikti XVI pranoi dorëheqjen nga qeverisja baritore e kryeipeshkvnisë. Prandaj, kardinali u kthye në Dominika, ku vazhdoi shërbimin e tij në famullitë fshtarake të ishullit. Deri në frymën e fundit!

01 qershor 2024, 13:39