Papa: jo "të mbyllur në vetvete", në sintoni me Shpirtin Shenjt për një Kishë sinodale

Papa u takua sot, në Vatikan, me moderatorët e mbi njëqind shoqatave, lëvizjeve dhe komuniteteve të reja që pasurojnë jetën e Kishës me karizmat e tyre. “Të gjithë jemi të thirrur për ungjillëzimin”, pohoi Ati i Shenjtë, duke u treguar pjesëmarrësve tre qëndrime mbi të cilat duhet të fokusohen për një konvertim shpirtëror të nevojshëm për krijimin e një stili sinodal. Midis tyre është përvujtëria pa të cilën "është vërtet e pamundur të jetosh sinodalitet"

R.SH. - Vatikan

"Të mendosh sipas Zotit, të kapërcesh çdo mbyllje dhe të kultivosh përvujtërinë": këto janë tre qëndrimet sinodale që Papa Françesku u tregon të pranishmëve në audiencë në kuadrin e takimit vjetor të promovuar nga Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Laikët, Familjen dhe Jetën me moderatorë të shoqatave të besimtarëve, lëvizjeve kishtare dhe komuniteteve të reja. Sinodaliteti është në fakt tema e ditës dhe për t'u rritur në këtë dimension është e nevojshme të bëhet "një ndryshim i brendshëm", thekson Papa, "duhet një 'konvertim' i vërtetë".

Dëshira ime, në fakt, është që, pas këtij Sinodi, sinodaliteti të mbetet si një mënyrë e përhershme e veprimit në Kishë, në të gjitha nivelet, duke hyrë në zemrat e të gjithëve, barinjve dhe besimtarëve, deri në atë pikë sa të bëhet një "stili kishtar" i përbashkët.

Të menduarit si Zot

"Virtyti i parë sinodal" i nevojshëm për ta realizuar këtë konvertim shpirtëror është "kalimi nga një "mendim i vetëm njerëzor" në "mendimin e Zotit". Papa kujton qortimin që Jezusi i drejtoi Pjetrit kur, duke menduar "sipas njerëzve". apostulli pati refuzuar udhën e mundimeve dhe të vdekjes së Mësuesit. Dhe Ati i Shenjtë paralajmëron:

Në Kishë, përpara se të marrim çdo vendim, përpara se të nisim çdo program, çdo apostullim, çdo mision, duhet gjithmonë të pyesim veten: çfarë kërkon Zoti nga unë, nga ne, në këtë moment, në këtë situatë?A është ajo që unë kam në mendje, ajo që ne si grup kemi në mendje, është me të vërtetë "mendimi i Zotit"?

Papa nënvizon se “protagonisti i rrugës sinodale të Kishës është Shpirti Shenjt” dhe se “Zoti është gjithmonë më i madh se idetë tona” dhe grupi të cilit i përkasim. Prandaj, sfida e parë është të përpiqemi të përshtatemi, të jemi në sintoni me Të.

Kapërcimi i tundimit të "rrethit të mbyllur"

Treguesi i dytë, tejkalimi i çdo mbylljeje, kërkon tejkalimin e "tundimit të rrethit të mbyllur". Mendimet e Papës shkojnë gjithnjë tek dishepujt e parë të Jezusit, veçanërisht te Gjoni, i cili, siç na thotë Ungjilli, donte të pengonte një burrë të praktikonte një ekzorcizëm në emër të Jezusit, sepse ishte i huaj për rrethin e tyre. “Kush nuk është kundër nesh është me ne” (Mk 9,38), i thotë Mësuesi.

E kjo është një sfidë edhe për ne: të mos shkojmë përtej asaj që mendon "rrethi" ynë, të jemi të binduri se ajo që bëjmë është e mirë për të gjithë, për të mbrojtur, ndoshta pa e kuptuar, pozicione, të drejta të veçanta apo prestigje "të grupit". Ose të lëmë veten të bllokohemi nga frika e humbjes së ndjenjës së përkatësisë dhe identitetit përkatës, për shkak të faktit të hapjes ndaj njerëzve të tjerë dhe mënyrave të tjera të të menduarit, pa e njohur diversitetin si një mundësi, dhe jo një kërcënim.

“Të shikojmë përtej gardheve”, duke parë veprën e Zotit edhe tek ata që nuk i njohim dhe në gjëra të reja, duke e lënë veten të “goditemi, madje të lëndohemi” nga përvoja e të tjerëve, e gjithë kjo kërkon sinodalitet.

Është e pamundur të jetosh sinodalitetin pa përvujtëri

Prandaj themelore për ndërtimin e një Kishe sinodale për Papën është të kultivosh përvujtërinë. Ati Shenjtë thotë se përvujtëria “është porta e të gjitha virtyteve” dhe është pikënisja e kthimit shpirtëror. Është një hir që duhet ta përkojmë prej Zotit, nëse e kuptojmë se tek ne ka zënë vend krenaria apo arroganca. "Vetëm të përvuajturit, në fakt - thotë Papa - arrijnë gjëra të mëdha në Kishë, sepse ata që janë të përulur kanë themele të forta, janë të mbështetur në dashurinë e Zotit". Dhe Ati i Shenjtë i përshkruan frytet që rrjedhin nga përvujtëria:

Në fakt, vetëm njeriu i përulur i vlerëson të tjerët dhe mirëpret kontributin, këshillën, pasurinë e brendshme të tyre, duke nxjerrë në pah jo "unë-in" e tij, por "ne-" e komunitetit. Është njeri i përvuajtur ai që mbron bashkimin në Kishë, duke shmangur ndarjet, duke tejkaluar tensionet, duke ditur të lërë mënjanë edhe iniciativat e veta për të kontribuar në projekte të përbashkëta, dhe këtë sepse ai gjen gëzim në shërbim dhe jo zhgënjim apo pakënaqësi.

Përmirësoni karizmat nga një këndvështrim kishtar

Urimi i Papës për të gjitha entitetet kishtare të pranishme është që takimi i sotëm dhe momente të tjera të ngjashme të ndihmojnë për të vlerësuar karizmat e secilit "në një këndvështrim kishtar", për të dhënë, kështu, "kontributin bujar dhe të çmuar për ungjillëzimin, në të cilin jemi të gjithë të thirrur".

13 qershor 2024, 11:08