Kërko

Papa Francesco in visita a Strasburgo, al Consiglio d'Europa, Unione Europea, 2014.11.25 Papa Francesco in visita a Strasburgo, al Consiglio d'Europa, Unione Europea, 2014.11.25

Papa: të ndërtohet Evropa e popujve, jo globalizimi homogjenizues

Mesazh i Françeskut për pjesëmarrësit në Ditën e XXV të Kolumbanit 2024, takim ndërkombëtar i bashkësive kolumbane, që kujtojnë Abatin e madh irlandez e që mbahet në Piacenza. Bashkësitë kishtare dhe civile të kontinentit nuk duhet të humbasin identitetin e tyre. Duhet bashkim në dallime dhe hapje e dialogut me qytetërimet e tjera - u kujton Papa

R.SH. / Vatikan

Një "Evropë popujsh", e hapur për dialog dhe takime me qytetërime të tjera, të bashkuara në dallimet e tyre, në të cilën bashkësitë kishtare dhe civile nuk e humbasin "identitetin" dhe nuk shpërbëhen "në një globalizim homogjenizues, në mëshirën e fuqive dominuese". Papa shpreson që kjo "limfë ungjillore", e njëjta e sjellë shekuj më parë në territoret e kontinentit të vjetër nga murgjit irlandezë, pasuesit e abatit të madh Shën Kolumbanit, mund të forcohet në Evropën e sotme.

Papa u dërgon një mesazh pjesëmarrësve në Takimin XXV Ndërkombëtar të bashkësive Kolumbane, të ashtuquajtur Dita e Kolumbanit 2024, e cila organizohet më 22 dhe 23 qershor në Piacenza. Ngjarje, që vazhdon prej njëzet e pesë vjetësh në emër të Shën Kolumbanit dhe që ka kontribuar në krijimin e "një rrjeti miqësie shpirtërore dhe kulturore në atë pjesë të Evropës, ku ai dhe shokët e tij lanë gjurmën e pranisë së tyre frytdhënëse - shkruan Papa.

“Nuk është thjesht përkujtim historik, as folklorik: është më tepër angazhim për të nxitur njohuritë e Shën Kolumbanit dhe të trashëgimisë së tij, si pasuri për sot, si në sferën kishtare, ashtu edhe në atë civile.

Materializmi praktik dhe neopaganizmi

Ndoshta ky objektiv mund të duket jorealist, sepse "i tillë është dallimi ndërmjet Evropës aktuale dhe asaj të shekujve 6 dhe 7" e "modeli i jetës i propozuar nga igumeni i shenjtë dhe shokët e tij është shumë larg nga i yni", vëren Papa. Megjithatë, pikërisht ky "kontrast", ky "diversitet" e bën dëshminë dhe mesazhin e Shën Kolumbanit "veçanërisht interesante, madje tërheqëse për ne që jetojmë të zhytur në materializmin praktik dhe shpesh në një lloj neopaganizmi".

Puna e murgjve për ripërtëritjen e qytetërimit evropian

Papa kujton sesi murgjit irlandezë të asaj kohe u bënë shtegtarë dhe misionarë në kontinent për të ri-ungjillzuar territore të gjera "ku rrezikohej të humbiste lulëzimi i parë i krishterë": "Punën e bonifikimit dhe të kultivimit që kryen në tokë, e bënë edhe në fushën e shpirtit, të mendësisë dhe të zakoneve”, shkruan në vijim Françesku. Dhe kështu, dëshmia e murgjve kolumbianë, si ajo e benediktinëve gjetkë, kontribuoi në mënyrë të vendosur në ruajtjen dhe përtëritjen e qytetërimit evropian.

Gurrë jete ungjillore për Kontinentin

“Edhe sot - kujton Papa Françesku - kemi nevojë për këtë ‘gjak’ ungjillor”, në mënyrë që bashkësitë kishtare dhe civile të kontinentit të mos humbasin identitetin e tyre, të mos shpërbëhen në një globalizim homogjenizues, në mëshirën e fuqive sunduese, por të mund të shprehin besimin dhe kulturën e tyre me besnikëri krijuese ndaj traditave, duke kontribuar në ndërtimin e Evropës së popujve, të bashkuar me gjallërinë e dallimeve dhe të gatshëm për takime dhe dialog me qytetërimet e tjera të botës”. Prej këndej, inkurajimi për ata që angazhohen ta çojnë përpara nismën e Ditës së Columbanit "duke u frymëzuar nga Ungjilli, në bashkëpunim respektues me autoritetet civile". Mbi të gjitha, Papa lutet për mbrojtjen e Shën Kolumbanit.

 

 

22 qershor 2024, 14:48