Kërko

Mesazhi Papës për 80-vjetorin e zbarkimit të Normandisë: njerëzit duan paqe

Tetëdhjetë vjet më parë trupat aleate zbarkuan në Normandi, duke përshpejtuar fundin e Gjermanisë naziste dhe të Luftës së Dytë Botërore. Në një mesazh drejtuar ipeshkvit të Bayeux me rastin e përvjetorit, Françesku thotë se "kujtimi i gabimeve të së kaluarës që ka mbështetur vullnetin e vendosur për të bërë gjithçka që është e mundur për të parandaluar shpërthimin e një konflikti të ri botëror të hapur", shkruan Papa, sot duket se njerëzit e "kanë kujtesën e shkurtër".

R.SH. / Vatikan

Mijëra varre ushtarësh të rreshtuar në varrezat e mëdha të Normandisë janë, për Papën Françesku, kujtimi më i prekshëm i asaj "përpjekjeje kolektive e ushtarake kolosale dhe mbresëlënëse që është bërë për të fituar lirinë", është fjala për zbarkimin e Aleatëve. Tetëdhjetë vjet më vonë, Papa i dërgon një mesazh Imzot Jacques Habert, ipeshkëv i Bayeux, në Katedralen e të cilit u mblodhën autoritetet civile, fetare dhe ushtarake për të përkujtuar ngjarjen historike e cila, më 6 qershor  të vitit 1944, kontribuoi në mënyrë vendimtare për përfundimin e Luftës së Dytë Botërore dhe rivendosjen e paqes.

"Kurrë më luftë!". Papa Françesku, në mesazhin e tij për 80-vjetorin e zbarkimit në Normandi, citon fjalimin e paraardhësit të tij Palit VI nga foltorja e OKB-së në tetor të vitit 1965. "Kurrë më luftë! - shkruan Ati i Shenjtë Bergoglio - nëse, për shumë dekada, kujtimi i gabimeve të së kaluarës ka mbështetur vullnetin e plotë për të bërë gjithçka që është e mundur për të parandaluar një konflikt të ri botëror të hapur, sot vërej me pikëllim se kjo nuk është më kështu dhe se njerëzit e kanë kujtesën e shkurtër. Na ndihmoftë ky përkujtim ta gjejmë atë sërish!

Është shqetësuese, në fakt, që hipoteza e një konflikti të përgjithësuar, nganjëherë, merret sërish seriozisht në konsideratë, në mënyrë që popujt të familjarizohen gradualisht me këtë eventualitet të papranueshëm. Popujt duan paqe! Ata duan kushte stabiliteti, sigurie dhe prosperiteti ku të gjithë mund të përmbushin në mënyrë paqësore detyrën dhe fatin e tyre. Ta prishësh këtë rend fisnik të gjërave për ambicie ideologjike, nacionaliste dhe ekonomike është faj i rëndë para historisë, mëkat para Zotit”.

Prandaj, lutja e Françeskut i drejtohet Zotit për "njerëzit që duan luftëra, për ata që i shkaktojnë ato, për ata që i nxisin dhe ushqejnë në mënyrë të pakuptimtë, që i zgjasin në mënyrë të kotë dhe që përfitojnë prej tyre në mënyrë cinike", në mënyrë që "Zoti t'ua ndriçojë zemrat" e "të vërë para syve të tyre korteun e fatkeqësive që shkaktojnë”. “Të duash paqen nuk është ligësi”, por kërkon guxim, për të hequr dorë nga diçka, vazhdon Papa, duke u lutur, pastaj, për punëtorët e paqes me shpresën se “duke kundërshtuar logjikën e paepur dhe kokëfortë të konfliktit, do të dinë të hapin shtigje paqësore takimi dhe dialogu”. Së fundi, një lutje për të gjitha viktimat e luftërave të kaluara dhe të tanishme: të varfërit, të dobëtit, të moshuarit, gratë dhe fëmijët, ripohoi Papa, janë gjithmonë viktimat e para të këtyre tragjedive.

06 qershor 2024, 11:16