Papa luteranëve: të gjithë jemi shtegtarë të shpresës

Papa priti në audiencë një delegacion të Federatës Botërore Luterane. Në fjalën e tij iu referua Jubileut të ardhshëm 2025 dhe përvjetorit të Koncilit të Nikesë: “Jezu Krishti është zemra e ekumenizmit”. Një kujtim i teologut ortodoks Ioannis Zizioulas, i cili u nda nga jeta në vitin 2023

R.SH. – Vatikan

Shpresa është "lajtmotivi" që përshkon fjalimin e Papës Françeskut, drejtuar sot paradite më 20 qershor, delegacionit të Federatës Botërore Luterane (LWF), të pritur në audiencë në Pallatin Apostolik, në Vatikan. Në krye të grupit ishin presidenti i ri, ipeshkvi Henrik Stubkjær, i zgjedhur në vitin 2023 dhe sekretarja e përgjithshme, e Nderuara Anne Burghardt. Kohët e fundit, nga 13 deri më 18 qershor, Federata Botërore Luterane (LWF) ka mbajtur mbledhjen e Këshillit në Chavannes, afër Gjenevës, në Zvicër, me temën "Shpresa e bollshme", një fragment ky marrë nga Letra e Shën Palit Apostull drejtuar Romakëve (Rm 15,3).

Jezu Krishti zemra e ekumenizmit

I njëjti fragment – “Zoti i shpresës ju mbushtë, në besimin tuaj, me çdo gëzim dhe paqe, që të keni bollëk në shpresë në saje të virtytit të Shpirtit Shenjt” – citohet nga Papa i cili e përkufizon takimin e sotëm të paradites si “ një gjest i rëndësishëm vëllazërimi” dhe nënvizon shenjat e shumta të shpresës që shfaqen në vitin 2025. E para shenjë është Viti i Shenjtë i afërt, motoja e të cilit thotë “Shtegtarë të shpresës”; shenja e dytë është 1700-vjetori i Koncilit të parë kishtar të Nikesë, i cili u zhvillua në vitin 325 me urdhër të perandorit Konstandin, dhe përcaktoi hyjninë e Jezu Krishtit,i njënjëshëmme Atin:

Jezu Krishti është zemra e ekumenizmit. Ai është mëshira hyjnore e mishëruar, dhe misioni ynë ekumenik është ta dëshmojmë Atë.

Krishti i vetmi ndërmjetës

Papa Françesku më pas u ndal te "Deklarata e Përbashkët mbi Doktrinën e Justifikimit", e nënshkruar më 31 tetor 1999 në Augsburg, në Gjermani,dhe citoi një pikë me vlerë të fortë ekumenike:

Luteranët dhe katolikët kanë formuluar si një objektiv të përbashkët "rrëfimin e Krishtit në çdo gjë, i vetmi tek i cili duhet të vendoset gjithë besimi, pasi ai është i vetmi ndërmjetës nëpërmjet të cilit Zoti në Shpirtin Shenjt e dhuron vetveten dhe dikon dhuratat e tij, të cilat gjithçka përtërijnë”.

Pajtimi dhe shpresa

Edhe ky dokument, nënvizon Papa Françesku, vitin e ardhshëm do të kremtojë një përvjetor të rëndësishëm, të njëzete-pestin, dhe kjo "është një tjetër shenjë shprese në historinë tonë të pajtimit":

Le ta ruajmë në kujtesën tonë si diçka gjithmonë të gjallë. U festoftë 25-vjetori në komunitetet tona si një festë e shpresës”.

Dialogu i së vërtetës dhe dashurisë bamirëse

Më pas, duke ftuar të lutemi "me besim si shtegtarë të shpresës", Papa vuri në pah se "zanafilla jonë e përbashkët shpirtërore është 'një pagëzim i vetëm për faljen e mëkateve'":

Zoti i shpresës qoftë me ne, dhe të vazhdoftë të na shoqërojë me bekimin e tij në dialogun tonë mbi të vërtetën dhe dashurinë bamirëse”.

Kujtimi i Joannis Zizioulas

Në këtë rrugëtim, shton Papa Françesku, është mirë të kujtojmë fjalët e peshkopit teolog ortodoks Ioannis Zizioulas, metropolitit të madh të Pergamos (patriarkana e Kostandinopojës), i cili kontribuoi në hartimin e enciklikës Laudato si' dhe vdiq në vitin 2023. Papa e përkufizon atë si "një pionier të ekumenizmit" dhe citon disa nga fjalët e tij:

Thoshte: duhet të ecim bashkë: të ecim së bashku, të lutemi së bashku dhe të bëjmë vepra të mira plotë dashuri së bashku.

Në fund të audiencës, Papa ftoi të pranishmit të lusin së bashku uratën e “Atë ynës”, secili në gjuhën e vet.

20 qershor 2024, 11:21