Kërko

Papa: leximi i predikimeve të Don Tantardinit i bën mirë shpirtit tonë

Vendimi për të botuar predikimet e don Tantardinit (2007 - 2012), bir në shpirt i Don Giussanit, është vepër e mirë për shpirtin tonë edhe sot, sepse na komunikojnë thelbin origjinal të jetës së krishterë. Në meditimet e Don Giacomos, protagonist i madh, është gjithmonë Hiri! Ishte i vetëdijshëm, pasi e kishte jetuar nismën e Zotit që i paraprin dhe e parashikon gjithmonë çdo synim tonin, duke ndezur dëshirën për të na bërë mirë, ne dhe fqinjit tonë, veçanërisht atyre që kanë vështirësi.

R.SH. / Vatikan

Botohet vëllimi "Është bukur të lëshohesh në krahët e birit të Zotit", botuar nga LEV, redaktuar nga Massimo Borghesi, i cili mblodhi predikimet e priftit, bir në shpirt i Don Giussanit, në San Lorenzo Jashtë Mureve (2007 -2012). Parathënia nënshkruhet nga Françesku: "Për një kohë të gjatë e rëgjuam krishterimin në kod rregullash a në përpjekje vullnetarizmi, por çdo moralizëm në fund të fundit na lë një ndjesi dështimi e trishtimi. Në predikimet e Don Giacomos, është protagonist Hiri".

Papa Françesku

Ky libër përmbledh predikimet e Don Giacomo Tantardinit, prift me origjinë lombarde, Itali, i cili me shumë pasion e kreu apostullimin e tij pothuajse tërësisht në Qytetin e Amshuar, Romë. Me kalimin e viteve, me predikimet e tij ushqeu shpirtërisht mijëra të rinj dhe të moshuar, që mbushën përplot bazilikën e Shën Lorencit Jashtë Mureve në mbrëmjet e të shtunave. Të gjithë mahniteshin, kur predikonte: çdo fjalë e tija mbetej në zemër dhe ndriçonte jetën. Pikërisht në këtë kishë të hershme të krishterë, ku nderohen reliket e diakonit shenjt Lorenzo, e takova edhe Don Giacomo-n. Siç pata rastin të kujtoj në të përmuajshmen titulluar 30 Ditë, e me rastin e vdekjes së tij në vitin 2012, përfytyrimin e tij të fundit e kam «gjatë ceremonisë së krezmimeve në Shën Lorencin Jashtë Mureve, me duar të bashkuara, me sy të hapur e të mahnitur, i qeshur dhe serioz njëheresh” (Miku im Don Giacomo, 30 Ditë, n. 5, 2012). Tashmë ishte i sëmurë rëndë, ndaj ne u lutëm për shëndetin e tij... dhe ai na falënderoi me një gjest shprese për shërim dhe, në të njëjtën kohë, me besim.

 

Kapaku i librit, botuar nga Libreria Editrice Vaticana "Është bukur të lëshohesh në krahët e Birit të Zotit"

Vendimi për të botuar tekstet e predikimeve të tij (nga viti 2007 deri në 2012) nuk është vetëm nderim për kujtimin e këtij prifti, bir në shpirt i Don Luigi Giussanit. Leximi dhe meditimi rreth predikimeve të tij do të jetë i mirë për shpirtin tonë edhe sot, sepse ato na komunikojnë thelbin origjinal të jetës së krishterë. Kisha ka gjithnjë nevojë për ta rimarrë  themeloren. Për një kohë të gjatë e reduktuam krishterimin në kod rregullash a në përpjekje vullnetare, por çdo moralizëm, në fund të fundit, na lë me një ndjenjë dështimi dhe trishtimi. Në meditimet e Don Giacomos, protagonist i madh, është gjithmonë Hiri! Ishte i vetëdijshëm, pasi e kishte jetuar nismën e Zotit që i paraprin dhe e parashikon gjithmonë çdo synim tonin, duke ndezur dëshirën për të na bërë mirë, ne dhe fqinjit tonë, veçanërisht atyre që kanë vështirësi.

Fjalën “Hir” Don Giacomo e shoqëron gjithmonë me një fjalë tjetër, që e bën konkrete: “tërheqje”, sepse Zoti na tërheq gjithmonë me joshjen e humanizmit të tij.

Një nga episodet më të përsëritura ungjillore në predikimet e Don Giacomos është kthimi i Zakeut: "tradhtar i popullit", kthesa e papritur e të cilit lind kur, pasi u ngjit në atë pemë për kureshtje e u ndesh sy më sy me Jezusin, "Zakeu zbriti me vrap, plot gëzim... me të vetmin shikim, që njeriu nuk e zotëron, sepse nuk shikon, por shikohet” (Homelia e 3 nëntorit 2007).

 

Don Giacomo Tantardini me kardinalin Jorge Mario Bergoglio - Romë, 2009 (Foto © Paolo Galosi)

Kjo është arsyeja pse lutja bëhet përmasa më e rëndësishme e jetës. "Kush lutet, shpëton" është një moto e Shën Alfons Maria de' Liguorit, të cilën jo rastësisht, Don Giacomo e pëlqente shumë. “Lutja nuk është ikje devotshmërie nga një botë "e keqe". Është pyetja që, nga thellësia e vetvetes, i jep kuptim dhe mundësi gëzimit jetës. E edhe kërkesa drejtuar Atij, që të vijë vetë e të jetojë në jetën tonë: “Shpresohet duke thënë: “Eja!”. Fëmija nuk shpreson kot më kot në nënën e tij, fëmija shpreson që nëna të jetë aty pranë, si shpresa e krishterë: e shpresa e krishterë shprehet duke thënë: "Eja, eja"" (Homelia e 1 dhjetorit 2007).

Është një gjuhë e thjeshtë, ajo e Don Giacomo-s, por në këto faqe ndihet dendësia e leximeve të tij, që nga mendimi teologjik i të dashurit të tij Shën Augustinit, te proza ​​poetike e Charles Péguy e te "rruga e vogël" e Shën Terezës së Krishtit Fëmijë:

"Kur jam bamirës, ​është Jezusi që vepron në mua" - është shprehja e tij  më e dashur.

Ka shumë predikime, që prekin zemrën. Më prekës është, sigurisht, ai i fundit, i datës 31 mars 2012, të shtunën, pak ditë para vdekjes, e cila përfundon me një fjali të thjeshtë, shqiptuar me vështirësi - lexojmë në libër - me një zë të këputur:

"Sa bukur është ta lëmë këtë botë e të shkojmë në krahët e Birit të Zotit."

E gjithë jeta dhe predikimi i tij ishin në këto dhjetë fjalë, që nuk ua la trashëgim vetëm miqve të tij, por dhe ne të gjithëve!

21 qershor 2024, 17:41