Papa: për jubileun, Romës nuk duhet t’i mungojë “kantieri” i bamirësisë së krishterë

Françesku priti Circolo San Pietro, misioni i të cilit është t'u shërbejë nevojtarëve, të kryejë veprimtari vullnetare dhe të inkurajojë anëtarët që ta transmetojnë "trashëgiminë e tyre të vlerave dhe të përvojave tek të rinjtë". Me shikimin e ngulur tek Viti i Shenjtë, Papa u bëri thirrje vullnetarëve të kujdesen për "zemrat dhe për korpin e të varfërve që, siç pati thënë Shën Lorenci, janë thesari i Kishës". Kujtoi, më pas, dëshminë e Pier Giorgio Frassati-t, "së shpejti shenjt".

R.SH. / Vatikan

Me mendjen tek viti i ardhshëm, që "do të jetë Vit i Shenjtë", dhe me shikimin e ngulur mbi Romën "plot me kantiere", Papa Françesku, në audiencën me Rrethin e Shën Pjetrit (Circolo San Pietro), nënvizon se "kantieri" kryesor, i cili nuk mund të mungojë, është ai i bamirësisë”. Shtegtarët dhe turistët, që vijnë në Romë, duhet të “thithin” ajrin e bamirësisë së krishterë, e cila nuk është thjesht ndihmë, por edhe shqetësim për dinjitetin, është afërsi, ndarje e jetuar, pa reklama, pa dritat e vëmendjes. Me praninë tuaj, me afërsinë, dhembshurinë dhe butësinë tuaj, edhe ju përgatiteni qytetin për jubileun, duke mos u kujdesur për rrugët apo infrastrukturën, por për zemrat dhe korpin e të varfërve të cilët, siç pati thënë Shën Lorenci, janë thesari i Kishës.

Mirënjohje për shërbimin

Papa priti, në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik, rreth katërqind anëtarë të shoqatës së lashtë romake e cila, për 155 vjet, u kujdes për më nevojtarët përmes veprave konkrete të solidaritetit, të dokumentuara në një vëllim me të gjitha mësimet e Papëve për vetë Rrethin, libër, i cili iu dhurua Françeskut.

Papën e gëzon pritja e tyre sepse - kujton në fillim të fjalës së tij - i pret "në emër të mirënjohjes, që është 'shija' e bukur e jetës", "mirënjohjes për shërbimin" që i bëjnë "të varfërve të Romës, në emër të Papës” dhe “të Kishës së Shenjtë Nënë”.

Historia nuk duhet "muzeumizuar"

 Françesku porosit të mos humbasë “kujtesa e rrënjëve” sepse “ato janë themelore”. “Pa rrënjë nuk ka jetë, nuk ka të ardhme”. Por, në të njëjtën kohë, Papa bën thirrje për të mos qëndruar të ankoruar në të kaluarën. Kujdes! Mos e “muzeumizoni” historinë tuaj, mos “i sterilizoni” rrënjët tuaja! Kujtesa është organ i së ardhmes, me kusht që rrënjët e saj të mbeten të gjalla dhe të qëndrueshme. Kjo është arsyeja pse ju inkurajoj që trashëgiminë tuaj të vlerave dhe të përvojave, t'ua transmetoni të rinjve. Ne kemi nevojë për të rinj që ecin përpara.

Të moshuarit mund t’u japin hov të rinjve

Shpresa e Françeskut është që gjyshërit e Circolo San Pietro-s t'ua përcjellin përvojë nipërve dhe mbesave të tyre dhe i fton të reflektojnë mbi "pasurinë e fesë së jetuar, të bamirësisë konkrete, të dashurisë për të varfërit", që shembulli i të moshuarit mund ta ofrojë, e edhe mbi energjinë, aftësinë krijuese dhe entuziazmin, “që mund t’i japë të riut e gjithë kjo”.

Dëshmia e Frasatit "së shpejti Shenjt "

Papa kujtoi edhe të Lumin Pier Giorgio Frassati, i cili "do të shpallet së shpejti shenjt". Është ai që "në Torino shkoi në shtëpitë e të varfërve për t’i ndihmuar me të gjitha mundësitë e forcat". Djalë i ri "nga një familje e pasur" "nuk humbi në 'jetën e mirë', sepse në shpirtin e tij ishte linfa e Shpirtit Shenjt,  dashuria për Jezusin dhe për vëllezërit".

24 qershor 2024, 13:38