Papa: duhet zhvilluar dialogu ndërfetar, për paqen në botë
R.SH./ VATIKAN
Përvojë e frymëzuar nga Shpirti Shenjt: kështu e quan Papa Françesku 'Veprën e Marisë', që njihet më shumë si Lëvizja Fokolare. Duke u takuar sot, në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik, në Vatikan, me pjesëmarrësit në konferencën ndërfetare organizuar nga shoqata, e cila përfshin të krishterë nga shumë Kisha dhe bashkësi të krishtera, besimtarë të feve të tjera dhe njerëz të besimeve jofetare, Papa fillimisht i drejtoi përshëndetjet presidentes Margaret Karram, e lindur në Haifa, Izrael, në një familje palestineze, dhe e siguroi se lutet për tokën e saj, në të cilën jetojnë dy popuj, të dy të shumëvuajtur.
Më pas Papa Françesku shprehu vlerësimin e tij për rrugën e nisur nga Chiara Lubich "me njerëz të feve jo të krishtera, që kanë të përbashkët përshpirtërinë e unitetit": "Rrugë revolucionare" - nënvizoi - që i bën shumë mirë Kishës:
“Dëshmia juaj është arsye për gëzim, arsye për ngushëllim, veçanërisht në këtë kohë konfliktesh, në të cilën feja shpesh shfrytëzohet për të nxitur ndeshje. Dialogu ndërfetar, përkundrazi, është kusht i domosdoshëm për paqen botërore, prandaj edhe detyrë për të krishterët, ashtu si edhe për bashkësitë e tjera fetare".
Shtigje të hapura nga Shpirti Shenjt
Ati i Shenjtë Françesku shpjegon se nismat e Lëvizjes Fokolare shprehin "etjen" e Krishtit për dashuri, bashkim e vëllazëri dhe se themeli i tyre është "Dashuria e Zotit", e cila bëhet e dukshme "në dashurinë reciproke, në dëgjim, në besim, në mirëseardhje dhe njohje me njëri-tjetrin, në respekt të plotë të identiteteve të tyre përkatëse”:
“Është Shpirti Ai që hap shtigje dialogu dhe takimi, ndonjëherë të habitshme. Siç ndodhi më shumë se pesëdhjetë vjet më parë në Algjeri, ku lindi një bashkësi tërësisht myslimane, që u bashkua me Lëvizjen. E kështu ishte edhe për takimet e Chiara Lubich me udhëheqësit e feve të ndryshme: budistët, myslimanët, hinduistët, hebrenjtë, sikët dhe të tjerë. Një dialog që vijon të zhvillohet”.
Bashkëpunim solidar
Falë takimeve të dialogut të praktikuara tashmë prej vitesh, "miqësia dhe bashkëpunimi vijuan në përpjekjen për t'iu përgjigjur së bashku thirrjes së të varfërve në kujdesin për krijimin, në punën për paqen" - kujtoi Papa - duke shtuar se "përmes kësaj udhe", disa “jo të krishterë e pranuan përshpirtërinë e Veprës së Marisë ose disa nga tiparet karakteristike të saj dhe i jetojnë ndërmjet njerëzve të tyre”. Njerëz me të cilët vijon marrëdhënia e vëllazërimit dhe "ëndërrohet një botë më e bashkuar në harmoninë e diversitetit". Prej këndej, Papa Françesku i inkurajoi anëtarët e Lëvizjes Focolare të ecin gjithmonë përpara!