Papa, Ceama e Repam: përshkoni shtigje të reja për Kishën në Amazonë
R.SH. – Vatikan
“Amazona e njeh Papën Françeskun si 'gjysh'. Kështu e quajnë, gjysh, dhe për popujt vendas gjyshi është njeri i mençur, person që drejton e orienton, person që nuk ka interes tjetër përveç atij për të shërbyer e për të inkurajuar jetën”: kështu flet kardinali peruvian Pedro Ricardo Barreto Jimeno, president i Konferencës Kishtare të Amazonës (CEAMA) në një intervistë me Radio Vatikanin - Vatican Neës, pas takimit me Papën dje, 3 qershor. Në audiencën e djeshme morën pjesë anëtarët e Konferencës Kishtare të Amazonës (CEAMA) dhe ata të Rrjetit kishtar Pan-Amazonik ( REPAM).
CEAMA është fryt i Sinodit në Amazonë
“Ne e njoftuam Papën për përparimin që kemi bërë vitet e fundit, pas Sinodit Kishtar në Rajonin Pan-Amazonik, që u mbajt pesë vjet më parë, më 2019 – nënvizon kardinali Barreto. – Kemi parë se Konferenca Kishtare e Amazonës është fryt i pjekur i këtij procesi sinodal të Kishës, që është zhvilluar në të gjithë rajonin". Gjatë audiencës, pjesëmarrësit patën rastin t'i shprehin Papës shqetësimin e tyre për vrasjen e mbrojtësve të mjedisit dhe për shfrytëzimin e burimeve natyrore: "Nxjerrja minerare e jashtëligjshme - thanë ata - e bën situatën gjithnjë e më dramatike, për shkak të pasojave të ndryshimeve klimatike”.
"Përvoja jonë model sinodi për Kishën universale"
Kryetari i Konferencës Kishtare të Amazonës (CEAMA) tregon se Papa Françesku i falënderoi "për punën që po bën Kisha në gjithë Amazonën dhe i inkurajoi të vazhdojnë të punojnë së bashku, duke u impenjuar që përvoja sinodale e Kishës në Amazonë të bëhet model me vlerë edhe në jetën e Kishës universale”. Ne po përjetojmë një kairos kishtar, vazhdon kardinali peruvian, "një kohë të favorshme për përtëritjen e Kishës në Amazonë dhe, nga Amazona, po i ofrojmë edhe Kishës universale një rrugëtim të ri, siç u kërkua në Sinodin Kishtar të Amazonës: shtigje të reja për Kishën”.
Jubileu i vitit 2025 është i lidhur me përshpirtërinë sinodale
Të gjithë të pagëzuarit "janë pjesë e popullit të Zotit, që është për udhë në histori me ngushëllimet e përkëdheljet e Zotit, por edhe me ankthin dhe lotët e shumë vëllezërve e motrave", nënvizon kardinali Pedro Barreto. Duke shikuar të ardhmen e punës misionare dhe sinodale në Amazonë, në kuadrin e Jubileut të 2025-ës, kardinali Barreto sqaron se “Jubileu i shpresës është i lidhur ngushtë me këtë përshpirtëri kishtare sinodale. Që tani, që është fillimi, kemi shenja entuziazmi e ky entuziazëm po shndërrohet në shpresë. E shpresa shndërrohet pastaj në veprim, në një veprim të përbashkët”.
Sot në FAO paraqitja e punimeve të Sinodit Pan-Amazonik
Sot, e martë 4 qershor, në Qendrën Sheikh Zayed të selisë së FAO-s në Romë, paraqiten punimet e Asamblesë së veçantë të Sinodit të Ipeshkvijve për Rajonin Pan-Amazonik, me titull "Shtigje të reja për Kishën dhe për një 'ekologji integrale'”.
Të premten, më 7 qershor, në Universitetin Papnor Gregorian do të mbahet një kongres mbi rrugën sinodale të Kishës në Amazonë, promovuar nga REPAM dhe CEAMA.