Papa, murgeshave: shërbimi im aktual për Kishën, fryt i së mirës marrë prej jush
R.SH. – Vatikan
Audiencë e karakterizuar nga një kujtim personal i fëmijërisë, ajo e sotmja, 6 qershor, në Vatikan, e Papës Françesku me kongregatat e Motrave të Shën Feliçes nga Cantalice dhe të Bijave të Zojës së Mëshirës, me rastin e kapitujve të tyre të përgjithshëm. Ati i Shenjtë është i lidhur me Bijat e Zojës së Mëshirës që nga fëmijëria:
“Pikërisht në një nga shkollat tuaja, në Buenos Aires, në lagjen Flores, shumë vite më parë, mora Sakramentet e para të krishtera. Si mund ta harroj motrën e dashur Dolores, nga e cila mësova kaq shumë dhe që vazhdova ta vizitoja për shumë kohë më pas? Për këtë falënderoj Zotin dhe të gjithë ju, sepse shërbimi im i tanishëm për Kishën është edhe fryt i të mirave, që kam marrë që në moshë të re nga familja juaj rregulltare”.
Nuk është hera e parë që Papa kujton motrën María Dolores Tortolo, murgeshë që i qëndroi pranë në vitin 1957, kur u shtrua në spital me pneumoni të rëndë. “Ajo erdhi të më shihte, më kapi për dore, më puthi dhe heshti gjatë – tregon Françesku në një libër. – Pastaj më tha: 'Ti po imiton Jezusin'. Nuk kishte nevojë të shtonte asgjë tjetër. Prania e saj, heshtja e saj më ngushëlluan thellë”.
"Zemra për Zotin, duart për punën!"
Themeluar në Savona të Italisë në vitin 1837, Bijat e Zojës së Mëshirës ia detyrojnë zanafillën e tyre një gruaje të re, Benedetta Rossello, më vonë motrës Maria Giuseppa, e cila vendosi të vihej në shërbim të të varfërve, fëmijëve dhe vajzave të reja. Ky impenjim u kujtua nga Papa edhe gjatë audiencës së sotme:
“Benedeta ishte një vajzë e vendosur, e cila, megjithëse e varfër, pati hequr dorë nga perspektiva e një trashëgimie të pasur për të ndjekur thirrjen për shenjtërim, duke zgjedhur moton "Zemra për Zotin, duart për punën!" Ajo u zhyt në aventurën e re të dashurisë me mjete të varfra, por të fuqishme: “një kryq, një shtatore e Zojës Mater Misericordiae dhe pesë lira kapital”, gjithmonë e gatshme për të kryer e para çdo lloj shërbimi”.
Në shërbim të të gjithëve, pa dallim
Motrat e Shën Feliçes nga Cantalice u themeluan, ndërkaq, në vitin 1855 në Varshavë, "në një Poloni të përshkuar nga lufta", kujtoi më tej Papa, duke vënë në dukje se ato u vunë menjëherë "në shërbim të fëmijëve, personave me aftësi të kufizuara dhe të rinjve në rrezik". Themelimi i Kongregatës u frymëzua nga Sofia Camilla Truszkoëska, më vonë motër Angela Maria:
“Përballë ashpërsimit të konflikteve të armatosura, ajo dhe motrat e saj vendosën të kujdesen për gjithë të plagosurit, çfarëdo ane luftarake t’i përkisnin”.
Rëndësi ka dashuria për Zotin dhe për të afërmin
Për këtë veprimtari, murgeshat u akuzuan për tradhti dhe kongregata u shpërnda. Pak kohë më vonë, në vitin 1865, vijoi tregimin Papa Françesku, Provania Hyjnore e ringjalli, duke e përhapur më tej, jashtë shtetit, në Amerikë, këtë herë për të ndihmuar emigrantët polakë. Tashmë, këto motra janë të pranishme në shumë anë të botës.
“Kjo është një shenjë e rëndësishme për ju: shenjë, që ju fton të mos keni frikë nga humbja e sigurisë së strukturave dhe institucioneve, për t'i qëndruar besnike bamirësisë! …strukturat nuk kanë rëndësi: ato janë thjesht një mjet. Thelbi i gjithçkaje është dashuria për Zotin dhe për të afërmin, e ushtruar me bujari dhe liri: ‘Vërtet, i përkasim dashurisë së Krishtit’”.
Mjete të varfra, por të fuqishme, për shkak se bazohen në dashurinë për Zotin dhe për të afërmin, të dyja Kongregatat i bashkon një element: "Shërbimi i Zotit dhe i Kishës". Prandaj, ftesa përfundimtare e Papës për motrat ishte të kujtojnë se "të gjithë jemi mjete në duart e urta të Zotit", Atij që di se çfarë të nxjerrë "nga "po"-ja jonë e vogël".