Papa: mbajeni Ungjillin në xhep, ta lexosh ka rëndësi për jetën

Në audiencën e përgjithshme Papa vijoi katekizmin kushtuar Shpirtit Shenjt, frymëzues i Biblës e gurrë frymëzimi për çdo njeri. Porosia për meshtarët: homelitë të jenë të shkurtëra “jo më shumë se 8 minuta” e të ndihmojnë “për ta kaluar Fjalën e Zotit nga libri, në jetë”.

R.SH. / Vatikan

Pasi reflektoi mbi veprën e Shpirtit Shenjt në krijim, temë e katekizmit të javës së kaluar, në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, Papa foli për praninë e Shpirtit në "zbulesën" për të cilën Shkrimi i Shenjtë është "dëshmi autoritare". Nëse Vetja e tretë e Trinisë - Shpirti Shenjt frymëzoi Biblën, është sërish Shpirti Shenjt që e mban gjithmonë gjallë, ndërsa Kishës i besohet detyra për ta shpjeguar saktësisht. Në tekstin që i paraprin fjalëve të Papës, shkruhet:

“Së pari duhet ta dini këtë: asnjë shkrim profetik nuk i nënshtrohet shpjegimit vetjak, pasi profecia nuk vjen kurrë nga vullneti njerëzor. Nëse disa njerëz flisnin në emër të Zotit, këtë e bënin nga shtytja e Shpirtit Shenjt” (2 Pt 1,20-21).

Ka shumë fragmente në Besëlidhjen e Re që e pohojnë frymëzimin hyjnor të teksteve biblike. Papa Françesku citon edhe Shën Palin, i cili na kujton se: "I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Zoti". Është, nënvizon Ati i Shenjtë, një shprehje feje, që ne e përsërisim në Besojmë - dhe shton:

“Shpirti Shenjt, që i frymëzoi Shkrimet, është po Ai, që i shpjegon dhe i bën përherë të gjalla dhe aktive. Nga të frymëzuara, i bën frymëzuese. Kushtetuta konciliare 'Dei Verbum' na kujton se ‘Shkrimet Shenjte të frymëzuara nga Zoti dhe të shkruara një herë e përgjithmonë, shpallin në mënyrë të pandryshueshme Fjalën e vetë Zotit".

Ashtu si Jezusi i Ngjallur kishte përgatitur mendjet e dishepujve të tij për të kuptuar Shkrimet, kështu vazhdon të bëjë në Kishë Shpirti Shenjt. Është diçka që secili prej nesh mund ta ketë provuar:

“Mund të ndodhë që një fragment të caktuar të Shkrimit, të cilin e kemi lexuar shumë herë pa emocione të veçanta, një ditë ta lexojmë në një atmosferë feje e lutjeje, e atëherë ai tekst befas na shndrit mendjen, na flet, na e ndriçon një problem që e jetojmë, na bën të qartë vullnetin e Zotit për ne në një situatë të caktuar”.

E kjo është pasojë e Shpirtit Shenjt - kujton Papa Françesku. "Fjalët e Shkrimit Shenjt, nën veprimin e Shpirtit, bëhen të shndritshme", fjala e Zotit duket "e gjallë, vepruese, më e mprehtë se shpata me dy teha", siç e dëshmon  Letra drejtuar Hebrenjve. Kisha - vazhdon Papa - ushqehet nga leximi i Shkrimeve nën drejtimin e Shpirtit Shenjt:

“Kisha, Nusja e Krishtit, është interpretuese e autorizuar e tekstit të frymëzuar, ndërmjetësuese e shpalljes së tij të vërtetë. Meqë Kisha pajiset me Shpirtin Shenjt, ajo është ‘shtylla dhe mbështetja e së vërtetës’. Është detyrë e saj, prandaj, për t’i ndihmuar besimtarët dhe ata që kërkojnë të vërtetën, t’i interpretojnë drejt e si duhet tekstet biblike”.

Nëse çdo ditë secili mund t'i kushtojë një pjesë të kohës leximit personal të Biblës, "leximi shpirtëror i mirëfilltë i Shkrimit - kujton Papa - është ai komunitar që bëhet në Liturgji dhe në veçanti në Meshën Shenjte". Ndërsa predikimi duhet të ndihmojë për ta përcjellë Fjalën e Zotit në jetën e besimtarëve:

“Ndërmjet shumë fjalëve të Zotit, që i dëgjojmë çdo ditë në meshë ose në Liturgjinë e Orëve, është gjithmonë një e paracaktuar posaçërisht për ne. E mirëpritur në zemër, mund të na e ndriçojë ditën dhe të na e gjallërojë lutjen. Nuk duhet ta lëmë të bjerë në boshllëk!”

Papa Françesku propozon një aspekt të fundit: një nga shënimet në sfond - vëren - e shoqëron të gjithë Biblën: "dashuria e Zotit".

“Shën Gregori i Madh e përkufizon Shkrimin si "’letër e Zotit të gjithëpushtetshëm drejtuar krijesës së tij’, si letër e Dhëndrit drejtuar nuses së tij dhe na nxit ‘të mësohemi për ta njohur zemrën e Zotit në fjalët e Zotit".

Shpirti Shenjt -  përfundon Papa kastekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme - "na ndihmoftë ta kuptojmë këtë dashuri të Zotit në situatat konkrete të jetës sonë".

12 qershor 2024, 11:37

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >