Kërko

2024.06.15 Papa abbraccia anziano 2024.06.15 Papa abbraccia anziano

Papa: kundër pleqve, eutanazi e fshehur e kulturë helmuese

Me rastin e Ditës Botërore kundër shpërdorimeve të pleqve Papa, në faqen e tij të internetit @Pontifex me rastin e ditës së sotme botërore kundër shpërdorimit të të moshuarve, i kundërvihet logjikës që i konsideron njerëzit me moshë të shkuar si material pa pikë vlere, domethënë si hedhurina!

R.SH. / Vatikan

Fjala e moshuar, sipas fjalorit italian Treccani, rrjedh nga frëngjishtja ancien e lidhet me termin ante. Kjo parafjalë latine tregon atë që vjen e para, por sot njerëzve në moshë të shtyrë shpesh nuk u jepet përparësi dhe pasuria e tyre e mençurisë dhe e përvojës shpërfillet. Të moshuarit shpesh flaken në skutat e shoqërisë, siç kujton Papa Françesku në faqen e tij të internetit @Pontifex me rastin e ditës së sotme botërore kundër shpërdorimit të të moshuarve. “Sa shpesh - shkruan Papa - të moshuarit flaken tutje, braktisen me eutanazi të vërtetë, të fshehur! Është efekt i kulturës së hedhurinës, që i bën shumë dëm botës sonë. Të gjithë jemi të thirrur për t'iu kundërvënë kësaj kulture helmuese të flakjes".

Eutanazi e fshehur

Eutanazia e fshehur, të cilën e kujton Papa, është kulturë vdekjeje në të cilën mbizotëron përjashtimi dhe shpërdorimi. Logjikë perverse, që çon në përjashtimin e njerëzve të moshës së shtyrë nga kujdesi dhe ilaçet e nevojshme. Në disa vende, pati kujtuar Françesku në fjalimin drejtuar më 2023 anëtarëve të Shoqatës Fetare të Instituteve Sociale dhe Shëndetësore (Aris), "të moshuarit, që duhet të marrin katër ose pesë ilaçe, arrijnë të marrin vetëm dy: kjo është eutanazia progresive, sepse nuk u jepet ajo që u nevojitet për t’u shëruar”. Eutanazia e fshehur është mënyrë bashkëkohore me të cilën flaken tutje të moshuarit. "Ato nuk janë më të nevojshëm, e ajo që nuk është e nevojshme, flaket tutje" - pati pohuar Papa në vitin 2014, gjatë vizitës së tij në Bashkësinë e Shën Egjidit. Të moshuarit janë pra "hedhurina", siç kujtoi Françesku në fjalimin e tij para anëtarëve të Komisionit Papnor për Amerikën Latine, më 28 shkurt 2014: "Më kujtohet vizita në një shtëpi shtetërore të moshuarish në Buenos Aires, ku shtretërit ishin të gjithë të zënë, e, meqë nuk kishte shtretër, vinin dyshekë në dysheme e aty shtriheshin të moshuarit. Nuk po mundka një vend të blejë një shtrat? Kjo tregon diçka tjetër, apo jo? Janë hedhurina! Dyshekë të ndotur, me të gjitha llojet e papastërtive; pa piceta; ashtu hanin të varfërit, që pastaj fshinin gojën me çarçafë... E pashë me sytë e mi këtë, nuk ma tha njeri”. Kjo “eutanazi e fshehur” - pohoi Papa kur iu drejtua Asamblesë Plenare të Akademisë Papnore për Jetën, në vitin 2021, ua shkurton jetën të moshuarve. “E me këtë ne mohojmë shpresën”, shpresën e cila “është në rrënjët, që na japin të moshuarit”.  

Kultura e hedhurinës

Vetmia dhe shpërdorimi janë bërë tipare dalluese të jetës së shumë të moshuarve. “Në disa raste - nënvizoi Françesku në mesazhin e tij me rastin e Ditës së IV Botërore të Gjyshërve dhe të Moshuarve - janë rezultat i  përjashtimit të planifikuar, një lloj “komploti social” i trishtuar; në raste të tjera fatkeqësisht është një vendim individual. Herë të tjera akoma, pretendim se është zgjedhje autonome. “Gjithnjë e më shumë e kemi humbur shijen e vëllazërisë”. Kultura e hedhurinës nuk përfshin planet për t'i lejuar njerëzit ta jetojnë plotësisht pleqërinë. Në shumë struktura sociale ka "zbrazëti mendimi, imagjinate, krijimtarie" - kujtoi Françesku në audiencën e përgjithshme më 23 shkurt 2022: "duhet kuptuar mirë se të moshuarit "janë bekim për shoqërinë". Të moshuarit nuk duhet të përjashtohen ose të hidhen poshtë. Ata meritojnë shenja shprese, siç nënvizon Papa në Bulën që shpall Jubileun e zakonshëm të Vitit 2025. Ne duhet "t’i vlersojmë si thesar, sepse thesar janë; të vlerësojmë përvojën e tyre jetësore, mençurinë që sjellin dhe kontributin që janë në gjendje të ofrojnë. Ky është angazhim për bashkësinë e krishterë dhe për shoqërinë civile, të thirrur që të punojë për bashkëpunimin ndërmjet brezave”.

Në qendër të vëmendjes, të moshuarit në raste urgjente

Dita Botërore kundër Shpërdorimit të të Moshuarve, e krijuar në vitin 2006 nga "Rrjeti Ndërkombëtar për Parandalimin e Abuzimit të të Moshuarve"  festohet më 15 Qershor. Tema e këtij viti përqendrohet tek të moshuarit në raste urgjente. Fatkeqësitë natyrore, pandemitë ose konfliktet - kujton OKB-ja - prekin në mënyrë disproporcionale njerëzit e moshës së shtyrë, duke i ligështuar më tutje. Problemet e lëvizjes, kushtet kronike shëndetësore ose izolimi shoqëror mund t’i pengojnë të moshuarit për të kërkuar ndihmë, për të qenë të sigurt, për të pasur kujdes mjekësor dhe shërbime mbështetëse në kohën e duhur. Kaosi në situata emergjente - lexojmë në kanalin e Kombeve të Bashkuara kushtuar Ditës së sotme - mund ta thellojë rrezikun e shpërdorimit të të moshuarve, duke përfshirë   shpërdorimin fizik dhe atë emocional. Kjo është arsyeja pse zhvillimi i politikave gjithëpërfshirëse është i nevojshëm, në mënyrë që të moshuarit të mos braktisen, veçanërisht në situata krize.

15 qershor 2024, 20:58