Françesku: meshtari nuk ecën vetëm, krijon një rrjet marrëdhëniesh vëllazërore

Paraditen e sotme Papa priti në audiencë pjesëmarrësit në asamblenë e përgjithshme të Dikasterit vatikanas për Klerin. Theksoi tre aspekte: formimin, vëmendjen për thirrjet në meshtari dhe diakonatin e përhershëm, për identitetin e të cilit vijon reflektimi: "Kushtojini vëmendje shenjave të Shpirtit Shenjt, përmasës njerëzore dhe shpirtërore, gjeni gjuhën e përshtatshme për ungjillëzim"

R.SH. – Vatikan

Papa Françesku takoi sot, 6 qershor, në Sallën Klementine, pjesëmarrësit në asamblenë e përgjithshme të Dikasterit vatikanas për Klerin, me të cilët u ndal në tre aspekte: formimi i vazhdueshëm i meshtarëve, promovimi i thirrjeve dhe diakonati i përhershëm. Në fjalën e tij ai nënvizoi rëndësinë që ka rrjeti i marrëdhënieve vëllazërore për meshtarët, pasi "udhëtimi nuk bëhet vetëm", këshilloi të përdoret krijimtari dhje të dëgjohet Shpirti Shenjt për të përballuar sfidat e së tashmes.

Mirënjohja e Papës

Papa u shprehu mirënjohjen priftërinjve dhe diakonëve të mbarë botës:

“Shumë herë kam paralajmëruar për rrezikun e klerikalizmit dhe të mendësisë shpirtërore të kësaj bote, por e di mirë se shumica e meshtarëve punojnë me bujari dhe frymë feje për të mirën e Popullit të shenjtë të Zotit, duke mbajtur barrën e shumë përpjekjeve e duke u bërë ballë sfidave baritore dhe shpirtërore, që nganjëherë nuk janë të lehta”.

Papa Françesku me kardinalin Lazzaro You Heung-sik, Prefekt i Dikasterit për Klerin
Papa Françesku me kardinalin Lazzaro You Heung-sik, Prefekt i Dikasterit për Klerin

Formimi i marrë në Seminar nuk është i mjaftueshëm

Françesku deshi të reflektonte për secilën nga tri temat mbi të cilat u zhvillua puna e asamblesë, duke filluar nga ajo qendrore e formimit të meshtarëve. Në një botë që ndryshon vazhdimisht si kjo e sotmja, nënvizoi ai, formimi duhet të jetë i përhershëm, prandaj, ai i marrë në Seminar nuk mjafton.

“Jemi të thirrur ta konsolidojmë, ta forcojmë dhe ta zhvillojmë ç’kemi marrë në Seminar, në një rrugë që na ndihmon të maturohemi në përmasën njerëzore, të zhvillohemi shpirtërisht, të gjejmë gjuhët e përshtatshme për ungjillëzimin, të thellojmë ç’na nevojitet për t’u bërë ballë si duhet problemeve të reja të kohës sonë”.

Shumë priftërinj janë tepër të vetmuar

Çështja e vetmisë, që përjetohet shpesh nga meshtarët, është thelbësore për Françeskun. “Udhëtimi nuk bëhet vetëm”, pohoi ai, duke vënë në dukje se shoqërimi i meshtarëve është hir e se ata nuk mund të ecin përpara pa ndjenjën e përkatësisë në Kishën ku bëjnë pjesë.

“Krijimi i një rrjeti të fuqishëm marrëdhëniesh vëllazërore është detyrë parësore e formimit të vazhdueshëm: ipeshkvi, meshtarët ndërmjet tyre, bashkësitë me barinjtë e tyre, rregulltarët dhe murgeshat, shoqatat, lëvizjet… është e domosdoshme që priftërinjtë të ndihen "në shtëpi". Ju si Dikaster keni filluar të krijoni një rrjet global: ju këshilloj të bëni gjithçka mundeni për të siguruar që kjo valë të vazhdojë dhe të japë fryte në të gjithë botën”.

Nga audienca...
Nga audienca...

Mos u shkurajoni nga rënia e thirrjeve

Rënia e thirrjeve në jetën meshtarake e rregulltare është "një nga sfidat e mëdha për Popullin e Zotit", vërejti Papa, por janë në krizë edhe thirrjet në martesë. Për këtë arsye, shpjegoi ai, në mesazhet më të fundit për Ditën Botërore të Lutjes për Thirrjet, është folur "për të gjitha thirrjet e krishtera", në veçanti për thirrjen themelore, që i bashkon gjithë të pagëzuarit si dishepuj të Krishtit.

“Nuk mund të shkurajohemi nga fakti se për shumë të rinj hipoteza e dhurimit radikal të jetës është zhdukur nga horizonti. Duhet të reflektojmë së bashku dhe të jemi të vëmendshëm ndaj shenjave të Shpirtit Shenjt. Këtë detyrë mund ta kryeni edhe falë Veprës Papnore për Thirrjet në Meshtari. Ju ftoj ta riaktivizoni këtë realitet, me mënyrat e përshtatshme për kohën tonë”.

Kontributi në reflektimin mbi diakonatin e përhershëm

Pastaj Papa trajton temën e tretë të asamblesë: diakonatin e përhershëm, mbi "identitetin e veçantë" të të cilit ka shumë pyetje. Ati i Shenjtë fton të kontributohet në këtë reflektim, duke u bazuar edhe mbi këshillat e Sinodit të Ipeshkvijve, i cili vë në qendër "diakoninë e bamirësisë dhe shërbimin për të varfrit".

Së fundi, Papa e ftoi Dikasterin për Klerin të punojë gjithmonë “që populli i Zotit të ketë barinj sipas zemrës së Krishtit” të shoqëruar nga Maria, “model i çdo thirrjeje”.

06 qershor 2024, 16:22