Papa Francesco Papa Francesco

Papa Françesku “shkon me pushime”…

Papa Françesku “shkon me pushime”. Kështu shkruhet këto ditë të përvëluara vere. Po ku shkon? Prefektura e Familjes Papnore njofton se nga data 1 korrik deri në fund të muajit, si zakonisht, audiencat e përgjithshme e të veçanta janë pezulluar. Seancat do të rifillojnë në gusht, e pikërisht të mërkurën, më 9 gusht. Po deri atë ditë, ku do të pushojë Papa? E si?

R.SH. / Vatikan

Kur shqiptojmë fjalët “pushime verore”, mund të na shkojë mendja se Françesku po bën gati valixhen për t’u nisur në Alpet italiane a në Castel Gandolfo, ku i kemi ndjekur me vjet papët në pushimet e tyre të merituara verore. A, ndoshta, edhe në Argjentinën e tij?!

Po Françeskut nuk i pëlqen të lëvizë nga Vatikani, edhe atëhere kur vapa bëhet e padurueshme. Pushon, atje ku punon. A më mirë të themi, punon, atje ku pushon. Së pari, duhet të përjashtojmë nga ky përshkrim foljen “shkon”. Papa nuk shkon gjëkundi. Do të jetë këtu, pranë nesh, në një "ndalesë" prej një muaji brenda mureve Leonine.

Pushimet e Françeskut na kujtojnë sakaq edhe verën e Papëve të tjerë, e posaçërisht, të Benediktit XVI.

Të gjithë Papët u larguan nga vapa e Romës në verë, kryesisht për t'u strehuar në Castel Gandolfon e freskët, në Vilën e bukur Papnore. Një pallat i lashtë, me kopshte, fermë dhe pamje nga liqeni Albano, i pasur me blerime e, sidomos, me histori: Pali VI ndërroi jetë pikërisht atje, në gusht 1978… Ndërsa në prill 2013, vila ishte sfondi i takimit të parë të Ratzinger-it "dorëheqës" dhe të sapozgjedhurit, Papës Bergoglio… E kjo, vetëm për të përmendur shkarazi disa episode.

Sot, Vila Papnore nuk i pret më festat e Papëve. Që nga viti 2016, Papa Françesku ka hequr dorë prej saj, duke e shndërruar në muze e duke   pëlqyer më tepër pushimet në Domus Santa Marta, në Vatikan, ku i kalon ditët më shumë me punë, sesa me pushime… Prandaj edhe këtë vit për Papën argjentinas pritet “pushimi romak”, që do të ndërpritet vetëm të dielave, për lutjen tradicionale të Engjëllit.  

Po si i kalon këto ditë Françesku? Papa zakonisht përfiton nga kjo periudhë pushimi për t'u lutur e për të lexuar, pa harruar edhe të pushojë, ndoshta edhe pse të gjithë e dinë se “është me pushime”. E, edhe pse  largohet rrallë e për mall nga streha e tij në Shën Martë, i shfrytëzon këto ditë me një orar pakëz më të lirë se i zakonshmi, për t’u takuar edhe me miqtë. Ditë që ne do t’i përshkruajmë, duke e ndjekur Papën në pushime, për të mësuar se të pushosh nuk do të thotë vetëm të notosh a të humbasësh në kaltërsi e blerime…

Po Françeskut nuk i pëlqen të lëvizë nga Vatikani, edhe atëhere kur vapa bëhet e padurueshme. Pushon, atje ku punon. A më mirë të themi, punon, atje ku pushon. Prej këndej vërtet do të ndërpriten audiencat e përgjithshme e të jashtëzakonshme e edhe ndonjë veprimtari publike, por Papën do ta kemi në Vatikan e do ta shikojmë përsëri çdo të diel, duke kremtuar lutjen e Engjëllit të Tënzot. Me përjashtim të  ndonjë ngjarje të re, të papritur…

30 qershor 2024, 17:14