Papa: “Inteligjenca artificiale është dhe duhet të mbetet mjet në duart e njeriut”
R.SH. / Vatikan
Papa Françesku rikthehet tek çështja e “Inteligjencës artificiale”, për të cilën ka folur në disa raste e, së fundi, në fjalimin e tij të G7 në Pulia, pasi pati shkruar më parë për të edhe në Laudato si', në Laudate Deum si dhe në Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes 2024. E në të gjitha rastet shpjegon se "Ka një ndikim shkatërrues në ekonomi dhe në shoqëri e mund të ketë ndikime negative edhe në cilësinë e jetës, në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve dhe ndërmjet vendeve, në stabilitetin ndërkombëtar dhe në shtëpinë tonë të përbashkët".
Prandaj pikërisht Fondacionit Centesimus Annus Pro Pontifice i përket vlerësimi për zgjedhjen e bërë:
“Vlerësoj faktin që Centesimus Annus i ka krijuar hapësirë të mjaftueshme kësaj teme, duke përfshirë studiues dhe ekspertë nga vende dhe disiplina të ndryshme, duke analizuar mundësitë dhe rreziqet që lidhen me zhvillimin dhe përdorimin e AI, me kapjen tërthore të problemit dhe, mbi të gjitha, me një vështrim antropocentrik, e duke pasur parasysh edhe rrezikun e fuqizimit të paradigmës teknokratike”.
Papa vlerëson, në veçanti, zgjedhjen e një përçapjeje shumëdisiplinore ndaj AI, themelore për të kuptuar të gjitha aspektet e saj. Prandaj rithekson "nevojen për zhvillimin etik të algoritmeve, në të cilat vlerat drejtojnë rrugët e teknologjive të reja", duke nënvizuar se AI, ashtu si "mjetet e tjera kyçe" të krijuara nga njeriu, "është e duhet të mbetet mjet në duart e tij”. Françesku e thekson fuqinë transformuese të AI si pozitivisht ashtu edhe negativisht. Në këtë kuptim të dytë, AI mund të forcojë paradigmën teknokratike dhe kulturën e mbeturinave, pabarazinë ndërmjet vendeve të përparuara dhe atyre në zhvillim, delegimin në makineri të vendimeve themelore për jetën e qenieve njerëzore.
Me rastin e G7-ës së fundit, Papa kujton se për këtë arsye ftoi "politikën të miratojë veprime konkrete për të qeverisur procesin teknologjik që po zhvillohet në drejtim të vëllazërisë dhe të paqes universale". Më pas citon Stephen Hawking, kozmolog, fizikan dhe matematikan i njohur i cili, në një intervistë për BBC, argumentoi se "zhvillimi i plotë i AI mund të nënkuptojë fundin e racës njerëzore".
A e duam zhdukjen e plotë të njeriut mbi tokë?!
Kështu Papa pyet vetveten: "A është kjo ajo, që duam?". E pas saj, bën edhe pyetjen e dytë e themelore, që ia bëjnë të gjithë vetes: për çfarë shërben AI? A shërben për të kënaqur nevojat e njerëzimit, për të përmirësuar mirëqenien dhe zhvillimin integral të njerëzve, apo i shërben pasurimit dhe rritjes së fuqisë, tashmë të lartë, të atyre pak gjigantëve teknologjikë, pavarësisht nga rreziqet për njerëzimin?
“Që AI të përfaqësojë përfitimin për njerëzimin, është e nevojshme të vendosen kritere për zhvillimin e saj e, në këtë kuptim, Papa sugjeron disa shtigje pune, që i vënë në pikëpyetje "degë të ndryshme të filozofisë dhe të ligjit, përveç disiplinave më specifike":
“Të dashur miq, e ardhmja e ekonomisë, e qytetërimit dhe e vetë njerëzimit do të luhet në frontin e inovacionit teknologjik. Nuk duhet të humbasim mundësinë për të menduar dhe për të vepruar në mënyrë të re, me mendje, zemër dhe duar, për të drejtuar risinë drejt një konfigurimi të përqendruar mbi epërsinë e dinjitetit njerëzor”.