Kërko

Papa kërkon që Jubileu të jetë në mbrojtje të dinjitetit njerëzor

Papa fjalimin e mbajtur sot në Campidoglio, ia kushtoi krejtësisht ngjarjes së madhe, Jubileut të vitit 2025: “Kjo ngjarje nuk mund të mos e përfshijë edhe qytetin, për sa i përket vëmendjes dhe punës së nevojshme për të mirëpritur shtegtarët e shumtë, që do ta vizitojnë, duke u bashkuar me turistët, të cilët vijnë për të admiruar thesarin e pamasë të veprave të artit dhe gjurmët madhështore të shekujve të kaluar.

R.SH. / Vatikan

Fjalimin e mbajtur sot paradite në Campidoglio, Bashkinë e Romës, Papa Françesku ia kushtoi krejtësisht ngjarjes së madhe, Jubileut të vitit 2025: “Kjo ngjarje nuk mund të mos e përfshijë edhe qytetin, për sa i përket vëmendjes dhe punës së nevojshme për të mirëpritur shtegtarët e shumtë, që do ta vizitojnë, duke u bashkuar me turistët, të cilët vijnë për të admiruar thesarin e pamasë të veprave të artit dhe gjurmët madhështore të shekujve të kaluar.

Roma është e pashoqe! Prandaj, jubileu i ardhshëm do të mund të ndikojë pozitivisht edhe në pamjen e vetë qytetit, duke përmirësuar dekorin e tij dhe duke i bërë më efikase shërbimet publike, jo vetëm në qendër, por edhe duke favorizuar afrimin e qendrës me periferinë”:

“Është e papërfytyrueshme - nënvizoi Papa Françesku – që e gjithë kjo mund të ndodhë në mënyrë të rregullt dhe të sigurt, pa bashkëpunimin aktiv dhe bujar të autoriteteve të bashkisë kapitoline dhe atyre kombëtare”.

Papa Françesku e shfrytëzoi këtë rast që të falënderonte "autoritetet komunale për angazhimin e tyre në përgatitjen e Romës, lidhur me mirëpritjen e shtegtarëve të Jubileut të ardhshëm, si dhe qeverinë italiane, për gatishmërinë e saj të plotë të bashkëpunimit me autoritetet kishtare  për suksesin e Jubileut, duke pranuar dëshirën për bashkëpunim miqësor, që karakterizon marrëdhëniet e ndërsjella të Italisë me Selinë e Shenjtë, marrëdhënie plotësisht njerëzore. Shumë herë mendjelehtësia mund të na bëjë të mendojmë se marrëdhëniet janë paratë. Jo, kjo është e dorës së dytë! “Vetëm ato ndërmjet autoriteteve janë marrëdhënie njerëzore”.

“Roma është qytet me shpirt universal. Ky shpirt dëshiron të jetë në shërbim të bamirësisë, në shërbim të mirëseardhjes dhe të mikpritjes. Shtegtarët, turistët, mërgimtarët, të përjashtuarit, të pastrehët, të vetmuarit, të sëmurët, të burgosurit, të përjashtuarit, qofshin dëshmitarët më të vërtetë të kësaj fryme”.

Papa Françesku në sallën Giulio Cesare, në Campidoglio, në prani të kryebashkiakut Roberto Gualtieri, njoftoi se për këtë arsye "vendosi të hapë një Derë Shenjte, në një burg". Të dëshmojë - shtoi Ati i Shenjtë - se autoriteti është plotësisht i tillë kur e vë veten në shërbim të të gjithëve, kur përdor fuqinë e tij legjitime për të plotësuar nevojat e qytetarëve e, në veçanti, të më të ligshtëve e më të papërfillurve!

10 qershor 2024, 12:28