Papa: feja, një histori dashurie me Zotin
R.SH. - Vatikan
“Me rrëfimin e veprave që Zoti ka bërë për ne, Shkrimi i Shenjtë zgjidh ankorimet e një feje të paralizuar dhe na bën të shijojmë jetën e krishterë ashtu siç është në të vërtetë: një histori dashurie me Zotin. #Fjala e Zotit”. Kështu pohon Papa Françesku sot, 25 qershor 2024, në platformën sociale X.
Lexojeni Biblën, në të na flet Zoti
“Bibla”, pohon Papa Françesku, është “libër i zjarrtë, një libër në të cilin Zoti flet. Prandaj mos harroni: Bibla nuk është për t’u vendosur në një raft, por është shkruar për t’u mbajtur në dorë, për t’u lexuar shpesh, çdo ditë, si vetëm e po kështu edhe bashkë me të tjerët”. Kjo pra, thirrja që Papa Bergoglio bënë në parathënien e botimit të ri të Biblës, në mars të vitit2015 në gjuhën italiane, për të rinjtë.
“Lexojeni me vëmendje Biblën. Mos rrini në sipërfaqe, siç bëhet me një libër vizatimor!”, nënvizon Papa në paradhënien e Biblës për të rinjtë, botuar në mars të vitit 2015 nga Civiltà Cattolica.
Bibla është burimi i jetës shpirtërore
“Dua të ju rrëfej si e lexoj Biblën time të vjetër: shpesh e marr, e lexoj për pak kohë, pastaj e vë anash e lëshohem në vështrimin e Zotit. Nuk jam unë që e shikoj Atë – shpjegon Papa -, por Ai më vështron mua: Zoti është vërtetë aty, i pranishëm. Kështu lëshohem para vështrimit të Tij dhe e ndjej – e nuk është sentimentalizëm -, e perceptoj në thellësinë time atë që Zoti më thotë. Nganjëherë nuk flet: e atëherë nuk ndjej asgjë, vetëm zbrazëti, zbrazëti, zbrazëti.... Mirëpo, plot durim, qëndroj aty e kështu pres, duke lexuar e duke u lutur”.