Françesku: tepër konflikte dhe gjakderdhje, "jo" logjikës së armëve
R.SH. – Vatikan
"Nuk mund dhe nuk duhet t'i dorëzohemi logjikës së armëve!"
1944-2024. Tetëdhjetë vjet të lidhura nga një fill i kuq gjaku, ai i derdhur nga shumë njerëz të pafajshëm, për shkak të luftës. Tetë dekada më parë bëhej fjalë për Luftën II Botërore me "makthin e shkatërrimit nazist"; sot ka shumë "konflikte të hapura" në botë, veçanërisht në Ukrainë, në Tokën Shenjte, Sudan dhe Mianmar, nga ku lartohet "britma e terrorit dhe e vuajtjes". Për këtë njerëzim të plagosur, Papa Françesku kërkon ndërmjetësimin e shën Marisë Salus Populi Romani, Zojës ndaj së cilës ka treguar gjithmonë përkushtim të thellë, duke i bërë homazhe më se njëqind herë, para dhe pas çdo udhëtimi apostolik apo operacioni kirurgjikal. Pikërisht asaj, më 4 qershor 1944, iu kushtuan qytetarët e Romës dhe Papa Piu XII "për të kërkuar shpëtimin e qytetit, para se të ndodhte ndeshja ballë për ballë e ushtrisë gjermane me aleatët anglo-amerikanë".
E gjallë në zemrat e romakëve
Me rastin e përvjetorit të 80-të të këtij kushtimi Virgjërës Salus Populi Romani - ikona e së cilës (sipas traditës është pikturuar nga Shën Luka) ruhet në bazilikën e Shën Marisë së Madhe - Papa i dërgon një letër imzot Baldassarre Reina-s, mëkëmbës për dioqezën e Romës. Në letër, Françesku nënvizon se “bashkohet shpirtërisht" me kremtimet dhe rinovon "përkushtimin" ndaj fugures së lashtë, “e cila prej shekujsh është e gjallë në zemrat e romakëve". Banorët e qytetit, shkruan ai në letër, “i janë drejtuar asaj me lutje e përgjërime, veçanërisht gjatë murtajës, fatkeqësive natyrore dhe luftërave”.
Ngjarje e mrekullueshme
Prandaj, nuk është për t'u habitur që në vitin 1944 mijëra njerëz, besimtarë e meshtarë, iu besuan Zojës Salus Populi Romani, me një kushtim publik në kishën e Shën Injacit të Lojolës, ku ishte zhvendosur ikona mariane. Ata iu lutën shën Marisë ta shpëtonte qytetin nga furia e luftës e, vërtet, trupat aleate hynë në Romë pa gjetur as rezistencën më të vogël nga gjermanët, të cilët u larguan nga veriu. Ngjarje e jashtëzakonshme, që i bëri besimtarët të mbushnin të nesërmen, 5 qershor, Sheshin e Shën Pjetrit, ku Papa Piu XII pohoi: “Me mirënjohje që s’mund të shprehet me gojë nderojmë Nënën e Shenjtë të Zotit dhe Nënën tonë, Marinë, e cila titullit dhe lavdit të Salus Populi Romani i shtoi një provë të re të dashamirësisë së saj amnore, që do të mbetet në kujtesën e përjetshme të analeve të qytetit”.
Plaga e luftës
Tetëdhjetë vjet më vonë, kujtimi i asaj ngjarjeje "me kaq shumë kuptim" është për Papën Françesku "mundësi lutjeje për ata, që humbën jetën në Luftën II Botërore dhe rast reflektimi të ri mbi plagën e tmerrshme të luftës". “Tepër konflikte janë ende të hapura sot, në anë të ndryshme të botës”, nënvizon Françesku, duke menduar veçanërisht për Ukrainën, Palestinën dhe Izraelin, Sudanin, Mianmarin, ku armët ende gjëmojnë dhe gjaku njerëzor vazhdon të derdhet. Janë tragjedi, që prekin viktima të panumërta të pafajshme, britmat e terrorit dhe të vuajtjes së të cilave u bëjnë thirrje ndërgjegjes së të gjithëve: nuk mund dhe nuk duhet të dorëzohemi para logjikës së armëve!”
Dhurata e paqes
Pasi kujton thirrjen e Papës shenjt Pali VI në OKB, ku në vitin 1965 kërkoi ndryshimin e mendësisë konfliktuale të botës, Papa Françesku i drejtohet Zojës me lutjen, që "ajo të nxjerrë nga Zoti, për gjithë njerëzimin, dhuratën e harmonisë dhe të paqes". Papa ia beson “banorët e Romës, veçanërisht të moshuarit, të sëmurët, të vetmuarit dhe njerëzit në vështirësi, ndërmjetësimit amnor të shën Marisë Salus Populi Romani”.